Kukan: Tranzicioni i qetë i pushtetit politik do të forcojë proceset demokratike në vend

17

kukanEduard Kukan, Kryetar i Delegacionit Europian për Europën Juglindore ka deklaruar, se situata paszgjedhore në Shqipëri rezulton më e mirë se në të kaluarën.

Ai theksoi me anë të një deklarate për shtyp, se dëshiron t’i përgëzoj qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

E vizitova Shqipërinë së bashku me deputetët e tjerë për të vlerësuar situatën politike gjatë procesit zgjedhor. Ne u takuam me liderët e partive kryesore politike dhe patëm diskutime pozitive mbi rëndësinë që kanë zgjedhjet për demokratizimin dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mirëpres faktin që rezultati u njoh nga të dyja palët dhe liderët politikë komunikuan me mirësjellje me njëri-tjetrin”, – ka deklaruar Eduard Kukan.

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore vlerësoi, se beson fuqimisht që tranzicioni i qetë i pushtetit politik do të forcojë proceset demokratike në vend, diçka thelbësore për procesin e integrimit të vendit. Kukan deklaroi se dëshiron të shfrytëzojë këtë mundësi për të përgëzuar zotin Edi Ramen për fitoren e tij. Ai falenderon gjithashtu Kryeministrin, Sali Berisha për përpjekjet dhe sukseset e tij në zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën demokratike dhe europiane me të cilën njohu rezultatin e zgjedhjeve.