600 mijë nxënës ulen sot nëpër banka

16

NXENES_12Rreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor. Pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruar në arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekin shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale. Ndërkohë që, për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të të regjistruarve, numrin e fëmijëve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe të atyre që do të ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm. Vitin e kaluar shkollor numëroheshin rreth 385 mijë nxënës në arsimin bazë dhe 146 mijë në atë të mesëm, ndërsa mbi 36 mijë fëmijë ishin regjistruar në klasën e parë. Mendohet që shifrat të jenë pak a shumë të njëjta me një vit më parë, ndërsa një vend të rëndësishëm zë edhe regjistrimi i fëmijëve të emigrantëve të kthyer.
Shkollat në Tiranë
Sa u takon shkollave të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka njoftuar se ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit. Konfirmimi është dhënë nga drejtori i Ndërmarrjes Nr.3, Alfons Muça. Sipas tij, për vitin shkollor 2013-2014 janë rikonstruktuar 4 shkolla, ndërsa është bërë restaurimi dhe mirëmbajtja e plotë e gjithë objekteve të tjera. “Me fillimin e vitit të ri shkollor 2013-2014, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për restaurimin, mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e një pjese të madhe të shkollave të Tiranës. Kemi mundësuar rikonstruksionin e 4 shkollave të kryeqytetit, nga të cilat, 2 kanë përfunduar dhe janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor, ditën e nesërme, përkatësisht shkollat “Ibrahim Brahja” dhe “Murat Toptani”. Janë në proces rikonstruksioni dhe pritet të përfundojnë semestrin e dytë të vitit të ri shkollor shkolla “Niket Dardani” dhe “Eqerem Çabej”. Gjithashtu kemi bërë restaurimin dhe mirëmbajtjen e plotë të të gjitha objekteve shkollore që ka qyteti i Tiranës. Pritet që kushtet në të gjitha shkollat e Tiranës të jenë shumë më mirë se viti i kaluar”, – u shpreh Muça. Gjithashtu, ai ka reaguar edhe në lidhje me një raport të Autoritetit Shëndetësor Rajonal, në të cilin thuhej se 4 shkolla duhej të mbylleshin për shkak se nuk plotësonin kushtet higjieno-sanitare. Sipas Muçës, për këto shkolla janë realizuar të gjitha detyrat e lëna nga ASHR-ja. “Kemi pasur lidhje dhe kontakte të herëpashershme me të gjithë Autoritetin e Shëndetit Publik, kemi marrë masa, kemi bërë evidente dhe kemi realizuar të gjitha detyrat që ata kanë lënë. “Siri Kodra”, është një ndër ato shkolla që është përmendur nga Autoriteti i Shëndetit Publik, dhe është bërë restaurimi i plotë i saj. Të gjitha objektet shkollore, pa përjashtim, do të jenë në kushte shumë më të mira. Ju garantojmë se të gjitha shkollat e Tiranës dhe një pjesë që brenda semestrit të dytë do të futen në fazën tjetër të rikonstruksionit, do të jenë me parametra shumë bashkëkohorë”, – shpjegoi Muça.