Ndërsa në Shqipëri raportohen rreth 671 persona të prekur me HIV, specialistët të ISHP theksojnë se shifrat mund të jenë 10 % më shumë se ato zyrtare
Një raport i OKB-së vë në dukje se numri i atyre që jetojnë me virusin HIV në botë vazhdon të shtohet dhe i ka kaluar të 40 milionët – niveli më i lartë deri më sot. Afrika nënsahariane mbetet rajoni më i prekur nga sëmundja e Sidës. Më tepër se 25 milion njerëz atje jetojnë me virusin HIV.
Megjithatë në raportin e OKB-së thuhet se gjatë viteve të fundit, një numër gjithnjë e më madh vendesh, përfshirë Kenian, Zimbabven dhe disa vende të Karaibeve kanë patur rënie në numrin e të infektuarve nga virusi HIV. Shumë shpejt po shtohet edhe numri i të prekurve nga Sida të cilët kanë mundësi të marrin ilaçe për frenimin e kësaj sëmundjeje. Shtetet e Bashkuara po luajnë rolin kryesor për shtimin e numrit të atyre që mund të marrin ilaçe në vendet në zhvillim dhe për zgjerimin e programeve të parandalimit.
Rezultatet po arrihen nëpërmjet planit të emergjencës të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për ndihmën në luftën kundër Sidës. Në vitin 2003, Presidenti Bush shpalli një angazhim prej 15 miliard dollarësh për luftën globale kundër virusit HIV dhe Sidës.
Në këtë program përfshihen 123 vende të botës me theks të veçantë në 15 prej tyre që janë prekur më rëndë dhe që sëbashku përbëjnë 50 për qind të numrit të përgjithshëm të të prekurve në botë. Presidenti Bush është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të udhëheqin botën në gjetjen e burimeve për të mposhtur sidën.