“Kufomën e babait të vdekur”. Vetëm kaq kërkon familja e Remzi Hoxhës, i zhdukur në mënyrë misterioze në qelitë famëkeqe të SHIK-ut të Berishës në tetor të vitit 1995. Kushtrimi, i biri i të ndjerit Hoxha në një intervistë ekskluzive për Albaniaplus, pohon se durimit të tyre 18 vjeçar i ka ardhur fundi dhe nëse nuk do t’iu jepen të paktën eshtrat e babait, atëherë zgjidhja do të jetë vetëgjyqësia. Pas një takimi me kryeministrin Rama pak ditë më parë, ata pohojnë se kanë marrë premtimin e tij për angazhim maksimal në zbardhjen e kësaj çështjeje që ka mbetur ende si një ngërç i pazgjidhur dhe që rëndon mbi ndëgjegjen e krimbur të drejtësisë shqiptare. Por tashmë dosja gjyqësore është stopuar në Apelin e Krimeve të Rënda me arsyetimin “Në pritje të radhës për gjykim”. Ndërkohë Shkalla e Parë dha fajësi vetëm për njërin e të pandehurve, por për ironi të fatit asnjë prej tyre nuk ndodhet në qeli, apo të ndëshkohej qoftë edhe simbolikisht. U mbushen 18 vjet e dy muaj nga dita e rrëmbimit të babait tuaj në vitin 1995 dhe gjatë kësaj kohe kemi pasur vetëm një proces gjyqësor, (pas të cilit drejtësia e ka dhënë “verdiktin” e vet), por realisht kemi veç një fajtor prej të pandehurve dhe për më tepër asnjë të ndëshkuar në qeli, për këtë ngjarje të rëndë. Cili është komenti juaj për këtë? Kjo tregon qartë se si është trajtuar kjo çështje dhe sa të implikuar kanë qenë njerëzit e pushtetit të Sali Berishës në këtë krim. Sali Berisha dhe kriminelët e tij, përveç që ia morën jetën babait tim, ata na dënuan edhe neve si familje të vuajmë këtë dhimbje deri në pafundësi. Edhe sa zgjat durimi jonë, që është afër fundit, një zot e di. Është shumë e qartë e gjithë kjo që ka ndodhur. Në një intervistë të para rreth dy viteve vellai juaj, Ardiani, numëronte rreth 30 persona, të implikuar në dosjen “Remzi Hoxha”, ose të përfshirë në të si punonjës të shtetit që merreshin me hetime apo gjykimin e saj, të vdekur në mënyrë misterioze. Së fundmi kësaj liste iu shtua edhe prokurori i çështjes. Çfarë i ka mbetur tashmë familjes Hoxha për të gjetur zgjidhjen e kërkuar prej 18 vitesh? Elizabeta Imeraj ishte kriminelja e rradhës sepse ajo e rrëzoi gjithë punën që e kishte bërë me vite i ndjeri Xhevat Hana. Ajo ua tërhoqi akuzat edhe Arben Sefgjinit edhe Avni Koldashit. Pra kemi 2 rrugë që do i ndjekim, ajo ligjore dhe ajo e ligjeve popullore, apo kanunit. Të shohim se a do jenë të mençur këta kriminelë të na i sjellin eshtrat, apo duan të na detyrojnë të vazhdojmë edhe ne të marrim gjakun. Këtu na kanë borxh të gjitha familjet e implikuara. Durimit po i vjen fundi dhe këta të ligë duket se nuk duan të na i japin eshtrat dhe po na detyrojnë t’u hakmerremi në të njëjtën mënyrë. Ne nuk do heqim dorë nga eshtrat e babait tim, deri në burrin e fundit të familijes Hoxha. Babai im ka qenë njeri i madh dhe e meriton një varr. Keni 18 vjet që kërkoni eshtrat e babait tuaj, (flasim kështu, pasi deri tashmë, faktet na vërtetojnë vdekjen e tij), deri ku keni arritur? Tani veç më është vërtetuar se babain tim e kanë mbytur nga torturat dhe eshtrat e tij i kanë fshehur. Në anën tjetër rasti ka ngelur në Gjykatën e Apelit dhe është i ngrirë, që në fakt pengon dërgimin e tij në insitucionet ndërkombtare. Kjo në fakt është më pak e rëndësishme nëse e krahasojmë me faktin që ne kërkojmë që eshtrat të na i japin. Dhe këta kriminelë po na detyrojnë që t’i marrim ato që na takojnë me po të njejtën rrugë që ata kanë vepruar. Në Shqipëri u rrëzua pushteti i Sali Berishës, të cilin ju shpeshherë e keni akuzuar si pengues për zbardhjen e çështjes së babait tuaj, çfarë prisni nga të majtët në pushtet? Presim të na gjejnë eshtrat. Shteti i ka të gjitha mundësitë dhe mekanizmat ta bëjë një gjë të tillë, por ta shohim se a e kanë vullnetin me të vërtetë. Realisht Shqipëria po hyn në rrugën e reformimit të institucioneve, cili do të jetë hapi juaj i ardhshëm për të koordinuar punën me to për zbardhjen e çështjes “Remzi Hoxha”? Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë. Ne vetëm duam eshtrat dhe kaq. Po e presim gjykatën e shkallës së dytë se çfarë do të bëjë me vendimin dhe kur do t’a bëjë atë publik, dhe pastaj të shohim se cilin ligj do e ndjekim! Konkretisht, keni pasur takime me të majtët në Shqipëri, për këtë çështje, dhe a u është premtuar diçka? Diten e shtune kishim takim me kryeministrin Edi Rama dhe na tha se do angazhohet maksimalisht që ta zbardhë rastin tonë.