Falen gjobat e vëna nga data 1 mars deri më 31 gusht 2013

48

arben-ahmetajKëshilli i Ministrave ka vendosur që të falë të gjitha gjobat e vëna bizneseve nga periudha 1 mars deri më 31 gusht të vitit 2013. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili i cilësoi si të padrejta gjobat e vëna gjatë para, gjatë dhe pas periudhës elektorale.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit ndaj ish-qeverisë së asaj kohe.

“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka kaluar projektligjin për faljen e Dënimeve Administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 mars deri në 31 gusht 2013. Me anë të këtij projektligji do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës në fjalë, pra periudhës paraelektorale dhe elektorale, kur gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit, dhe ato të abuzimit masiv në periudhën pas elektorale”, -deklaroi ministri Ahmetaj.

Më tej Ahmetaj tha se ky është një vendim tepër i rëndësishëm në marrëdhëniet qeveri-biznes, dhe se do të mbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i turpshëm ku gjobat përdoreshin si instrument i presionit politik, apo për të mbushur arkat e zbrazura nga keqmenaxhimi i ish-qeverisë Berisha.

“Përveçse heq një padrejtësi të madhe, kjo masë është një vazhdim i projektit madhor të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. Është abuzuar shumë me gjobat, por kjo nuk ka për t’u përsëritur më. Koha kur qeveria kishte si zë të tretë të të ardhurave gjobat, nuk ka për të ardhur më. Ky është një hap tjetër në kthesën e madhe ekonomike të Shqipërisë, të ndryshimit të modelit ekonomik dhe të çlirimit të potencialit ekonomik.  Ky vendim vazhdon trendin pozitiv për ekonominë, që këto ditë është treguar nga marrëveshja e arritur me FMN-në për programin dhe rritjen e ndjeshme e të ardhurave për administratën tatimore dhe doganore”, –tha Ahmetaj.