Felsinger: Fule më konfirmoi se Shqipërisë i është dhënë statusi

42

felsingerShqipëria tashmë duket se e ka fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kreu i Shoqërisë shqiptaro-austriake Fritz Felsinger ka deklaruar sot se pas një bisede me komisionerin për zgjerim Stefan Fyle, ky i fundit i ka konfirmuar se Shqipërisë i është dhënë statusi i kandidatit.

Deklarata e Felsinger u bë gjatë tryezës që po zhvillohet nëTtiranë me temë “Së Bashku në Evropë 101 vjet Miqësi Shqiptaro-Austriake” e organizuar nga Austrian Society Albania.

Në fjalën e tij, ministri Bushati ka vlerësuar frymën e miqësisë që mbizotëron mes Shqipërisë dhe Austrisë duke shprehur edhe domosdoshëmrinë e thellimit të marrëdhënieve mes tyre.

“Austria i ka kushtuar me kohë vëmendje ballkanit perëndimor për arsye historike, kulturore por edhe për  arsye ekonomike. Kompanitë austriake kanë investuar në sektorët bazë në Shqipëri. Përveç nënshkrimit të marrëveshjeve dy palëshe kanë qënë kompanitë austriake ato që kanë konsoliduar urat lidhëse për bashkëpunimin mes dy vendeve.  Biznesi austriak ka gjetur hapësira për të investuar në Shqipëri dhe ne dëshirojmë që kjo traditë të pasurohet në të ardhmen, duke siguruar përmirësimin e klimës ekonomike në vend, luftë korrupsionit, krimit ekonomik, informalitetit, përmirësuar performancën e administratës tatimore e doganore, duke reformuar sistemin e rimbursimit të TVSH, duke përmirësuar praktikën e pagesës elektronike me klientët per te cilat na duhet ndihma e miqve austriakë, se janë reforma të rëndësishme dhe parakusht për transformimin demokratik të jetës në vend” tha Bushati.

Nishani: Dialog mes mazhorancës dhe opozitës për të ardhmen europiane

Ndërsa kreu i shtetit Bujar Nishani teksa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve shprehu besimin se këtë vit, Shqipëria dhe Austria do të jenë sëbashku në Europë.

Ai kërkoi vendosjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës në interes të shqiptarëve dhe të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Sot plotësohet objektivi madhor i shqiptarëve dhe viti 101 i pavarësisë të realizohet të qenit së bashku zyrtarisht në Europën e bashkuar, jo vetëm gjeografikisht. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është jo vetëm një aspiratë e thellë e të gjithë shqiptarëve por e objektivi parësor i  institucioneve dhe i klasës politike.  Ky është një proces i gjatë po nevojitet bashkëpunim mes aktorëve dhe faktorëve, vazhdim të dialogut mes mazhorancës së sotme dhe opozitës, duhet të ruhet konsensusi politik për të ardhmen europiane të vendit dhe të interesave të shqiptarëve” tha Nishani.

Gjithashtu kreu i shtetit ka sjellë në kujtesë lidhjet e forta tradicionale që ka pasur mes dy vendeve. Ai ka deklaruar se Austria ka treguar se është mbështetje e fortë për Shqipërinë, e cila ka synim kryesor integrimin në BE.