Kosovë, studentët marshojnë sot në Prishtinë

12

studente prishtineStudentët në Kosovë  do të organizojnë sot një marshim i cili do të fillojë nga Qendra e Studentëve dhe do të bashkohet te Rektorati.

Marshi protestues do të fillojë në ora 12:00 me të njëjtat kërkesa, dorëheqja e menjëhershme e Rektorit, verifikimi i të gjithë titujve akademik prej vitit 1999 si dhe përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve.

Valton Marku, njëri nga organizatorët, është shprehur për mediat në Kosovë se ka shumë arsye se përse Rektori Gashi duhet të largohet ku njëra prej tyre është se në CV-në e tij, ka më shumë gabime sesa rreshta.

“Gjetjet e fundit që i kemi bërë, na kanë treguar që kjo CV e Rektorit Ibrahim Gashi, nga 83 rreshta i ka 84 gabime. Kjo më së miri tregon nivelin akademik që ka Rektori ynë Ibrahim Gashi. Ju ftojmë të gjithë, edhe njëherë pasi ky është problem më shumë se studentorë t’i bashkoheni marshit tonë protestues”, ka thënë ai.

Durim Jashari, një tjetër organizator, bëri të ditur që marshi, i cili do të mbahet sot, ka edhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

“Ne do të nisemi në ora 12:00 nga Qendra e Studentëve, përkatësisht konviktet. Ky marsh i studentëve do të kalojë nga Biblioteka Kombëtare, për t’u bashkuar me nisjen tjetër që do të bëhet nga sheshi ‘Skënderbeu’ ” me një pjesë tjetër të shoqërisë civile dhe qytetarë të tjerë që do të bashkohemi te Rektorati”, tha ai.