Djali i Berishës përgënjeshtron lajmin për transportim ‘valixhesh’ me charter Arab, në Aeroportin e Rinasit

48

shkelzen-berisha1Shkëlzen Berisha djali i Kryeministrit në ikje, ka deklaruar se do të padisë për shpifje Gazetën Dita.

Shkak i kësaj padie është shkrimi, që kjo gazetë ka botuar sipas burimeve të saj pranë Aeroportit të Tiranës, të cilat konfirmojnë se Shkëlzen Berisha, i cili ka kaluar nga seksioni VIP i aeroportit, ka transportuar tre valixhe të sigurisë së lartë, tip metalike me një charter ku ishin të shkruara germa arabe. Sipas burimit zyrtar, djali i Berishës ka qenë i shoqëruar në aeroport nga truproja e tij dhe nga një person tjetër. Pasi truproja dhe punonjësi tjetër kanë futur tre valixhet metalike në charter dhe vetëm kur charteri u ngrit nga pista për fluturim atëherë dhe Shkëlzen Berisha është larguar nga aeroporti i Rinasit. Burimi nga aeroporti ka konfirmuar për gazetën Dita se Shkëlzen Berisha ka qenë vizitor i shpeshtë kohët e fundit në aeroport dhe kalon pa u kontrolluar nga forcat e sigurisë. Gazeta përmend dhe një incident që ai ka patur në aeroport, kur forcat e sigurisë kërkonin të zbatonin ligjin duke proceduar me kontroll, por që nuk ia arritën dot.

Në një reagim me email Shkëlzen Berisha përgënjeshtron lajmin duke e konsideruar gazetën hale të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama dhe ka kërcënuar në të njëjtën kohë me padi për shpifje.

Më poshtë keni shkrimin e Gazetës Dita, përgënjeshtrim e Shkëlzen Berishës dhe letrën që kryeredaktori i Ditës Adrian Thano i ka dërguar djalit të Kryeministrit Berisha.

251-724x1024Rinas, çarter arab, valixhe metalike, dhe…

Një mbërritje e beftë e Shkëlzen Berishës herët në mëngjes në Rinas ka shkaktuar jo pak kërshëri për punonjësit e turnit të aeroportit të Rinasit. I shoqëruar gjatë gjithë kohës nga vetë shefi i komisariatit të Rinasit, Shkëlzen Berisha ka qëndruar për më shumë se një orë në aeroport dhe vizita e tij duket e lidhur me zbritjen në pistë të një avioni për të cilin ka të dhëna se i përket një kompanie arabe. Avioni ishte “çarter”.

Informacioni është dhënë dje për DITA nga një burim i sigurtë, zyrtar i aeroportit, dëshmitar okular. Shkëlzen Berisha ka kaluar nga seksioni VIP dhe ka qëndruar në pritje të çarterit në ambientet e këtij seksioni për rreth një orë së bashku me tri valixhe metalike të një kubature mesatare, brendia e të cilave mbetet enigmë. Kur në pistë ka qëndruar një çarter në trupin e të cilit ishin të shkruara shkronja arabe, drejt tij kanë shkuar dy persona, truproja e Berishës dhe një person tjetër që shoqëronte gjithashtu Shkëlzen Berishën. Të dy personat njëri me dy valixhe dhe tjetri me një valixhe në dorë kanë futur në çarter ngarkesën e Shkëlzen Berishës, i cili nuk ka lëvizur nga zona VIP.  Vetëm pasi çarteri është ngritur nga pista e Rinasit, Shkëlzeni ka lëvizur nga aeroporti dhe është kthyer për në Tiranë. Gjatë gjithë kohës atë e ka shoqëruar shefi i komisariatit të Rinasit”, – theksoi burimi.

Zënka në aeroport
Por edhe përpara vizitës së djeshme duket se Shkëlzeni në ditët e fundit ka qenë një “vizitor” i shpeshtë i aeroportit. Afro 4-5 ditë më parë ai është parë në shoqërinë e biznesmenit Damir Fazlliç ku të dy kanë udhëtuar drejt Malit të Zi. Gjatë qëndrimit në aeroport Shkëlzen Berisha ka reaguar dhe ndaj dy punonjësve të cilët në fillim nuk e njohën dhe i kërkuan që ti nënshtrohej kontrollit si gjithë pasagjerët e tjerë. Por ky problem duket se u zgjidh shumë shpejt dhe Shkëlzeni fluturoi i qetë drejt Malit të Zi.

“Përpara katër ditësh Shkëlzeni ka udhëtuar me biznesmenin Damir Fazlliç drejt Malit të Zi. Mbase kanë udhëtuar dhe drejt ndonjë shteti tjetër më pas. Kur u paraqit në aeroport te ne në Rinas ka debatuar edhe me një doganier dhe një polic, pasi ata nuk e njohën dhe i kërkuan që të ndalej dhe të bëhej kontrolli sipas rregullave. Por pasi kanë konstatuar që personi në fjalë ishte Shkëlzen Berisha punonjësit janë tërhequr. Shkëlzeni e ka regjistruar këtë lëvizje normalisht në sistem, ndërsa biznesmeni Fazlliç nuk u regjistrua në sistem. Kanë qëndruar 2 ditë jashtë Shqipërisë” – bën të ditur për DITA, i njëjti zyrtar i Rinasit.

Valixhet metalike si paisje e sigurisë së lartë

Nëse lundron në internet shumë kompani të specializuara sigurie ofrojnë valixhet e sigurisë së lartë, që zakonisht janë valixhe metalike që shërbejnë për transport valute, çeqesh, diamantesh, gurësh të çmuar, kontratash, dokumentesh trashëgimie, etj. Këto valixhe zakonisht janë të pajisura me një çip, që i bën të lokalizueshme në çdo kohë nëpërmjet sistemit GPS. Këto lloj valixhesh janë të siguruara me mbrojtje trefishe, kundër zjarrit, plumbave dhe hapjes me forcë. Zakonisht këto valixhe nëse tenton ti hapësh me forcë janë të pajisura edhe me një lloj solucioni që lë shenjë tek valuta apo dokumentet që transportohen. Vlera e një valixheje të tillë varion nga 1500-3700 dollarë amerikanë, në varësi të standardit të sigurisë që ka valixhja dhe kompanisë siguruese që e ofron.

Emaili që Shkëlzen Berisha ka dërguar dje lidhur me kryeartikullin e djeshëm të gazetës DITA”

“Sot gazeta “Dita”, nje e perditshme e njohur ndryshe dhe si tualeti mediatik i Edi Rames botoi shpifjen e radhes, ku akuzohem se paskam derguar dje nga Rinasi ne destinacion te paditur, nje ngarkese me 3 arka metalike, permes nje charteri me shkronja arabe. Ne respekt te opinonit dhe jo te atyre qe servirin perrallat e 1001 neteve, deshiroj te bej me dije se ky lajm eshte fund e krye nje shpifje dhe trillim, pasi jo vetem qe nuk kam levizur asnje ngarkese jashte apo brenda Shqiperise, por ka disa muaj qe as nuk kam shkelur ne aeroportin e Rinasit, gje qe provohet lehtesisht nga te gjtha e sistemet e tij. Ky pergenjeshtrim publik do te shoqerohet me nje padi per shpifje. Shkelzen Berisha”

***

Pergjigje djalit te Berishes

Nga Adrian Thano

Kryeredaktor i DITA

Shkëlzen.

Është hera e dytë që si familje krahasoni një gazetë me sende tualeti. Herën e parë ndodhi kur  New York Times botoi detajet e asaj që bëtë në Gërdec. Një nga gazetat më të mira në botë, u krahasua asokohe nga babai yt me një “letër higjenike”. Tani je ti që quan gazetën DITA diçka të tillë. Interesante pse ju shkon mendja në të njëjtat krahasime. Varfëri fjalori, apo kaloni shumë kohë në hale? Unë them se është kjo e dyta; me sa duket ju hani mirë dhe dhisni shumë.

Shkëlzen

Po të ishte për mua si person, unë nuk do doja të harxhoja asnjë sekondë të jetës sime me ju. Ndjej aq përcmim e neveri për çka jeni; aq keqardhje dhe trishtim për atë që i keni bërë këtij vendi, sa Zoti e di sa do doja, të mos ju njihja e mos dëgjoja kurrë për njerëz si ju. Por unë jam gazetar. Dhe kam 20 vjet që e bëj këtë zanat. Kam detyrimin dhe përgjegjësinë të merrem. Dhe do vazhdoj të merrem. Mos kujto se mund të më trembësh me kërcënime. Thuaj babait tënd të të tregojë arkivën e celularit dhe do gjesh aty mesazhe personale nga unë, në 21 janar, një natë para votimit të ligjit të plehrave dhe në të paktën dy raste të tjerë. Dhe do ta kuptosh sa efekt mund të bësh tek unë me marifete të tilla.

E ndjen veten të prekur?! Ke kaluar ndonjëherë afër varrezave të Gërdecit ti Shkëlzen? Treten skelete fëmijësh aty. Fëmijë të hedhur në erë dhe të djegur të gjallë. Kanë të gjithë të njëjtën datë vdekje: 15 mars 2008. Përfytyroje një fëmijë të rënë në tokë duke dhënë shpirt i verbuar, i shurdhuar dhe i zhurosur. Përfytyroje një fëmijë duke vdekur në atë mënyrë. Fëmijë!! Përfytyroje ti dhe gjithë qenëria rreth teje. Përfytyrojeni, ju hëngërt dreqi. Dhe mbase do heshtni. Minimalisht do heshtni. Po fëmijët e fukarenjve që i qëlluat dhe vratë në mes të bulevardit të Tiranës në 21 janar, i mendon ndonjëherë ti Shkëlzen? A keni fëmijë ju?? Ju cinikë dhe zemërtharë; ju barkngopur dhe shpirtzbrazur; ju batakçinj që na flisni për nderin dhe shpifjen.

E ndjen veten të ndershëm ti Shkëlzen? Nëse ti je i ndershëm, atëherë ka shpresë për çdo hajdut të 1001 netëve. E ndjen veten të fortë ti Shkëlzen? Është kaq e mjerë, të bësh të fortin me dikë që nuk mbrohet. E ndjen veten të mençëm ti Shkëlzen? Po, bota është e mbushur me dështakë si ty që bëjnë para, jo sepse bëjnë sukses, por vetëm pse të tjerët u mbushin bythën me para për shkak të pushtetit politik. Fiton gjyqe ti Shkëlzen? Po është kaq e rëndomtë o njeri, të fitosh gjyqe në Shqipëri thjesht sepse ke para; është kaq patetike sa të vjen njëherë për të vjellë e dy herë për të qeshur.

Shkëlzen.

Shqiptarët votuan masivisht kundër asaj që përfaqëson ti. Votuan kundër. Nga jugu në veri. U trajtuat nga shqiptarët si të ishit të huaj në këtë vend. U kundërvotuar sikur të ishit pushtues. Por ju vijoni të trimëroheni. Trimërohesh ti. Trimërohen ata që kanë vrarë dhe rivrasin. Trimërohen lloj-lloj qelbësirash që e kanë përdhunuar moralin e këtij vendi për vite me rradhë, duke e katandisur në një republikë të vrasjeve, skandaleve dhe korrupsionit, ku të zë lemeria të rritësh fëmijët. Trimërohesh sepse ende nuk ta kanë treguar ku e ke vendin. Gjyq për shpifje?! Ti dhe babai yt jeni njerëzit e fundit në Shqipëri që mund të akuzoni dikë për shpifje. Unë nuk njoh njeri që flet shqip që të ketë gënjyer 20 vjet me radhë publikisht aq dendur, aq shpesh, aq ligësisht e aq pacipërisht, sa c’keni gënjyer ju. Ti flet “në respekt të opinionit publik” (?!!) Hapu dhe! A po flasim për të njëjtin “opinion publik” që keni qeverisur ju këto vite?! Nëse po, ti dhe shqiptarët normalë duhet të kenë koncepte krejt të ndryshme për “respektin”.

Diçka të fundit, Shkëlzen.

Mos u ngut me gjyqet. Kush ngutet përmutet! Lëri gjyqet me gazetat se është koha për të tjera gjyqe. Dhe meqë në “përgënjeshtrimin” tënd ke përmendur edhe Edi Ramën, po shtoj dy fjalë mbi këtë. Nuk e di çfarë lexon tjetër ti, veç letrave në hale, por ndoshta ke dëgjuar për Centaurin e vrarë prej Herakliut. Centauri u mund. Por u hakmorr kundër fitimtarit duke i “dhuruar” në momentet e vdekjes mantelin e vet të përgjakur. Legjenda më pas tregon vdekjen e tmerrshme të Herakliut pasi kishte veshur mantelin e të mundurit. Kjo është simbolika e të mundurit që ndëshkon fituesin pas vdekjes. Ose e fituesit që nuk gëzon dot fitoren sepse “vesh mantelin” e të mundurit. Edi Rama nuk është si Berisha. As nuk afrohet. Por metafora e mantelit mund të bëhet realiteti ynë i ri, nëse Rama sillet me Berishën, siç Berisha u soll me veten; pandëshkueshmëri për krimet! Nëse vijon kjo traditë pandëshkueshmërie, nëse nuk ndëshkoheni ju TË PARËT për ato që i bëtë këtij vendi, bëni atëherë çfarë kini për të bërë. Bëjeni edhe një gjyq kundër gazetës Dita. Dhe fitojeni. Fitojeni jo sepse ti nuk ke qenë dje në Rinas. Ke qenë që çke me të. Por fitojeni siç e keni ju zakon “të fitoni”. Me shkërdhatësi procedurash; me hile; me qelbësirllëqe; zhdukje provash dhe fshirje serverash. Siç bëtë në 21 janar. Siç keni bërë gjithë këto vite.

Nëse ndëshkimi juaj nuk ndodh, ecja e Shqipërisë përpara do jetë thjesht një iluzion. Do të jetë si ato hapat e pulës që i kanë prerë kokën; hapat e këputjes së nervave; hapat e muskujve që thjesht ruajnë kujtesën e lëvizjes. Por jo lëvizje e vërtetë. Nuk ka shpëtim për ne, pa shkuar secili atje ku e ka vendin. Nuk ka Shqipëri pa u bërë Drejtësi!