Elbasani protestë kundër armëve kimike

63

protesta kunder armve_1Banorët e komunës Shirgjan, në qytetin e Elbasanit, kanë protestuar sot kundër shkatërrimit të armëve kimike në uzinën e Mjekësit.

Ky reagim vjen disa ditë pas deklaratës së kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili tha se armët kimike siriane mund të dërgohen në uzinën e Mjekësit për t’u çmontuar.

Me parulla në duar, ku shkruhej: “Larg amët kimikë nga Mjekësi!”, dhjetëra banorë kanë protestuar kundër asgjësimit të armëve kimike, ndërsa u shprehën të frikësuar se në Mjekës mund të ndodhë një “Gërdec i dytë”.

“Jemi të rrezikuar drejtpërdrejt nga demontimi i armëve kimike. Qeveria duhet të na mbrojë nga vdekja toksike, mos helmoni fëmijët tanë”, -thotë një nga protestuesit.

 Një ditë më parë, ambientalistë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile, organizuan një takim në Tiranë, ku u diskutua se pse Shqipëria duhet të refuzojë propozimin për shkatërrimin e armëve siriane në territorin tonë. Sipas tyre kushtetuta e vendit e pengon një gjë të tillë, ndërkohë që theksuan se ky lloj operacioni mund të jetë me pasoja shumë të rënda për mjedisin.