G8, Obama e Putin: Jemi kundër dhunës

59
Foto nga takimi Obama-Putin (Kevin Lamarque, Reuters/Contrasto)
Foto nga takimi Obama-Putin (Kevin Lamarque, Reuters/Contrasto)

Luftime intensive u zhvilluan në qendër të Damaskut dhe në Alepo, në të njëjtën ditë kur udhëheqësit e G8-s u mblodhën në Irlandën e Veriut.

Presidentët e SHBA-ve dhe Rusisë kanë pranuar, gjatë Samitit se ata kanë qëndrime gjerësisht të ndryshme mbi Sirinë, por pranuan të organizojnë një tjetër Samit në Gjenevë.

Pas bisedimeve kokë më kokë, Barack Obama dhe Vladimir Putin thanë se ndajnë dëshirën e përbashkët për t’i dhënë fund dhunës. Gjithashtu, të dy ata thanë se ishin optimist për Iranin, pas zgjedhjeve presidenciale atje.

Putin dhe Obama u takuan së bashku për rreth 2 orë, për të diskutuar për Sirinë gjatë këtij Samiti. Të dy ata u shfaqën të tensionuar, ndërkohë që po u adresoheshin gazetarëve pas takimit, teksa presidenti rus shihte vazhdimisht dyshemenë.

“Pozicionet tona nuk përputhen tërësisht, por ne jemi të bashkuar mbi qëllimin për t’i dhënë fund dhunës, për të ndalur numrin e viktimave në rritje në Siri, për të zgjidhur problemet në mënyrë paqësore, përfshi edhe bisedimet e Gjenevës” tha Putin.

Obama shtoi se dy liderët kishin udhëzuar ekipet e tyre për të nxitur më tej përpjekjet për organizimin e konferencës së paqes në Zvicër. As rebelët dhe as qeveria siriane nuk janë angazhuar plotësisht për bisedimet e propozuara në Gjenevë, për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare, që ka lënë mbi 93 mijë njerëz të vdekur.

Obama dhe Putin thanë se kanë rënë dakord për t’u takuar në Moskë në shtator. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur gjithashtu, se Obama do t’u komunikojë vendeve të tjera të G8-s, se SHBA-të do të japin 300 milionë dollarë të tjera, si ndihmë për refugjatët brenda dhe jashtë Sirisë.

Ndërkohë duket se mosmarrëveshjet se si t’u jepet fund luftimeve duket se janë zgjeruar. Analistët theksojnë se vazhdimi i gjakderdhjes në Siri po paraqet shtimin e mosmarrëveshjeve mes rivalëve të vjetër.

Më herët, kombet e G8 diskutuan për ekonominë globale, teksa liderët e botës ranë dakord se perspektivat e botës mbeten të dobëta. Veç Britanisë, SHBA-ve dhe Rusisë, në Samitin e 39-të të G8 (në Lough Erne, County Fermanagh) kanë qenë të pranishme edhe Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.