Krishtlindja, Kryepeshkopi Anastas: Të përpiqemi për një shoqëri më njerëzore

59

anastas janullatosKryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uron përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoks për festën e Krishtlindjes.

“Në epokën tonë flitet shumë për dinjitetin e njeriut, por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore është ajo që mbizotëron në Krishtlindje. Se biri i perëndisë u bë njeri. Gjithashtu Krishtlindja na zbulon se Krishti erdhi të na transmetojë një jetë më të lartë, që shtrihet në përjetësi. Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës”, thuhet ne mesazhin e Kryepeshkopit.

Kryepeshkopi uron Krishtlindje të bekuara, me përpjekje të ndërgjegjshme për një shoqëri më njerëzore.

“Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhënë Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore. Në të njëjtën kohë, le të forcojmë respektin për jetën e njerëzve tanë, duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e minojnë atë. Le ta mbështesim me solidaritetin tonë. Krishtlindje të bekuara, duke u përpjekur për një shoqëri më njerëzore.”, -thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.