Greqia e gatshme të bisedojë me Maqedoninë për emrit

57

Evangelos VenizelosShefi i diplomacisë greke Evangelos Venizelos ka mbyllur vizitën e tij në Shkup, në cilësinë edhe të kryesuesit të presidencës së BE-së. Greqia po kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Maqedoninë, dhe madje është e gatshme të hyjë në bisedime edhe për njohjen e emrit. Të paktën kjo ka qenë ajo çfarë kryeministri grek ka lënë të kuptohej sot, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup dhe në deklaratat e tij, të bëra përpara medias vendase.

Venizelos ka deklaruar se Greqia është e gatshme të zhvillojë bisedimet me Shkupin për çështjen e emrit, si dhe të përmirësojë edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

“Greqia është dera hyrëse për aspiratat euroatlantike të vendit tuaj, ne jemi vend mik dhe fqinj i mirë. Në takimet me përfaqësuesit qeveritarë kemi konkluduar se lidhur me kontestin e emrit duhet të vazhdojnë bisedimet nën mbikëqyrjen e OKB-së dhe të ndërmjetësit Metju Nimic. Mund të them se kam një ndjenjë personale se Shkupi zyrtar, por edhe përfaqësuesit e sektorit civil janë shumë të disponuar për përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ashtu si ata, edhe ne jemi të gatshëm për të përmirësuar dialogun që nuk përfshin vetëm kontestin emrit, por edhe përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike”, -u shprehVenizelos në konferencën përmbyllëse në Shkup, raporton “INA”.

Për sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Venizelos tha se që të ndodhë ky proces, Maqedonia duhet të zbatojë rregullat e Kopenhagenit dhe të BE-së, për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët.

“Unë i kam shprehur qartë qëndrimet që kemi sjellë në Këshillin e Ministrave të BE-së. Nëse vendi juaj dëshiron të bëhet vend anëtar i BE-së, duhet plotësuar kriteret e Kopenhagenit, por edhe rekomandimet e BE-së, për përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, -theksoi shefi i diplomacisë greke, duke shtuar se Shkupi nuk ka problem fqinjësor vetëm në relacionet me Athinën, por edhe me Sofjen.

Kreu i shtetit që është kryesues i presidencës së BE-së, i bëri të qartë Shkupit zyrtar se kur Maqedonia të jetë pjesë e BE-së, atëherë rajoni i Ballkanit do të jetë i qëndrueshëm dhe do të zhvillohet më mirë.

Para mbylljes së vizitës, Venizelos takoi kryeministrin Gruevski, i cili iu shmang konferencës me gazetarët.