Kerry: Uashingtoni nuk kërkon konfrontim me Moskën

17

kerry1Një ditë pasi e paralajmëroi Rusinë se do të kishte “pasoja” nëse do të ndihmonte Snowdenin, sekretari Kerry tha se nuk është e nevojshme që kjo çështje të “çojë në konfrontim”.

Ai po përpiqet të ulë tensionin diplomatik,pasi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cilësoi akuzat se Rusia ka shkelur ligjet e Shteteve të Bashkuara ose ka konspiruar me Snowdenin “si absolutisht pa baza dhe të papranueshme”. Lavrov thotë se Moska nuk ka të bëjë fare me Snowdenin “apo me problement e tij me ligjin amerikan”.

Në një konferencë shtypi në Arabinë Saudite,  Kerri tha se megjithëse nuk ka një traktat dëbimi  mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ka “standarde të sjelljes mes shteteve sovrane”, siç u shpreh ai.

“Është respekti për sundimin e ligjit. Ne thjesht u bëjmë thirrje miqve tanë në Rusi të respektojnë faktin se një vend partner, bashkëanëtar pesëshes së përherëshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka bërë një kërkesë normale në kuadrin e sistemeve ligjore për respektimin e ligjit”.

Kerry tha se administrata Obama shpreson që Rusia nuk i shikon interesat e saj të lidhura me një njeri që ai e quajti “person që përpiqet t’i shmanget drejtësisë në bazë të standardeve ndërkombëtare të ligjit”.

“Ata nuk janë të detyruar të zbatojnë ligjin, por me siguri ata mund ta lejojnë atë të përgjigjet para ligjeve tona dhe kushtetutës tonë si shtetas i këtij vendi. Kjo është arsyeja që ne u  kemi kërkuar atyre ta ekstradojnë. Ne nuk synojmë të konfrontohemi me Rusinë. Ne nuk po i japim urdhër askujt”.

Kerry tha se Shtetet e Bashkuara “thjesht po kërkojnë nëpërmjet një procedure shumë normale transferimin e dikujt”, pikërisht siç kanë vepruar Shtetet e Bashkuara me shtatë rusë gjatë dy viteve të fundit.

“Pa bërë zhurmë. Pa asnjë lloj iritimi. Pa asnjëlloj përplasje, por me sensin e korrektesës në plotësimin e kërkesës së tyre. Është pikëtisht kjo që ne shpresonim në këtë rast”.

Të martën, ndërkohë që ishte për vizitë në Finlandë, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin hodhi poshtë akuzuat se Rusia po shkel ligjin në këtë rast si “të pakuptimta dhe të ulta”.

Putin tha se ai nuk do ta ekstradojë Snowdenin sepse ai nuk ka shkelur ndonjë ligj në Rusi. Ai tha se Snowden është njeri i lirë dhe sa më shpejt që ai të vendosë të largohet nga Moska, aq më mirë do të jetë për atë dhe Rusinë.

Putin tha se Snowden nuk ka punuar asnjëherë për agjencitë ruse të sigurimit dhe shpreson që kjo çështje nuk do të prekë marrëdhëniet me Uashingtonin.

Snowdeni i dha informacion shtypit se zbulimi amerikan kishte mbledhur për vite me radhë tabulatet telefonike dhe komunikimit në internet. Ai deklaroi publikisht se ishte i bindur se kjo ishte shkelje e privatësisë së qytetarëve.