Mbaron protesta e PD-së, turma largohet paqësisht

53

protesta pdKa nisur protesta e Partisë Demokratike, e paralajmëruar disa ditë një parë nga krerët e kësaj partie. Grumbullimi i njerëzve është bërë në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të marshohet drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndaluar përballë Kryeministrisë, ku kryetari i PD-së do të mbajë edhe një fjalim.

Opozita bëri thirrje për protestë sot në ditën e përkujtimit të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, kundër mashtrimeve të qeverisë Rama-Meta e cila, sipas tyre, nuk po mban premtimet elektorale.

Grupsesksionet e PD-së paguan kompanitë e autobusëve në mënyrë që të bëhej transporti i militantëve nga rrethet në kryeqytet. Sipas organizimit, të gjithë aktivistët duhet të kenë mbërritur në Tiranë rreth orës 13:00, dhe më pas duhet t’i drejtohen sheshit “Skënderbej”, nga ku sapo ka nisur mitingu i PD-së. Masa të rrepta sigurie janë marrë nga ana e policisë, dhe mësohet se kordoni i parë i policisë para Kryeministrisë do të jetë me police femra.

Policia bashkiake gren podiumin e PD-së

Përveç militantëve dhe organizatorëve të Partisë Demokratike, pjesëmarrës në protestë duket se kanë qenë edhe forcat e Policisë Bashkiake, të cilat janë kujdesur në mënyrë të posaçme për ngritjen e podiumit. Podiumi nga ku  pritet të flasë kreu i partisë Lulzim Basha, është ngritur përpara Kryeministrisë nga forcat e Policisë Bashkiake, ndërsa të pranishëm ishin edhe disa organizues të protestës nga radhët e PD-së.

Nis marshimi i protestuesve, mungojnë Berisha dhe Basha

Njerëzit e sjellë nga PD-ja, nga disa qytete të vendit, janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” rreth orës 14:00, nga ku prisnin që të vinin krerët e partisë për të filluar marshimin. Por liderët e partisë nuk kanë ardhur në radhët e protestuesve, çka ka bërë që këta të fundit të nisin protestën pa drejtuesit. Vetëm pas pak minutash pasi turma kishte filluar të marshonte në mënyrë të çrregullt drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, janë shfaqur disa nga deputetët e PD-së, si Jorida Tabaku, Gerti Bogdani, etj., por kryetari i partisë Lulzim Basha si dhe ish-kryetari dhe njëherësh ish-kryeministri Sali Berisha nuk janë në radhët e protestuesve.

14:40-Shfaqet Berisha me Bashën

Pas rreth 40 minutave pasi kishte filluar protesta, në radhët e protestuesve janë bashkuar edhe krerët e PD-së, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. U mendua se këta të fundit nuk do të dilnin në shesh, pasi u vonuan për tu bashkuar me turmën, por kur turma po afrohej drejt Kryeministrisë janë shfaqur edhe dy figurat kryesorë të Partisë Demokratike.

Basha: Edi Rama fillo punën ose largohu

Basha paralajmëron kryeministrin Rama që, sipas tij, të kthehet në binarët e demokracisë dhe të punojë për popullin. Sipas kreut të PD-së, Rama sapo mori votat nuk po kujtohet për popullin.

“Edi Rama e ka emrin mashtrues. Po, po kështu quhet siç po e thërrsini ju. Votat e vjedhura duhet t’i kthehen mbrapa sovranit. Kushdo që do të vjedhë votat, nuk mund dhe nuk do t’i gëzohet pushtetit. Këto tullumbace janë tullumbacet e mashtrimit, por mungon një tullumbace që është vetë Edi Rama me qeverinë e tij. Ka vetëm një zgjidhje për këtë situatë, ajo është ngritja në këmbë e gjithë popullit për ta kundërshtuar këtë qeveri. Edi Rama fillo punën ose largohu!”.