Kumbaro:Frankofonia në Shqipëri, pasuri kulturore e përbashkët me vende të botës

68

MIRELA-KUMBARONë ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme u kremtua sot Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë, nën patronazhin e Kryediplomatit shqiptar, Ditmir Bushati dhe me praninë e mjaft personaliteteve frankofone shqiptare dhe të huaja, si dhe të trupit diplomatik.

Të pranishmit i përshëndeti Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila nënvizoi rëndësinë që ka Frankofonia për Shqipërinë, si një pasuri kulturore e përbashkët me shumë vende e popuj të botës dhe si instancë vlerash të përbashkëta.

Ajo ftoi të gjithë frankofonët e Shqipërisë të rrisin angazhimin e tyre të përditshëm në kuadër të Frankofonisë, në të gjitha fushat e kompetencës së saj, si dhe shprehu kënaqësinë dhe vendosmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në kuadër të projekteve të ndryshme.

Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe “Diploma Nderi” për personalitetet më të shquara frankofone të vitit 2014.

Nga data 20-29 mars priten rreth 100 aktivitete që do të zhvillohen, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Shkodër, Korçë, Fier, Elbasan, Durrës, Vlorë, etj. Pranvera e frankofonisë organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, si në Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar i Komedisë, Galeria Kombëtare e Arteve, por edhe me Bashkinë e Tiranës, Universitetin e Arteve, etj, Ambasada Franceze e ambasadat e vendeve të tjera frankofone, sjellin në Shqipëri artistë dhe ngjarje kulturore, për të mos u humbur.