Familjarët e Florije Pecit: Të zbardhet e vërteta për shtatzëninë

59

FLORIJE-PECI-OK_7Familjarët e Florije Pecit, studentes që mbijetoi nga aksidenti tragjik në maj të vitit të kaluar, kërkojnë nga drejtësia shqiptare që të zbardhet e vërteta e shtatzënisë së saj. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se para disa ditësh, në dyert e këtij institucioni janë paraqitur të afërmit e 23-vjeçares, të cilët kanë kërkuar detaje të reja për hetimet në lidhje me këtë çështje. Të kontaktuar nga gazeta, familjarët e Florijes kanë pohuar se nuk kanë marrë asnjë të dhënë nga organi i akuzës.

“Kemi shkuar dhe kemi trokitur në dyert e prokurorisë, por aty na thanë se nuk ka asnjë të re për këtë çështje. Dosja ka shkuar në Austri dhe presim të dhënat që do vijnë që atje. Ne kërkojmë që drejtësia të zbardhë të vërtetën e asaj që i ndodhi motrës sonë”, pohojnë të afërmit e Florijes. Ndërkohë, ata pohojnë se 23-vjeçarja dhe vajza që ajo solli në jetë gëzojnë shëndet të plotë. Vetëm disa muaj më parë, pranë Prokurorisë së Përgjithshme mbërriti një kallëzim penal nga Gazmend Peci, vëllai i Florijes, një nga vajzat që i mbijetoi aksidentit të Himarës në maj të vitit të kaluar, e cila, për shkak të plagëve të marra u dërgua për kurim në Austri. Sipas këtij kallëzimi, gjatë kohës që Florija ka qenë në koma, me të është abuzuar seksualisht dhe ajo ka mbetur shtatzënë. “Unë që po ju shkruaj jam Gazmend Peci, vëllai i Florije Pecit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Motra ime, në aksidentin e Qafës së Vioshës në Himarë pësoi dëmtime të rënda shëndetësore. Ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe për shkak të shqetësimeve të shumta specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë.

Konceptimi (ngjizja) i shtatzënisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën ‘Gmunderbergut Almunster’ në Austri, në periudhën e rehabilitimit. Motra ime Florije Peci është përdhunuar në kushtet e spitalit ku ka qenë për kurim. Me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kur nuk kishte mundësi të mbrohej”, citohej në kallëzimin e depozituar në prokurori.