Kryeministri pret grupin e punës së BE për Ballkanin Perëndimor: Luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar

18

big_8-nentor-edi-ramaKryeministri Edi Rama priti dje në një takim, përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill (COWEB – grupi i punës për Ballkanin Perëndimor). Kryeministri Rama, pasi e njohu delegacionin me drejtimet themelore të programit të ri qeverisës, nënvizoi si sfida kryesore fuqizimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Kryeministri u shpreh se një klimë sa më tërheqëse për biznesin është përparësi dhe si një risi në këtë drejtim, Rama konsideroi institucionin më të ri që ka nisur funksionimin për herë të parë në vend, Këshillin Ekonomik Kombëtar. Kryeministri theksoi se qeveria do të udhëheqë përmes shembullit, ndaj do ta nisë me shlyerjen e të gjitha detyrimeve të trashëguara që ajo ka ndaj biznesit dhe më pas do të kërkojë angazhimin e tij.

Kryeministri vlerësoi këtë takim si të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, pas rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat.

Ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri theksoi se Shqipëria mirëpret mbështetjen e mëtejshme të vendeve anëtare BE-së.

Anëtarët e delegacionit e falënderuan Kryeministrin për pritjen dhe për prezantimin e reformave kryesore në zbatim, duke e vlerësuar takimin shumë të frytshëm.