Iris, je një idiote

67

grua qe qanNga  Ermal Petushi

Unë nuk të njoh! Nuk isha as në dijeni të ekzistencës tënde deri në momentin kur veprimi yt idiot i dha material shtypit për të paktën dy javët e ardhshme, por të kam xhan gjithsesi!

Iris, po flasin për ty, të gjithë po flasin për ty. Po të përgojojnë, për shkak se mediat po bëjnë atë që bëjnë zakonisht, spekullojnë. Po të qajne e po të qeshin! Por ty s’të intereson kjo, aspak!

Iris, je një idiote!

Thonë se e bëre për shkak të një pedagogu sadomaz që masturbon egon e tij të dhjerë prej vitesh në Fakultetin Ekonomik. Një nga ata të dhimosurit, një nga ata maçot me mitër, fama e të cilëve ka kaluar kufijtë e Shqipërisë prej shumë kohësh! Nga ata që ejakulojnë mendërisht duke ngelur studentet, dhe ti, ti je një prej atyre fatkeqëve.

Je një prej tyre, je një prej nesh. Iris nuk je vetëm o zemër!!!

Jeta është më shumë se një notë kaluese në provim, është shumë më shumë se një copë kartoni e plastifikuar që një ditë do zërë vendin e një piktureje në murin e zyrës tënde. Jeta ka vlerë por s’ka çmim , këtë nuk jua mësojnë në fakultet. Nuk dua të besoj se ishte ky shkaku…

Iris, je një idiote!!

Thonë se e bëre për shkak të ndarjes më të dashurin. E ke parë veten në pasqyrë o mrekulli?! Bukuria jote sublime do të justifikonte edhe narcizizmin tënd në qoftë se do ishe e tillë, por ti modestisht, dukesh që e ke evituar gjithmonë pasqyrën. I dashuri, ok, duhet të ketë qënë gay që të lëjë t’ikë nga duart një kryevepër të natyrës si ti, por s’prish punë! Meshkuj ka plot, që nuk janë të verbër, që nuk janë gay, që nuk janë legena e as qerosa me X6. Ata po kërkojnë një femër si ti, po gërrmojnë, por ti zgjodhë mënyrën për më të keqe për tu rënë në sy atyre. Nuk dua ta besoj se ishte ky shkaku…

Iris, je një idiote!!!

Thonë se e bëre për shkak të divorcit të prindërve të tu! Gjëra që ndodhin, dashuritë shterojnë por respekti ngelet. Ҁdo gjë merr fund një ditë, edhe dashuria, përveç një lloji specifik dashurie. Ajo mes prindit dhe fëmijës! Të kanë dashur, më shume se njëri-tjetrin, të duan, më shumë nga ç’kanë dashur prindërit e tyre, do të të duan përjetësisht, më shumë nga sa duan veten! Por ti ike, egoiste! Ike dhe për pak sa s’tërhoqe gjithë familjen pas teje. Ti luan me zemrat e njerëzve! Zemra e tët’eti pushoi për pak kohë, infrakti e dobësoi atë. Zemra e nënës tënde e shtriu atë përtokë, sfigmomanometri u çmend teksa i maste asaj tensionin. Zemra e re e vëllait tënd….duroi, por shpirti dhe mendja e tij jo. Edhe ai përfundoi në spital. Si mund t’ia bësh këtë atyre, si guxon t’ia bësh këtë vetes, egoiste! Nuk dua ta besoj se ishte ky shkaku…

Thonë se ishin të gjitha këto bashkë që ndikuan. Që është faji i sistemit, faji i shoqërisë ku jetojmë ….faji, por faji ngelet gjithmonë jetim. Nuk dua të besoj asnjë prej versioneve, edhe në qoftë se të gjitha do ishin të vërteta! Zgjodhe rrugën e gabuar për tu ngjitur në qiell, ashensori i “sky tower” nuk ishte drita në fund të tunelit. Iris si munde të flakësh tutje të vetmen gjë të shtrenjtë qe ka çdokush prej nesh, jeten?! Iris si guxove….si?!! Të kuptoj por s’dua të kuptoj!

Nuk ta fal!

***

Fustani yt i nusërisë shndërrin, një hiç në krahasim me shkëlqimin e syve të tu.Fytyrën, të kanë mbuluar fytyrën e ëmbël, asfalti e hidhëroi atë. Arkivoli yt i bardhë prin lumin e zi të lotëve që po të përcjellin. Mes tyre edhe lotët e atyrë që do u thahen sot në darke sapo të filloje botërori i futbollit. Mes tyre edhe lotët e atyre që me indiferënce kronike, të dhane një të shtyrë, ndoshta sot të penduar. Lotët e tyre, sot, s’kanë më vlerë…

Iris, je një idiote, por tashmë më duhet të them ishe!

Idiote e vogël, të kam xhan, edhe pse s’të njoh!!

Të përqafoj fort, kudo që ndodhesh!!!