Konventa e PS, Rama: Fitorja jonë, plebishitare

61

rama-meta-aleatetPartia Socialiste ka mbledhur sot Konventën Kombëtare ku ka prezantuar aleatët e saj.

Konventën e përshëndeti përmes një letre edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i cili kërkoi rrotacion dhe fitoren e opozitës së bashkuar më 23 qershor.

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh se më 23 qershor do të mbyllet kapitulli i rrënimit. Ai ka theksuar se bashkimi i së majtës do t`i kthejë vendit të drejtën e qeverisjes nga shumica.

“ Ky bashkim ka vullnetin për të garantuar ndryshimin më 23 qershor dhe pas 23 qershorit. Zgjedhjet e 23 qershorit janë po aq historike e 22 marsit të 1992. Më 22 mars populli shqiptarë i dha një votë plebishitare ndryshimit  rrënjësorë për të mbyllur një epokë dhe hapur një kapitull të ri. Me një votë plebishitare populli shqiptarë do ta mbyll kapitullin e rrënimit me një votë plebishitare për Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Për ne është e rëndësishme, të mos harrojmë se 23 qershori, bashkimi ynë do t’i kthejë të drejtën natyrale për tu qeverisur nga shumica dërrmuese, dhe për të mos mbetur peng i një pakice” tha Rama.

Edhe ish-presidenti Rexhep Mejdani po ashtu kërkoi rrotacion politik dhe ndryshim më 23 qershor, pasi sipas tij, pas 8 vitesh në pushtet, maxhoranca është konsumuar.

“Kjo konventë le ti shërbejë objektivit të madh për rotacionin e qeverisë dhe ndryshimin e madh politik, që është më urgjente në këtë fazë të tranzicionit. Kërkohet një rinovim të energjisë pas një stërlodhje. Kërkohet një vendimmarrje e përbashkët politike për çështje kyçe, si punësimi, taksat, edukimi shëndetësia. Shqipëria ka nevojë për një politikë të tillë.  Bëhet më e domosdoshme vota e shqiptarëve për të realizuar këtë rotacion, dhe një bazë qeverisëse më solide, për të mos lejuar që ky vend të shndwrrohet në një vend varrezë plehrash” tha Mejdani.