Pr/vendimi i dikton KQZ-së detyrimin që të organizojë hedhjen e shortit për të përcaktuar për çdo zonë zgjedhore partitë politike që do të kenë të drejtën të propozojnë anëtarët e tretë dhe të katërt të GNV-ve.
Neni 95 i kodit zgjedhor përcakton se anëtari i tretë i GNV-ve propozohet nga partitë politike të shumicës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV-ve për ZAZ-të respektive, sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të Kodit.
Partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve, përveç partive që propozojnë kryetarin dhe nënkryetarin e KZAZ-së, përcaktohen pas hedhjes së shortit në KQZ ndërmjet listës së partive politike të shumicës parlamentare dhe listës së partive politike të opozitës parlamentare të regjistruara në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë.
Në çdo rast, pas hedhjes së shortit për çdo ZAZ, të drejtën e propozimit për dy anëtarë të Grupit të Numërimit të Votave e ka një parti e shumicës parlamentare dhe një parti e opozitës parlamentare.
Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka fituar më shumë se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin renditet në listën e partive politike të shumicës parlamentare.
Partia Republikane, e cila ka fituar më shumë se dy mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare renditet në listën e partive politike të opozitës parlamentare. Ndërkohë, që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka fituar më shumë se dy mandate në zgjedhjet e fundit për Kuvendin, si pjesë e opozitës parlamentare, në zgjedhjet e 21 qershorit është regjistruar si pjesë e koalicionit të majtë.
Kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike, të cilët u shprehën kundër përfshirjes në grupin e numëruesve të maxhorancës, të përfaqësuesve të PDIU-së, pasi kjo do të prishte balancat në grupet e numërimit, duke i hequr opozites nje numerues.
“Nenet 95 e 96 të kodit zgjedhor garantojnë balancë në procesin delikat të numërimit të votave dhe prishja e kësaj balance i vë flakën zgjedhjeve dhe i fut thikë pas shpine procesit”, tha Ivi Kaso, ekspert ligjor i PD-së në KQZ.