“Qeveria Rama të ulet paraprakisht, të hartojë një strategji të qartë për daljen nga kriza dhe sidomos në kontekstin e shërbimit ndaj biznesit të qartësojë afatet se kur do të shlyhen detyrimet që ka Qeveria dhe buxheti i shtetit ndaj sipërmarrjes private. Rritja është thelluar, gjatë dy muajve shkon nga 8 në 10 për qind; mund të shkojë 220-215 milionë euro një detyrim i cili parashikohet që mund të jetë ndaj sipërmarrjes për vepra publike dhe shërbime, pa futur shifrat e kompensimit tatim-fitim, TVSH-ja apo taksa te tjera që qeveria është e detyruar të likuidojë ndaj biznesit”, – ka deklaruar Nikolin Jaka për Top Channel.
Pas deklarimit të Jaka, vjen dhe reagimi i deputetit socialist Erjon Braçe, i cili thekson, se u ka kërkuar për dy vite rresht të dhënat mbi borxhin, që qeveria Berisha i ka biznesit dhe përgjigja e tyre ka qenë, se Berisha nuk u ka borxhe.
“E mbani mend shefin e Dhomës se Tregtisë së Tiranës? Quhet Nikolin Jaka. E keni dëgjuar ndonjëherë t’i thotë Sali Berishës ndryshe nga kryeministër? Tani i thotë kryeministrit të ri, thjesht Rama.
Jo vetëm kaq. Por tani kërkon me tërsëllëmë dhe paratë që Berisha ua mori borxh. E keni dëgjuar ndonjëherë të kërkojë pagimin e parave të papaguara nga qeveria e Sali Berishës? Kurrë! Nuk guxonte as ta mendonte. Kurrë nuk e dëgjova një herë të vetme në takimet e Berishës të kërkonte paratë.
Por, tani i ka ardhur goja dhe kërkon edhe afate për kthimin e parave. Dy vite me radhë harxhova për t’ju kërkuar këtyre të dhëna për paratë që Qeveria e Sali Beishës ju kishte pa paguar. ‘Jooooo, s’na ka borxh’-thoshin. Ndërkohë, me paratë e tyre paguanin punët elektorale të Sali Berishës. Ja këta janë. PS bëri t’u vijë goja”, -ka deklaruar Braçe në rrjetin social Facebook.