Kaçin: Opsioni i BE-së për Kosovën, zgjidhje e përkohshme

47

jelko-kacinRaportuesi special i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kaçin ka deklaruar se pozicioni aktual i BE-së ndaj Kosovës për  status neutral është një zgjidhje e përkohshme kompromisi dhe se ai nuk hyn në atë se “kur dhe cila do të jetë zgjidhja përfundimtare”. Gjatë një interviste, Kaçin ka thënë se Serbia para se t’i bashkohet BE-së patjetër duhet të ndryshojë kushtetutën siç kanë bërë vendet e tjera, si dhe Sllovenia.

Në pyetjen direkt se a do të thotë kjo se Serbia patjetër duhet të heqë dorë nga territori i Kosovës, Kaçin tha se përgjigjen për këtë pyetje e di, por duke marrë parasysh funksionin që ushtron, nuk është në situatën që të përgjigjet.

“Unë Jelko Kaçin, prej kohësh e di se Kosova është e pavarur dhe se nuk është pjesë e Serbisë. E di se vendi im prej kohësh e ka njohur Kosovën e pavarur dhe se për këtë shkak është djegur ambasada e Sllovenisë në Beograd dhe se Serbia për këtë do ta paguajë kompensimin. Unë, Jelko Kaçin, si nënkryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore respektoj situatën aktuale dhe pozicionin e Bashkimit Evropian i cili ka qëndrim neatral ndaj çështjes së Kosovës”, ka thënë Kaçin. Ai ndërkaq pohon se kjo është një zgjidhje e përkohshme kompromisi.