Haxhinasto: Protesta e drejtuesve të furgonave u politizua

57

haxhinastoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi sot se qeveria është e vendosur për të zbatuar ligjin, i cili parashikon që furgonat 8+1 të punojnë vetëm si taksi dhe jo si shërbim ndërurban. Gjatë një deklaratë për shtyp, Haxhinasto komentoi edhe praninë e deputetëve të opozitës në protestë. Sipas tij, deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe duhet të jenë të parët që duhet të zbatojnë ligjin. Nëse ata mendojnë, vijoi Haxhinasto, se ky ligj nuk qëndron, deputetët duhet të paraqesin amendimet e tyre. “Deputetët e opozitës nuk janë aty për asnjë arsye tjetër, përveçse për të politizuar dhe përdorur protestën e tyre për qëllime polike në gjykimin tonë”, deklaroi Haxhinasto.
Lidhur me protestën e drejtuesve të furgonëve 8+1, Haxhinasto tha se qeveria është e vendosur për të zbatuar ligjin. “Ky është një detyrim ndaj qytetarëve dhe atyre që kanë humbur jetën në aksidente tragjike”, deklaroi Haxhinasto, duke theksuar se qeveria nuk po fshihet pas problemit.
Detyra jonë, vijoi ai, është të zgjidhim problemin dhe t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve, t’u japim atyre standarde të larta sigurie dhe mirëqënie.
Sipas tij, nëse ata kanë licence për taksi dhe ndërkohë punojnë si transport ndërurban, diskriminohen 5500 pronarë të transportit ndëurban që janë të licencuar. “Nëse ata kërkojnë të punojnë në këtë transport, le të plotësojnë dokumentacionin dhe standardet për të punuar si transportues ndërurban. Drejtues të furgonave 8+1 protestuan sot ndaj vendimit të qeverisë për të eliminuar transportin ndërurban me furgonat 8+1.