Kryeministri u shpreh se një klimë sa më tërheqëse për biznesin është përparësi dhe si një risi në këtë drejtim, Rama konsideroi institucionin më të ri që ka nisur funksionimin për herë të parë në vend, Këshillin Ekonomik Kombëtar. Kryeministri theksoi se qeveria do të udhëheqë përmes shembullit, ndaj do ta nisë me shlyerjen e të gjitha detyrimeve të trashëguara që ajo ka ndaj biznesit dhe më pas do të kërkojë angazhimin e tij.
Kryeministri vlerësoi këtë takim si të rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, pas rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat.
Ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri theksoi se Shqipëria mirëpret mbështetjen e mëtejshme të vendeve anëtare BE-së.
Anëtarët e delegacionit e falënderuan Kryeministrin për pritjen dhe për prezantimin e reformave kryesore në zbatim, duke e vlerësuar takimin shumë të frytshëm.