Në fjalën e tij, Bamir Topi theksoi se në këshillin bashkiak do të bëjnë pjesë përfaqësues dinjitozë, ku një pjesë e madhe do të jenë femra, bile ajo që e kryeson listën e këshilltarëve është gjithashtu grua.
Ai sqaroi se në rastin e zgjedhjeve vendore nuk ka vend retorika boshe e disa politikanëve, të cilët kërkojnë të marrin nëpër këmbë interesat e qytetarëve duke anatemuar aleancën e së majtës me të djathtën. Këto janë zgjedhje vendore, ku në themel janë interesat dhe hallet e qytetarëve.
Topi theksoi se ”Dako është përfaqësues i një aleance të gjerë”. “Në këto zgjedhje që janë administrative interesat e qytetarëve nuk mund t’i marrin nëpër këmbë ligjëratat dhe retorikat e ashpra të politikës për aleancën e së djathtës me të majtën. Në këto zgjedhje, ne dëshirojmë të jemi shumë më afër këtij bashkëpunimi për qytetarët. Kjo është arsyeja që jemi bashkë në një koalicion të gjerë, i cili do t’i japë mundësi që të ketë edhe kryetarin e bashkisë, por edhe mazhorancën e fortë me këshillin bashkiak që duke pasur edhe qeverinë prapa, Durrësi do të njohë zhvillime të reja”.