“Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë për punën e prokurorisë dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme duhet t’u japë zgjidhje sa më të shpejtë çdo ankese apo shqetësimi të qytetarëve për punën e prokurorëve. Drejtoria e Hetimit të angazhohet maksimalisht në përmbylljen e hetimeve të çështjeve të nisura gjatë vitit 2013, duke vënë theksin, “sidomos tek ato çështje që kanë një impakt në opinionin publik. Drejtoria Gjyqësore, e cila përfaqëson akuzën në emër të shtetit në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ka si detyrë prioritare gjatë vitit 2014, krahas të tjerave, angazhimin për bindjen e Gjykatës së Lartë në nxjerrjen e vendimeve unifikuese, të cilat do të standartizojnë praktikën për trajtimin e njëjtë të rasteve të ngjashme.
Vlerësohet shumë e nevojshme afrimi pranë organit të prokurorisë të personave që kanë njohuri të posaçme në fushën kibernetike për të zhvilluar hetime të plota dhe komplekse lidhur me ndërhyrjet në sistemet e bankave dhe të institucioneve publike. Për këtë arsye, shumë shpejt pranë Prokurorisë së Përgjithshme do të ndërtohet një strukturë e posaçme lidhur me këto vepra penale. Konstatohet se është e nevojshme që ekspertë autoteknikë, kontabël, etj., të jenë pjesë e institucionit të prokurorisë. Kjo lëvizje pritet të japë rezultate më të shpejta dhe më pozitive në hetimin e rasteve që kanë nevojë për cilësi të lartë profesionale”, u shpreh Llalla.