Gabimet e hetimit për vrasjen e komisarit

83
Foto, K
Foto, Dritan Lamaj

Natyrisht, në një vend të komplikuar dhe të vogël, si Shqipëria, disa ngjarje përfundojnë të bëhen pjesë e një sistemi, po aq të komplikuar dhe përdoren politikisht. Kjo faktikisht, duhet të mos ekzistonte, për të lënë të qeta organet dhe profesionistët përkatës, që merren me hetimin dhe analizimin e ngjarjeve të tilla. Kjo në Shqipëri nuk ndodh.

Por të kthehemi tek ngjarja. Tronditëse për publikun dhe shtetin, sepse u vra një person i lartë i policisë, një person i cili duke përfaqësuar shtetin, kishte detyrë mbrojtjen e rendit dhe të jetës së qytetarëve. Një analizim nga jashtë faktikisht është i pamundur, sepse nuk kemi elemente dhe prova, në të cilat mund të bazohemi, nuk mund të akuzojmë apo të bëjmë gosip sikurse bëhet rëndom në kafe apo gazeta. Natyrisht të vritet një person në Tiranë, me breshëri arme automatike, është një fakt, që tregon brutalitetin dhe vendosmërinë, për ta kryer një krim të tillë. Krim ky, që u bë me një logjistikë dhe përgatitje. Një makinë, që rezulton e vjedhur, por fatkeqësisht arrin të lëvizë lirshëm nëpër Durrës-Tiranë, për tre ditë, pa asnjë lloj problemi, apo kontrolli nga ana e forcave të rendit (makina rezulton e vjedhur me denoncim të rregullt në polici). Ajo që na jep dyshim është që janë studiuar lëvizjet dhe jeta e Lamaj, apo diheshin lëvizjet e sakta të tij?  Nuk mendoj që një drejtues i tillë, për shkak të punës, që bën, nuk do të arrinte të kuptonte, apo të reagonte nëse do kishte sadopak shkak, apo motiv. Sot me teknologjinë, që përdoret në vendin tonë, nuk është e vështirë të nxirren elemente dhe prova për verifikimin e dëshmive te dëshmitarëve okularë apo alibive të të dyshuarve. Pra ekzekutorët material, dinin dhe njihnin mirë personin, figurën dhe lëvizjet që bënte, nuk kishin problem praninë e dëshmitarëve, sepse zona ishte e banuar, kjo do të thotë që kishin planifikuar në detaj, çdo gjë. Të largohesh nga Tirana, pa arritur të kapesh, është vërtetë faktike e gjendjes në të cilën organet e policisë dhe strukturat përkatëse punojnë dhe veprojnë. Studimi dhe analizimi i vendit të ngjarjes, duhet bërë nga profesionistë dhe ekspertë, jashtë rrethit profesional (nuk duhet të futen aty kolegë ose të afërt, për arsye jo objektiviteti) të viktimës në këtë rast. Kjo, sepse vendi i ngjarjes është situata më e rëndësishme, për mbledhjen e provave, për ti kaluar në analizim të plote dhe pasur një drejtim apo rrugë të qartë hetimi. Mjafton një lëvizje e vogël, për të futur hetimin në një tunel pa fund. Megjithatë, ka prova me të cilat, mund të punohet nga vendngjarja: kalibri i armës/ve, ekspertiza e plotë, distanca, mënyra e ekzekutimit, përputhja e dëshmive okulare me provat e mbledhura dhe analizuara nga vendngjarja, si dhe përputhja e alibive të të dyshuarve, në një moment paraprak. Organet kompetente, duhet të krijojnë një punë operative për një kontroll të zonave, rrugëve, mjeteve edhe mbi baza paraprake, duke pasur parasysh figurën e komisarit dhe motivet për të cilat ai u vra. Nuk mendoj që askush nuk dinte gjë rreth tij, pra nëse ka dyshime behet verifikimi direkt dhe ndalimi i të dyshuarve, nëse nuk janë larguar në drejtim të paditur. Ekspertiza e telefonave lëvizja, përmbajtja e telefonatave dhe mesazheve si të të dyshuarve ashtu edhe viktimës, janë një tjetër element për analizim të menjëhershëm. Kalohet jeta private dhe profesionale në analize të detajuar. Në Shqipëri, ndodh që personi, që ka folur i fundit me viktimën të bëhet publik nëpër gazeta dhe media të tjera, kjo sepse ka shumë mosfunksionim të strukturave dhe joprofesionalizëm, si në organet hetimore ashtu edhe në ato përndjekëse, duke venë në rrezik jetën e tyre. Sigurimi i provave të vendngjarjes, dëshmitarëve, dëshmive, alibive, janë një proces delikat dhe që duhet të jenë të rezervuar dhe sekret, deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes. Mund të jenë në dijeni, vetëm palët e interesuara pa cënuar hetimin.

Faktikisht, është e qartë, se, ne na duhet të përforcojmë disa ligje, të rrisim kontrollet për vartësit e shtetit , të vihen në dispozicion ekspertë në fushat specifike, të rritet kapaciteti operativ dhe logjistik i policisë dhe më e rëndësishmja, të gjitha këto struktura të jenë të pavarura nga politika.