Ish ministrat borxhlinj te bankat

83

kabineti berisha fotoPjesa më e madhe e ministrave të qeverisë Berisha janë zhytur në borxhe ndaj bankave. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për kredi konsumatore, por për kredi të marra nga bankat për të blerë shtëpi të tjera. Nga një hulumtim i organizatës “Mjaft!”, rezulton se pjesa më e madhe e ish-anëtarëve të qeverisë “Berisha” nga viti 2009 deri në vitin 2011 i janë drejtuar bankave për të marrë hua me qëllim investimin e tyre në pasuri të paluajtshme. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë vitit 2009 ka marrë dy kredi në bankat e nivelit të dytë. Më konkretisht 1,772,000 lekë  dhe 26,123 EURO. Por, borxhi nuk e ka penguar ministrin më statik të qeverisë Berisha që të tërheqë edhe një tjetër kredi për apartament, marrë nga Enti Kombëtar i Banesave, në shumën 1.520.000 lekë si dhe kredi në euro, marrë në vitin 2007 me gjendje 20.109 euro. Gjatë këtij viti, ministri i Financave ka përfituar 1.823.232 lekë (paga dhe shpërblime) si dhe të ardhura nga interesat bankare 288.000 lekë. Edhe ish-Ministri i Punës Spiro Ksera, është detyruar që të marrë hua nga banka për blerje apartamenti,në shumën 4.818.871 lekë. Ndonëse kaloi një vit në vështirësi ekonomike, të ardhurat kanë qenë të kënaqshme për ministrin Ksera, i cili gjatë vitit 2011 ka pasur në llogarinë rrjedhëse 660.841 lekë si dhe ka shtuar në depozitën e bashkëshortes e krijuar nga të ardhurat nga  pagat 1.200.000 lekë. Të ardhurat e tij personale si ministër kanë qenë 1.658.322 lekë, kurse të bashkëshortes 643.452 lekë. Edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami duket se nuk ka mundur që të përballojë blerjen e një shtëpie, pa ndihmën e kredisë.

Dy vjet më parë ai ka marrë kredi për strehim, gjendjen 2,985,765 lekë. Katërvjeçari i fundit ka qenë mjaft frytdhënës për ish-ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu. Në vitin 2009 gjendja cash ka qenë 300,000 lekë , një llogari me 8,200,000 Lekë si dhe 55,000 EURO. Ndërsa në vitin 2011, ish-ministri Mediu ka pasur kredi për t’u shlyer, me vlerë 3,562,144 lekë; kredi te BKT për t’u shlyer me vlerë 242,598.41 euro si dhe detyrime ndaj një kompanie private për blerje apartamenti me vlerë 21,000 euro. Po gjatë këtij viti ka fituar të ardhura nga shitja e apartamentit tek “Shallvaret” me sip. 226 m2, me vlerë 220,000 euro, të ardhura nga paga si Ministër me vlerë 1,614,237 lekë, të ardhura nga dieta me vlerë 3,605 euro dhe 2,525 usd si dhe të ardhura nga qiraja e banesës në bul. “Zhan D’Ark”, me vlerë 8,100 euro. Si total të pasurisë të luajtshme apo të paluajtshme gjatë këtij viti, Mediu ka pasur pagesë për apartamentin me sip. 149.7 m2 me vlerë 54,433 euro, kontratë me ALUIZNI-n për kalim trualli në Komunën e Golemit me vlerë 2,803,800 lekë, bono thesari 2,700,000 lekë të reja si dhe ka kryer investim në obligacione në vlerën e 5,600,000 lekë të reja. Në kredi është zhytur edhe ish-ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili gjatë 8 viteve të qeverisë Berisha ka mbajtur edhe postin e ministrit të Ekonomisë. Gjatë vitit 2011 ai ka ndërtuar një shtëpi me sip. 468m2 në truallin me sip. 612 m2.

Për ndërtimin e saj janë përdorur 150.000 euro kredi e BKT+80,000 dollarë paradhënie+8,000 euro nga shitja e 43 kuotave tek një bankë + 100,000 USD depozita ISP+25,000 euro nga shitja e makinës. Në vitin 2009, Ruli, një nga ministrat me jetëgjatësinë më të madhe në detyrë, ka pasur në pronësi dy autovetura me vlerë 28,000€ dhe 22,000 €, një apartament 90 m2, i privatizuar 1/3 me vlerë 30,000 lekë, shtesë banese 70 m2,  viti 1995 (1/3) 1,300,000 lekë, apartament 60 m2, në Qerret të Kavajës me vlerë  6,000,000 lekë si dhe sip. toke 612 m2 (gruaja) 30,600€. Ndërsa ish-Ministri i Transporteve Sokol Olldashi në vitin 2009 ka pasur një shtëpi 122 m2 me vlerë 5,400,000 lekë, autoveturë 12,000 euro, depozitë dhe cash 1,400,000 , si dhe likujditete 9,000 € dhe 700,000 lekë.  Ashtu sikurse kolegët e tij ministra, edhe ish-ministri i Transporteve ka qenë i detyruar që të marrë kredi për të investuar në pasuri të paluajtshme. Në raport evidentohet se për vitin 2011, ministri Olldashi ka shtuar pasuri, vilë e tipit dupleks me sipërfaqe 151.37 m2, me vlerë 57.000 euro në Gjirin e Lalzit. Kësti i parë i shlyer në momentin e lidhjes së kontratës dhe kësti i dytë është shlyer brenda datës 31.12.2012. Sqarime( pagesa e këstit të parë prej 30.000 euro është kryer nga kursime në vite me burim paga. Ndërsa për ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, viti 2011 nuk ka qenë tepër i mbarë, pasi i është dashur që të punojë për të shlyer kredinë e marrë vite më parë. Financat e tij familjare kanë qenë të kënaqshme në vitin 2009, ku në deklaratën e tij të pasurisë është regjistruar shitja e apartamentit 60 m2 në Golem 38,200 € (50%), një truall në komunën Dajt 200 m2, 830 USD, apartament në Tiranë (deklarimi është i vitit 2003) 38,000 USD, apartament po në Tiranë 23,000 USD si dhe në Durrës me vlerë 70,000 € (50%). Ndërsa në vitin 2010, ka blerë apartament në Qerret të Kavajës me sip 130 m2 me vlerë 70.000 euro. Edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu nuk ka pasur ndryshime në pasurinë për vitin 2011, ndërsa në vitin 2009 ka pasur apartament 137 m2 Tiranë me vlerë 5,000,000 lekë dhe një apartament 56 m2. Për vitin 2010, familja Bregu ka shtuar një apartament 200 m2 + verandë në Rr.Devish Hima në bashkëpronësi, ka paguar 80.000 lekë nga totali 2 milion e 500 mijë lekë për pagesën e parë të një shtëpie druri në ishull Lezhë, sip 50m2, ndërtim provizor. Ministri Tafaj ka shtuar pasuri në vitin 2010, ku ka blerë truall për shtëpi banimi, Lagjia Kodra e Priftit/ Tiranë sip. 400m2 me vlerë 6.800.000 lekë, ka nisur ndërtimin e themeleve  për shtëpi banimi me sip.110m2, me vlerë 750.000 lekë, ka blerë apartament nga e bija në Gjermani me sip. 48 m2 me vlerë 95.000 euro, ndërsa ka shitur autoveturë personale në vlerën 400,000 lekë. Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, gjatë vitit 2011, ka marrë një kredi për shtëpi për 25 vjet, me vlerë 4.521.000 lekë, ndërsa ka deklaruar vetëm disa shitblerje autoveturash gjatë katër viteve të fundit.

Berisha më i varfër se ministrat, pasuria e Topallit shtohet  

Edhe pse kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se vendi ka vetëm rritje ekonomike, është reflektuar së paku në familjen e tij. Në total pasuria e tij cash për vitin 2011 është llogaritur 1.000.000 lekë. Sipas raportit, të ardhurat e tij personale kanë qenë nga paga dhe shpërblimet 2,277,388 lekë. Dieta për udhëtimet jashtë vendit 720 euro + 800 USD. Të ardhurat familjare përfshijnë për vitin 2011, pensionin e bashkëshortes 296,862 lekë. Paga e vajzës nga Fakulteti i Drejtësisë ka qenë 1,066,498 lekë, si pedagoge në fakultetet private dhe ekspertiza 8,434,664 lekë dhe 35,015 euro.  Pagesa nga ekspertiza dhe mësimdhënie në shkollën e Magjistraturës 47,520 lekë, ndërsa janë edhe tre objekte të dhëna me qira. Të ardhurat e djalit të ish-kryeministrit Berisha nga aktiviteti si person fizik (konsulenca juridike) kapin vlerën 1,824,680 lekë. Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2010 , ka regjistruar blerjen Apartament në bashkëpronësi të vajzës dhe bashkëshortit me sip. 195 m2 dhe vlerë 200.000 euro. Gjatë këtij viti janë hapur disa llogari bankare. Janë dhjetë llogari bankare të hapura në emër të çiftit Berisha.  Në vitin 2010, në deklaratën e kryeministrit është regjistruar apartament në bashkëpronësi të vajzës dhe bashkëshortit të saj me sip. 195 m2 dhe vlerë 200.000 euro, kurse në vitin 2009,  shtim sip.65 m2 Rr.Mustafa Matohiti 70,000 €, apartament i ri ne Rr. Mustafa Matohiti, si dhe një sasi lekësh cash.

Pasuria e Topallit

E përsa i përket pasurisë së ish-Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, vitet e qeverisjes së PD-së mund të konsiderohen vite të lulëzimit ekonomik. Në vitin 2009, kryeparlamentarja do të blinte autoveturë 5,000 €, apartament në Shëngjin 3,300,000 lekë, apartament 50 m2m (30,000 €) si dhe tokë në Velipojë në emër të vajzës 1,000,000 lekë. Nga kursimet familja e kryeparlamentares do të kursente edhe 1,400,000 lekë cash. Të ardhurat e saj nga paga dhe shpërblime si kryetare arritën në 3,114,910 lekë, kurse të ardhurat e familjes janë rritur nga qiratë 13,000 €, të ardhura si Noter  640,000 lekë si dhe të ardhura nga kompensimi si familje e përndjekur politike 1,600,000 lekë. Një vit më pas, familja e kryeparlamentares do t’i gëzohej blerjes së një trualli prej 670 m² në Malësinë e Madhe me vlerë 5.200.000 lekë. Në vitin 2011,  ka restauruar dhe ngritur katin e pronës familjare me vlerë 3,500,000 lekë në emër të Ndoc Topallit. Familja e ish-kryeparlamentares ka shtuar në llogarinë rrjedhëse shumën 1,454,115 lekë si dhe gjendja cash nga kursimet familjare është rritur me vlerë 800,000 lekë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Lartë të Pasurive nuk ka dhënë asnjë afat për sa i përket kohës në të cilën pasuritë e zyrtarëve të lartë për vitin 2012 do të bëheshin publike. Në konferencën e mbajtur në fillim të këtij muaji kur u hodh shorti, kryeinspektorja Zana Xhuka theksoi se ky kontroll mund të bëhej dhe në vitin 2014, pasi viti i punës së këtij institucioni, nuk ishte një vit normal kalendarik, por nis në 31 mars dhe përfundonte në 31 marsin e vitit tjetër. Nuk dihet ende se pse kjo procedurë shtyhet, por ajo që dihet lidhet me faktin se drejtuesja e këtij institucioni po i mban larg medias dhe publikut deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë për 2012-n.  Sipas ligjit nr.9049 “për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive”, kontrolli i plotë kryhet edhe në rastet “kur ka mospërputhje, që rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit”. Kjo logjikisht të çon në argumentimin se kontrolli logjik e aritmetik, duhet t’i paraprijë kontrollit të plotë dhe jo e kundërta.

Mashtrimet me prezencën, miliona dëme Kuvendit

Sipas raportit të “Mjaft!”. një dukuri e evidentuar gjatë periudhës së monitorimit shtator 2009 – maj 2013 i referohet disa rasteve ku në procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, të publikuara në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, nuk paraqitet prezenca e saktë e anëtarëve të komisioneve të përhershme parlamentare.  “Janë konstatuar 132 raste të ndryshimit të prezencës së deputetëve në mbledhjet e komisioneve. Nga shkelja e këtij neni derivojnë dy shqetësime: a) kosto financiare fiktive për parlamentin, pasi paguhen deputet të cilët nuk kanë qenë të pranishëm, pra nuk kanë kryer funksionin e tyre: b) zhvillimi i mbledhjeve të pavlefshme, në kushtet e mungesës së kuorumit. Për këto shkelje të konstatuara nga skuadra e monitorimit, në të gjitha rastet, ekzistojnë evidenca me fotografi. Kostot financiare për 582 emrat e shtuar në lista krijojnë një dëm financiar prej: 1,455,000  lekë”, thuhet në raport.

Pasuria e Bujar NishanitI detyruar për të larë kredinë gjendet edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Gjatë vitit 2011, kreu i shtetit ka marrë kredi për apartament me vlerë për t’u shlyer prej 4,255,214 lekë. Gjithashtu, ka marrë kredi për shtëpi me vlerë 120,000 euro, ndërsa ka paguar 18.500 euro për studimet e fëmijëve të tij. Në atë kohë, Nishani ka qenë ministër ku ka marrë pagën me vlerë 1,656,000 lekë, honorare si anëtar i KLD-së me vlerë 81,000 lekë, të ardhura nga KRTRSH me vlerë 54,000 lekë, të ardhura nga shpërblimet me vlerë 9,000 lekë, të ardhura nga qira e dyqanit në Durrës me vlerë 720,000 lekë + 12,000 euro si dhe të ardhura nga dhënia me qira e një apartamenti në Durrës me vlerë 600,000 lekë. Në vitin 2010, pasuria e tij e paluajtshme nuk ka njohur ndonjë ndryshim, ndërsa në vitin 2009, ka blerë shtëpi banimi 152 m2 në Selitë me vlerë 5,000,000 lekë, një autoveturë 3,500 € si dhe gjendjen cash 1,700 €. Ndërsa bashkëshortja e kreut të shtetit në vitin 2011, kanë përfituar nga paga 995,064 lekë, shpërblimet me vlerë 9,000 lekë si dhe nga paga si anëtare e KMB të PSH me vlerë 243,600 lekë.