Eshtrat e Mit’hat Frashërit duhen kthyer në atdhe

70

mithat-frasheriNga Robert Papa

Një grup shqiptarësh kanë përkujtuar Mit’hat Frashërin,duke vënë lule te varri i tij. Organizator ishte  Pëllumb Lamaj. Ai shkruan ne faqen  e  tij:
“Forumi Shqiptaro Amerikan për Demokraci morri pjesë në një përkujtimore të organizuar me rastin e përvjetorit të vdekjes së atdhetarit të shquar Mit’hat Frashëri. Mit’hat Frashëri, i biri i rilindësit Abdyl Frashëri, lindi në 1880 në Janinë; u edukua në ambiente patriotike atdhedashëse, luftoi dhe shkriu veten , pasurinë edhe të gjithë energjitë e tij për çështjen shqiptare. Mit’hat Frashëri ishte një nga firmuesit e deklaratës se pavarësisë dhe ministri i çështjeve publike. Mit’hat Frashëri ishte  gjithashtu  ambasador  në shtetin Grek ku mbrojti popullsinë çame nga masakrat greke dhe luftoi për të drejtat e tyre. Mit’hat Frashëri është krijuesi i Frontit Nacional ose Ballit Kombëtar, programi i të cilit  promovonte vlera demokratike dhe synonte për një Shqipëri të bashkuar. Për shkak të mosmarëveshjeve mbi politikën e ndjekur nga Partia Komuniste Shqiptare, dhe luftën e saj për eliminimin fizik  ndaj krerëve te partive  te  tjera, Mit’hat Frashëri u  largua nga Shqipëria dhe vdiq në New York në 1949 dhe sot eshtrat e tij ndodhen në varrezat “Ferncliff Cemetery “ ne Hartsdale New York.”
Ky Frashërlli i madh duhet të prehet në atdheun  e tij. Do ishte në nderin e qeverisë të ringrinte bibliotekën e Lumo Skëndos.
Mithat  Frashëri nuk donte të ishte politikan. Ai ishte djali i Abdyl  Frashërit dhe nipi i denjë i Samiut dhe Naimit.
E kuptoj, se deri më 1991, regjimi  e luftonte se ishte kryetari i Frontit  Nacional ( aq bukur Balli i Kombit), por mbas vitit 1991, nuk  ka shpjegim urrejtja ndaj një figurë atdhetare.
Nuk dua të paragjykoj e as të mbivlerësoj Ballin Kombëtar, por deri sa SHBA, e njohu Komitetin “Shqipëria  e Lirë” me kryetar M. Frashërin, së paku,  duhej vlerësuar si figurë pro-amerikane. Por politika jonë,  vota e  familjeve  balliste i donte, ndërsa figurat  si Frashëri i shikonte me kompleksin e inferioritetit.
Frashëri pranoi të vihej në krye të Ballin sepse ia kërkuan  dhe ai donte që Kosova të bashkohej me Shqipërinë, e kjo shtyu jugosllavët që komunistët të hynin në lufte  vëllavrasjeje me  Ballin.
Historia shkruhet nga fituesit, por pas 1992, të djathtët shqiptarë kujtuan se ishin fitues.Por Berisha nuk guxoi të rehabilitonte M.Frashërin. Ai është  te deklarata e Pavarësisë; nuk mungon në asnjë lëvizje kulturore të kohës.
Djaloshi që do merrte rrugën drejt Stambollit  për të takuar xhaxhain  e tij, Samiun, duke kërkuar librat e të atit, Abdylit. Me mijrëa libra erdhën në vapor në Tiranë.Librari  e Lumo Skëndos, pseudonimi i tij letrar, do iluminonte gjithkënd që donte kombin.
Duhet ta nderojmë dhe ta respektojmë! Eshtrat e tij duhen të shkojnë të frashërinjlltë e mëdhenj.
Partia e tij ishte Shqipëria!Po, ai ishte kreu i Frontit Nacional! Po ai  ishte në ballë, ballist. Alternativa  e tij politike humbi. Ai iku në ekzil. Pra, s’kemi pse ta vrasim edhe pas vdekjes.
Mit’hat Frashëri  është shume herë më shumë Nderi i Kombit se sa dhjetëra që kanë marrë këtë titull nga presidentët tanë, të cilët tmerrohen kur dëgjojnë Balli Kombëtar.Nuk kanë pse te frikohen. Balli është  forca nacionaliste. Nuk luftuan kundër gjermanëve? Po, sepse besuam se Gjermania ishte aleate e kombit shqiptar ndërsa BS dhe Jugosllavia ishin armiqtë tanë. Por Frashëri ishte pro-amerikan, ishte anti-komunist. A është ky mëkat, faj, dhe mallkim?!
Unë e di që të majtët e kanë të vështirë të nderojnë kreun e Ballit.E di që i quajnë bashkëpunëtorë me pushtuesit, por Rama  mund të kapërcejë mbi gjykimet politike se Mit’hat Frashëri ishte një kombëtarist, një shqiptar i madh dhe biri i Abdyl Frashërit dhe nipi Samiut.
Pra, ai ishte një rilindas. Ndaj kthejani eshtrat në Shqipëri! Mos e lini këtu në  New York. Ai  lëngon! Ai nuk gjen prehje! Sepse armiqtë e tij politikë u mundën më 1992, apo jo?!
Lumo Skëndo! Nuk meriton një librari, një shkollë me emrin e tij, nje bust, po po, një bust, se ende kemi emra terroristesh në dhjetëra rrugë të Tiranës.Madje kemi edhe “Komuna e Parisit”, por jo Rruga Hysni Lepenica dhe Mit’hat Frashëri.
Të paktën, kthejani eshtrat në Shqipëri, një biri të denje të shqipes.