Belgjikë, arrestohen dy shtetas shqiptarë për trafik ndërkombëtar droge

67

police belgeAutoritetet e Belgjikës kanë arrestuar një çift shqiptarësh të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Shtetasi shqiptar Arjan Shabani dhe gruaja e tij, identiteti i së cilës nuk është bërë akoma i ditur, janë arrestuar të dy nga policia e Termondës, një qytet flamand në zonën e Flandrës.

Sipas burime policore të shpërndara për shtypin belg, bashkëshortja e Arjan Shabanit kishte fshehur në një arkë për depozitimin e sendeve personale, brenda një qendre tregtare, një çantë me rreth 120 mijë euro. Por, meqenëse politika e kontrollit të qendrës tregtare, lejon hapjen automatike të arkave çdo 10 orë, punonjësit e sigurisë kishin gjetur sasinë e madhe të parave dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Policia ka vënë menjëherë zonën nën vëzhgim, duke pritur që personi të vinte të merrte çantën, që kishte lënë. Ndërkohë, kodi i arkës ishte ndryshuar po nga policia. Dhe kurthi policor funksionoi, arrestimi i bashkëshortes së Shabanit ka ardhur në momentin që ajo ankimohet brenda qendrës tregtare, se kodi i arkës ku ajo kishte sendet e saj personale nuk hapej.

Sipas policisë, arrestimi i saj u krye pasi dyshohet për pastrim parash, pasi së bashku me paratë në çantë ndodhej dhe një çelës i një kasafortë bankare, ku ishin depozituar po ashtu shuma të mëdha parash.

Sipas burimeve policore, paratë dyshohen se vijnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës, në të cilën është përfshirë edhe bashkëshorti i saj Arjan Shabani.