Në një analizë për Financial Times, ‘ Kroacia provon se Brukseli e ka transformuar Ballkanin’, analisti i Ballkanit Tim Judah, hedh një vështrim mbi vendet e Ballkanit.
Ai vlerëson se një faktor i rëndësishëm për sa i përket Kroacisë është edhe arrestimi i bujshëm i zyrtarëve të lartë kroat për akte korrupsioni, si rasti i ish Kryeministrit kroat Ivo Sanader dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët tashmë gjenden në burg duke krijuar përshtypjen se peshqit e mëdhenj nuk janë të paprekshëm.
Kjo situatë ka reflektuar edhe në Mal të Zi, ku presionet e BE-së janë të larta përballë ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në akte flagrante korrupsioni. Judah përmend rastin e incizimit audio, në një çështje të madhe korrupsioni në Mal të Zi, ku zyrtarë të lartë të partisë në pushtet ishin incizuar duke diskutuar, se si do i manipulojnë fondet shtetërore dhe se si do të manipulojnë procesin zgjedhor për të fituar kandidati i tyre.
Judah, kthen vëmendjen për një moment edhe mbi Shqipërinë:
“Merrni rastin e Shqipërisë. Më 2009 Edi Rama, lideri i partisë Socialiste, akuzoi Sali Berishën se kishte vjedhur zgjedhjet atë vit. Vitin e kaluar, pas skandalit të korrupsionit, katër demonstrues u vranë nga dritaret e zyrës së z. Berisha nga Garda Kombëtare. Z. Berisha akuzoi Ramën, se po përpiqej të bënte një grusht shteti. Rezultati i gjithë kësaj ishte, se u ndal procesi i integrimit.
Muajin e kaluar, Shqipëria mbajti të tjera zgjedhje. Z. Rama fitoi ndershëm dhe qartë. Z. Berisha nuk i kontestoi dhe dha dorëheqjen. Ky rezultat reflekton edhe faktin se njerëzit u lodhën me të, por ndjesia ishte se vendi u bllokua dhe procesi i integrimit europian ishte një kriter për të matur bllokimin e vendit. Shqipëria tani ka mundësi të mira për t’u bërë një kandidat zyrtar për anëtarësimin në BE nga fundi i këtij viti“,- ka vlerësuar analisti Judah.