Komisioni i Sigurisë, grup hetimor për SHISH

57

komisioni i siguriseKomisioni i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar mbi ngritjen e një grupi kontrolli për të verifikuar punën e Shërbimit Informativ Sekret.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet në orën 11:00’’ dhe ka në rend të ditës ngritjen e Grupit tё Kontrollit pёr SHISH me objekt “ verifikimin e ligjshmërisë sё Shkresës “sekret/Kёrkesёn Operative” nr. 1478, datë 2.12.2013, dërguar drejtorëve tё SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion mbi persona tё implikuar nё veprimtari antiligjore, tё emëruar nё pozicione drejtuese nё Policinë e Shtetit.”
Kujtojmë që një ditë më parë, Komisioni i Sigurisë Kombëtare realizoi një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika.
Sipas burimeve nga seanca dëgjimorë, mësohet se kryetari i SHISH ka theksuar se puna e SHISH ka qenë korrekte dhe sipas ligjit, ndërsa ka shtuar se sulmet ndaj shish janë cënim për sigurinë kombëtare. Ai tha se është dyfishuar shkëmbimi i informacionit me organet e tjera ligjzbatuese dhe shkëmbimi i informacionit me partnerët ndërkombëtarë në 2013 krahasuar kjo me informacionin e shkëmbyer në vitin 2012”.
Visho Ajazi Lika ka deklaruar se për shpërthimet e ndodhur në janar është përcjellë informacion nga SHISH drejt organeve të tjera ligjzbatuese. Po ashtu, në sajë të punës së SHISH është bere e mundur edhe arrestimi i 7 besimatarëve muslimane, të cilët po gjykohen sot për nxitje terrorizmi (Xhihadistët). Ai ka nënvizuar se është zbatuar plotësisht legjislacioni për punën operative të shërbimit.
I pyetur për informacionet që SHISH ka në lidhje me trafikun e drogës, mësohet se Lika i është përgjigjur duke thënë se nuk ka trafik të madh droge pa mbështetjen e strukturave shtetërore. Lidhur me përgjimet e supozuara në radhët e politikanëve dhe drejtuesve të policisë, kreu i SHISH-it tha se këto aludime janë tërësisht të pabaza. “Çdo vënie në përgjim të një shtetasi miratohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe jo nga SHISH.”, deklaroi Ajazi Lika.
Burime nga komisioni bëjnë me dije se Drejtori i SHISH është pyetur edhe në lidhje me emërimet, ku ai ka deklaruar se është zbatuar çdo pikë e ligjit, si dhe ka nënvizuar se shumica e të pranuarve kanë qenë ish-punonjës.