Më i vogli i Burgut të Burrelit, ndaloi ‘Harvardin” t’i jepte “Doktor Nderi” Berishës

73

Një-nga-qelitë-e-burgut-të-Burrelit-1993Nga  Robert Papa

Viktor Martini jeton në Boston. Ai është ish i dënuari politik me moshën më të vogël që provoi Burrelin, vetëm 18 vjeçar. Në vitin 1995 kur “ Harvardi” do i jepte një “Doktoratë Nderi”, doktorit  të  Bllokut, Viktori arriti t’i shkruajë presidentit amerikan dhe presidentit të “Harvardit” për të mos lejuar që të ofendohen ish të  dënuarit politikë dhe të nderohej një komunist si Berisha. Ish Presidenti shqiptar, as nuk shkoi fare në Boston dhe ceremonia  u anulua.
Unë e kam pasur  në “ Fokus” Martinin dhe isha kureshtar se, si e kujtonte Burgun e Burrelit. Doja ta dija. Kisha dëgjuar shumë. Më ka folur Ngjela dhe shumë të tjerë. Madje Pjetër Arbnori kishte ndenjur në një qeli, me dajon e nënës sime, Dhimitër Garulin, i cili do dilte të hënën nga burgu, por u gjet i “helmuar” të dielën, se aty shkruhej: “Këtu është Burrel, ky hyn dhe nuk del!”
Martini, me një gegnishte të bukur kujton se: “Ju falenderoj që me jep mundesinë me fol për ata që sjan ma. Me fol për dinjitetin e shkelun keq, tash 20 vjet. Jam gati me një memorie krejt të freskët, jo për lavdinë teme, por për lavdinë e atyne që më ngarkun me fol.”
Imagjinoj një djalosh të njomë, të drojtur e mbase edhe pak i friguar nga qelitë. Djaloshi nuk harron Visarion Xhuvanin, kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare. Një fisnik i moshuar. Viktori nuk e harron takimin e parë më këtë martir të kishës sonë  Autoqefale. Ishte viti 1958. Visarioni e ka pyetur se si e quajnë. Viktori kthehet pas në kohë: “ Kur shkova në Burgun e Burrelit, herën e parë që dola në oborr, isha  18 vjec, ma i riu që kisha shkel  në burg në at moshë. Aty më kishte vdekë edhe baba. Ishte një tmerr, sepse dy vllaznit na çun përnjiherë në Burgun e Burrelit. Ka kenë edhe i treti ma vonë, se të katër vllaznit rame në burg. Ma i vogli ishte 13 vjec. Në burg 13 vjec, nën akuzën, demek ordiner, se  i morri një femije një xhaketë tuj lujt, ja kthej mas nji oret dhe kjo u qujt grabitje me  dhunë. Një lojë fëminore, por nuk ishte qëllimi të denohej një fëmijë, ishte qëllimi që të tmerroheshin masat e popullit shqiptar, se dikush u dojte me u ba kurban dhe ne jemi Kurbani i vërtetë . Ne ishim kurban.”
A jam habitur kur më ka thënë se ishte vetëm 18 vjecar kur e burgosën në Burrel? Po! Cfarë kishte bërë? Pse? “Jo  pa qëllim.U dote që në Shkodër disa familje të baheshin shenjë, që t’u  shtohej tmerri popullit. Vujtjet kanë krenarinë e vet, kur prej tyne del  me dinjitet, por nuk mburret kush me torturat. Eshtë një fatkeqësi për torturat ma cnjerëzore që kam ndi prej bashkëvujtsve të mij. Kur dola për herë të parë në oborrin e Burgut të Burrelit, më doli përpara një  moshë e vjetër 80 vjeçare me një mjekër të bardhë. Ma vonë e mësova se ishte  Visarion Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, i cili bëri shkeputjen e Kishës Shqiptare nga grekët. Ishte burrë i rrallë, si shumë të tjerë që ishin në atë burg. Sa më pavi në oborr mu avit dhe më tha: Si e ke emnin? Viktor e kam. Aj coj durt nga qielli dhe tha: O zot të falenderoj që prune në kët derë të mjerimit kët krijesë kaq të njomë.”
Martini përlotet pak. “Mendova se ky mund të jetë ndoj i sëmurë psiqik, por e hodhi poshtë kët. Më vuri dorën mbi kry dhe më tha: “Mos u habit biri im, unë e ndij thellë në shpirt vujtjet që ndodhesh  në praninë  tonë, por t’jesh i bindun se ti je nji dhuratë prej Zotit, sepse ti ke  me jetu se je i ri, por ather kur  ne skena me ken ma, po t’ngarkoj në emën të Zotit që te jesh deshmitar i vujtjeve tona.”
Martini ka dal nga ferri më vitin 1961 dhe e ka lënë në burg Visarionin e Madh. Viktori nuk e harron. Por sa keq, sa pak shkruhet dhe flitet për atë Martir. Ku është foto e tij? Ku janë fjalët dhe vepra e madhe e “shizmës” prej vartësisë greke? Ja pra, Martini, pas kaq vitesh nuk e harron. Dhe ka të drejtë. Mbase zoti e coi atë djalosh në  ato qeli që  të ishte dëshmitar. Ne, nuk e  kemi idenë,  se si ishte ai burg, ai ferr, ajo natë  pa fund. Kushte mizore. Sjellje shtazarake ndaj “armiqve”, madje edhe pse dikush ishte 18 vjecar, por përsëri  ishte armik. Ne jetonim gjetkë. Unë në Tiranë, nuk kisha se, si ta dija se çfarë vlerash, ishin ndrydhur në atë ferr. Por, shumë e dinin. Heshtja ishte turp. Cfarë  ndodhte në këtë realitet tjetër, në këtë Shqipëri tjetër, në këtë  botë tjetër?!
“ Ju  keni kenë i ri  dhe e njihni burgun sipas gojdhanash, por më vjen keq për dicka tjetër, intelektualët e asaj kohe, kur bi në kontakt dhe ju diftoj vujtjet e mbarë kësaj shtrese, thojnë ne s’kemi dit gja. Nuk falet injoranca, në fushën e dijes. Unë  mund t’ja fali nji fshatari të thjeshtë, por jo nji intellektuali, i cili ka shërby me devotshmëri diktaturës. Janë ato letrarët, intelektualë që i thurrën lavdi Enver Hoxhës, deri ne Alejuja, dhe thojnë janë të pafajshëm. Janë  gjykatësit e prokurorat. Kriminelat e asaj kohe, që sot i shërbejnë përsëri politikës shqiptare.  Kemi një Rustem Gjata, i cilli i ka shërby devotshëm diktaturës. Ka  dënu me pushkatim edhe prifterinjt, ka dënu me  nga 20 vjet aj dhe i biri udhëheqin drejtësinë sot dhe japin leksione me paturpësi të atyne, që i vejnë  në ato fuksione. Une ndihem shumë i ofendum, se  nëqoftse rrëxume, çume dy gishtat përpjetë dhe thamë  rroftë demokracia, poshtë komunizmi. Cil komunizëm paskemi rrëxu ne? Vum në krye të shtetit, një ish-komunist. Po, a lejohet në vendet demokratike që një nazist dhe fashist të vëhet në krye të shtetit? Mos valle komunizmi ishte më pak gjakatar? Nuk thom që të mos jetojnë fëmijët e tyne si ne, se shpirti jon human nuk krijojmë fëmijë të fajësum. Ne  kemi lindun të fajësum. Kjo asht ma e keqja e diktaturës. Unë një fjalim temin te stadium Qemal Stafa në  vitin 1991, kam thënë këto fjalë: 
“Jetë të gjatë anmiqve tonë! Ta perjetojnë sa më gjatë turpin, që ra mbi pafajësinë tonë. Jetë të lumtun fëmijëve tonë , jetë lumtun  dhe fëmijëve te armiqve tonë, se s’dima qe dora jon e hakmarrjes të ngrihet mbi foshnjet e pafajshme, ashtu sikur u ngrejt dora e krimit gjakatar te ne foshnjet e porsalindura, nga nanat e pafajshme. Po të kishin ba, atë çka bane te ne, do t’u bajshemi baraz. Ne dominume,  fitume moralisht. E morali, është gjaja ma e shtrenjtë për shqiptarin.”
E ndaloj pak. Dua ta qetoj ate që zien brenda tij edhe pse thinjat e bëjnë sa fisnik aq dhe të paqmë. Ai i ka ikur Shqipërisë. Unë jam në Nju Jork, e ai është Boston. Larg me largësinë si e mendojmë në Shqipëri. Mbi 400 km, por afër po të mendosh me largësitë në SHBA. Ndajmë jo veç ikjen prej vendit, por edhe  pendesën se shumë pak kemi bërë, t’u tregojmë shqiptarëve për kalvarin e kuq. “Fokus” ,ka dy dekada, por prap është shumë pak. Asgjë, një pikë ne atë oqean vuajtjesh. Por as unë, e as ai nuk rreshtim.
“Burgun e Burrelit  e kam parasysh si sot. Në dy anët kishte dy hymje në oborr. Shkallët me nga 5-6 kambë shkallë. Ne dy krahët ndodhej një korridor i ngushtë. Në me VC-te dhe qelitë ku futeshin për dëmime të ndryshme pse për izolime. Izolun Pajo Islamin ose disa që i lane si ish-komunista në nji dhiomë me kushte  pak ma të mira. Ish-ministrat i trajtonin me nje privilegj ma të mirë. Eshtë e çuditshme, se edhe këta që i qujmë bashkvujtës, kishin një distancë me ne. Na qujshin përsëri armiq. Ne jemi besnikë të komunizmit, thojshin. Aty, kam pa njerez që kan shkëlqy për mu. Ka kenë Padre Mëshkalla. I kam  qitë prej burgut më 1961 nji tufë poezish të tija, permensh, që i ruj edhe sot. Ka kenë Engjell Coba, ka kenë Gjergj Kokoshi. Meshkalla ishte si ajo shkypja që qendronte sipër nga ana  intelektuale dhe morale, karakter i fortë i papërkulur, por edhe Gjergj Kokoshi kishte karakter.”
Mëshkalla është figurë e madhe. Stoik.  Gjyqi i tij në Shkodër, u mendua të ishte shembull  për rininë. Kishin vënë altoparlanta dhe gjyqi ndiqej nga jashtë. Mëshkalla u tha : “Mos ua vini re rinisë, se  i mbani lidh më bukën e gojës. Do vij një ditë do ngrihen!”  Kishte të drejtë.
Martini flet për gjyqin: “Gjykatësi o tha se Ju keni pas pafytyrsinë t’i shkruni Mehmet Shehut dhe t’i thoni mëshirë për rininë shqiptare. Tha , JO! Kam pas krenarinë e ligjshme të paralajmeroj kryeministrin që të ketë mëshirë për edukatën që asht tuj dhanë rinisë shqiptare, se e keni lidh me kafshatën e bukës dhe pasojat keni me i pasë më vonë. Mjerisht  ju jeni injorantë në latinisht, i tha gjykatësit. Shof shumë gabime dhe ne recetat tuja, po deshët me dit çka thanë Shtoma, bini UNGJILLIN, e unë do jua perkthej dhe t’ju bindi, se asht ashtu si them unë. Ata ju përgjigjën me ironi, ungjillin tand të dashtun e ka djeg populli. Padre ka kenë natyrë e egër, ekzploziv dhe kërcej. Nuk asht ë vërtetë! Ungjillin se ka djeg populli,  e keni djegë ju! Dhe nëse doni  me e  sjell këtu, kërkoni nëpër botë se keni me miliona, se nuk i prekni dot asnjë germë. Por nuk asht hera e parë që digjet Ungjilli, por sa herë asht djeg ai ka përtëri edhe ma i fuqishëm.”
Viktori flet me shumë admirim për Mëshkallën , madje na reciton disa vargje:
“Nji maskë e zbukurume
Që holl mbulon ftyrën e shëmtume
Sa vojna lyra ngjyra
që mshehin rrudhat  e një plake mënxyrre
nji pare kallbet zbet
që në treg na del si flori i vërtetë
Thesi në gryk  ka  molla
e poshtë deri ne fund  është plot gjarpërij e bolla.
Një monument mermeri mi krymba
Mbi skelete e kafka tmerri.
Të njof mirë Hipokrizi
Ti je vec rrenë e mashtrim.
 E  rren synin  pash , e rri
Por shpirti drejt nuk din, nuk din se si
Por te ndin noj gjakun ty
Se je Hipokrizi!”