Disa detaje që nuk janë bërë kurrë publike për 14 shtatorin e 1998-s

62

14_shtator_1998_perpara_kryeministrise1.jpg_thumb

 “DITA”

Si u organizua nga opozita e udhëhequr nga Berisha tentativa për marrjen e pushtetit me dhunë më 14 shtator, dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Si u evidentuan nga agjentët e infiltruar trupat e armatosura të Bujar Bukoshit mes turmave të udhëhequra nga PD që pushtuan godinën e Kryeministrisë, Televizionit Shqiptar etj… Si u kthye godina e PD-së në garnizon me militantë të armatosur, tanke e arsenal luftarak. Tentativa e mercenarëve për të blerë dy mjete të blinduar që të dilnin nga bodrumi i PD. Pse nuk zbatova urdhrin për dorëzim dhe bisedat që bëra me Perikli Tetën e Sabit Brokajn. Kush janë agjentët e infiltruar, kërcënimet dhe largimi i tyre nga Shqipëria.  

Nga Skënder Hasmeta*

I ndodhur në detyrën e Komandantit te Batalionit të Policisë Ushtarake  Tiranë në atë kohë unë dëshiroj të bëj publik fakte të pa njohura e të papublikuara me parë lidhur me ngjarjen e rëndë të 14 shtatorit 1997, që është cilësuar si ‘Grusht Shteti’, si dhe të evidentoj rolin e forcave të Policisë Ushtarake, efektiv të cilin unë e komandoja në këtë ngjarje të rëndë…

Këtë e bëj me qëllim që jo vetëm opinioni publik, ushtarakët e Forcave të Armatosura aktiv e në lirim, por dhe ministrja e re e Mbrojtjes e strukturat e shtetit të sapo dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti të njihen me të vërteta e  faktet e pa njohura më parë, të reflektojnë për detyrat që burojnë nga Kushtetuta e ligjet lidhur me ndëshkimin publik të autorëve të saj.

Në këtë kuadër, dua të evidentoj dhe disa të vërteta lidhur me repartin e Policisë Ushtarake, e cila dhe në tejkalim të kompetencave të saj, por në interes të përkushtimit ndaj Republikës së Shqipërisë, interesit kombëtar dhe shoqërisë, të popullit Shqiptar, kreu një mision historik, pas djegies e rënies së Kryeministrisë së RSH, Parlamentit Shqiptar, humbjes së kontrollit mbi detyrën nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit, fillimit të marrjes nën kontroll nga bandat e armatosura të territorit rreth qendrës së Tiranës, aktivitetit të tyre kriminal në grabitje djegie e shkatërrime, plaçkitje.

Ajo planëzoi e realizoi disa operacione si neutralizimin e tanket para PD-së, rimarrjen e Televizionit Shqiptar, Bankave, Prokurorisë, gjykatës, Albtelekomit, DTN etj…

Atë ditë kryeministri Fatos Nano u largua nga Shqipëria. Këtë, Sali Berisha, kryetari i opozitës e quajti mbatharak, ndërsa ne ushtarakët e quajtëm mes nesh tradhti… Politika i trajtoi sipas interesit të saj ngjarjen e 14 shtatorit, ndërsa Forcat e Sigurisë nuk analizuan, pra nuk nxorën kurrë mësime prej saj.

  *****

  Siç dihet, më 12 shtator të vitit 1998, para selisë së Partisë Demokratike u vra deputeti Azem Hajdari. Më 14 shtator kur i ndjeri do përcillej për në banesën e fundit, nisur dhe nga informacionet e plota të siguruara në rrugë operative nga Agjencitë Ligjzbatuese, priteshin trazira të dhunshme pas varrimit të tij.

Në këtë ditë protestuesit, të drejtuar nga krerët e PD-së, lëvizën arkivolin jo për në varrezat e Sharrës, ku do kryhej varrimi por drejt kryeministrisë. Turmat ishin të irrituara, të organizuara e të armatosura. Ato braktisën arkivonin e funeralin, sulmuan godinën e kryeministrisë, parlamentit dhe hynë me forcë në godinën e Televizionit Publik Shqiptar.

Turmat e armatosura me veprime të organizuara, të dhunshme realizuan  pushtimin me forcë, djegie dhe plaçkitje të ndërtesave të selive të Kuvendit, të Kryesisë së Kuvendit, të Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të Radiotelevizionit Shqiptar. Po ashtu, goditën me armë dhe Ministrinë e Rendit Publik. Pas këtyre veprimeve, filluan të sulmojnë Bankën Kombëtare e plaçkitën dyqane, supermarkete, dhunuan e grabitën armë, automjete ushtarake, etj…

 

 DETYRA LUFTARAKE

14 shtator 1998, Ora 08:00. I urdhëruar nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, në zbatim të urdhrave të Ministrit të Mbrojtjes e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, m’u caktua si detyrë mbrojtja e Institucionit të MM e SHPFA, pasi, mbi bazën e të dhënave, ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për aktivitetet kriminale në dëm të institucioneve të shtetit, përfshirë edhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me afro 60 trupa të Policisë Ushtarake u dislokuam në Ministrinë e Mbrojtjes. Trupa ishte e pajisura me katër transportues të blinduar me goma, armë  të ndryshme përfshirë edhe snajperë, pajisje moderne e antiplumb, armë anti-tanke etj. Trupat tona ishin stërvitur rregullisht për kryerjen e operacioneve të ndryshme dhe kishin dhënë prova në disa operacione të ngjashme. Ky efektiv njihte mirë përdorimin e armëve dhe udhëzimet në lidhje me to.

Ato ishin të   familjarizuara me politikën e përdorimit të forcës për gjykimin dhe maturinë e duhur në detyrë, trajnuar dhe për veprime nën presion, etj.

Masa të tjera shtesë ishin ato për përdorimin e forcës vdekjeprurëse, e jo vdekjeprurëse, nëse do të paraqitej e nevojshme. Në pjesën e jashtme në veri të Ministrisë së Mbrojtjes, në fshehtësi dhe nën masa të plota sigurie, mbi një kamionçinë u vendosën municione dhe armë anti tanke kundër mjeteve të blinduara.

Ky operacion drejtohesh nga  Qemal Hoxha dhe Joland Plasari, të stërvitur mirë dhe të aftësuar për përdorimin e tyre me garanci. Nëse paraqitej situata, ata ishin të gatshëm për përdorimin e këtyre armëve.

 

PËRGATITJA PARAPRAKE

U bë inspektimi i mjediseve dhe i hapësirave në MM e SHPFA, që synonte zbulimin e rreziqeve të dyshuara dhe marrjen e masave të veçanta për sigurinë dhe vendosjen e trupave… U bë caktimi i detyrave vartësve dhe u realizua bashkëveprimi me Batalionin e sigurisë së SHPFA.

Në përmbushje të kësaj detyre u morën masa shtesë duke angazhuar një grup të konsiderueshëm oficerësh dhe agjentësh të policisë kriminale, u caktuan zonat e veprimit dhe metodat e marrjes së informacionit.

Për shkak të destabilitetit e pasigurisë në vend, që ekzistonte në atë kohë dhe për të rritur besueshmërinë në kryerjen e detyrës, aktivizova dhe agjentë shumë të besuar nga sektori i informimit të brendshëm të BPU. Ky  operacion drejtohesh nga oficeret Ali Mena, Namik Goga, Asim Gruda, Zenel Allaraj etj.

U organizua ndarja në zona si dhe patrullimi në zona të veçanta me interes nga agjentë të policisë kriminale dhe ato të informacionit të brendshëm të BPU për grumbullimin e informacionit. Vëmendja do përqendrohej sidomos për veprime kriminale e synime në dëm të MM, SHPFA, nga brenda turmave.

Pranë kryeministrisë e RTVSH,  kishim futur të trajnuar agjentë të policisë kriminale për marrjen e informacionit në dëmin tonë e njësive dhe reparteve ushtarake. Këta heronj të heshtur, të kërcënuar familjarisht me jetë (si Y.Gj, J.P, etj..), që nga ajo kohë, kanë braktisur Atdheun.

Mbrojtja e MM e SHPFA u realizua në formë rrethore me disa perimetra me formacione të shkallëzuara, me kate dhe në thellësi deri në tarracat e objekteve. Mjetet e blinduara u pozicionuan në pjesën lindore dhe perëndimore, zona këto ku mund të depërtohej e të sulmoheshin objektet. Operacionin e këtyre trupave e drejtonin oficerët Kujtim Doku, Leonard Tërthorja, Elmaz Sula.

U caktuan pikat e kontaktit dhe drejtimit, kryesore dhe rezervë, mënyra e funksionimit të  ndërlidhjes dhe bashkëveprimit me trupat e institucionet. Kështu nisi zbatimin e detyrës në ditën e 14 shtatorit të vitit 1998, batalioni i Policisë Ushtarake.

 

OPOZITA NË KRYE TË REBELIMIT

Në vijim, nëpërmjet agjentëve e kontrolleve ndiqnim zhvillimin e situatave në objektet e caktuara për mbrojtje, mbanim nën mbikëqyrje trupat dhe moralin e tyre.

Rreth orës 10:00, nga informacioni i besueshëm mësojmë se në qendrat operacionale të MM dhe PU ishin me shërbim eksponentë të lidhur me opozitën e asaj kohe dhe jepnin informacion krerëve të PD që ishin në udhëheqje të rebelimit.

Njëkohësisht, kishte prej tyre që kishin ndërruar shërbimin për të qenë prezent në këtë datë dhe mund të përfshiheshin në sabotazhe. Pra, nisur dhe nga ky informacion, kishim konkluduar se revolta e armatosur, ishte e përgatitur. Informohemi se njerëz të armatosur dilnin nga lokalet në ish-Parkun Rinia, e bashkëngjiteshin turmave të PD, ndërsa furgonë të ndryshëm shkarkonin armë dhe municione në turmat civile…

 

OPERACIONI I PARË

Shefi i eskortës së Ministrit të Mbrojtjes, kërkoi ndihmë duke shpjeguar se situata po precipitonte dhe se eskorta e ministrit, ishte me duar në xhepa….

Ne këtë kohë, rrugët në drejtimet e hyrjes së MM ishin të bllokuara. Kishte filluar terrori dhe pasiguria, kishte qitje pa pushim në ajër e përhapje terrori. Parku ‘Rinia’ ishte kthyer në shesh lufte. Me automjetet ushtarake nuk mund të bëhej furnizimi në objektin e MM, pasi u dyshua për sulm mbi ‘to dhe grabitjen e armatimit e pajisjeve. Po të binin këto në duart e civilëve, dëmi do ishte shumë i madh.

Për realizimin e këtij operacioni, me qëllim fshehtësinë e sigurinë e tij, u përzgjodh oficeri Astrit Osmani, detyrë të cilën e pranoi, ndonëse nuk lidhje me veprimtarinë operacionale të PU.

Me automjet privat me cilësitë e aftësitë e tij, ai mund të depërtonte në rrugicat për në MM, në mes të plumbave e terrorit. Ai bëri disa rrugë, solli armatim, municione  e pajisje antiplumb për eskortën e MM. Trimëria dhe guximi i tij, si dhe e të tjerë, kurrë nuk u vlerësuan.

 

OPERACIONI I DYTË

Komandanti i Brigadës Transportit në Pezë denoncon për grabitjen e njësisë, automjetit, armatimit e municionit si dhe drejtimin e lëvizjes së bandës. Në realizimin e këtij operacioni u angazhua oficeri Leonard Tërthorja me disa trupa të PU, si Agim Rasha, Luan Rasha etj. Ata, në kohë rekord bënë bllokimin e arrestimin e autorit, sekuestroi automjetin dhe armatimit të grabitur.

 

OPERACIONI I TRETË

Me qëllim zbulimin e autorëve të interesuar që mund të jepnin informacion turmave e merrnin pjesë për akte  sabotazhi, u bë një plan kombinacioni e operacion mashtrimi e kërcënimi me radiot në dispozicion të PU, nën drejtimin e oficerëve Ali Mena, Asim Gruda, Namik Goga etj, ku agjentët që dispononin radio raportonin për lëvizje trupash ushtarake, vendosje armësh të rënda e përforcime të tjera, provokime për dezertime në radhët e policisë ushtarake….etj.

U bllokuan e paralajmëruan disa të dyshuar që lëviznin për të parë se ku janë vendosur këto armë të rënda.

Pas këtij operacioni, agjenti B. M, informon se kryetari i opozitës ka dalë në konferencë shtypi dhe kërkon “largimin e trupave greke nga Tirana”. Ky ishte dezinformim. Një muaj më parë Policia Ushtarake ishte pajisur me uniforma të NATOS e shenjat e tyre, automjete të blinduara, automjete të tjera për transport për mbështetje trupash, pajisje antiplumb, jelekë e skafandrave antiplumb, pajisje për policinë kriminale etj. Automjetet ishin të pa targuara, mbase këto uniforma tonat dhe disa lëvizje trupash për ndërrim shërbimi u kanë ngjarë me trupa greke.

 

SULMI MBI KRYEMINISTRI

Pranë kryeministrisë ngjarjet precipituan në mënyrë të shpejtë e të dhunshme. Turmat kanë braktisur arkivolin e Azem Hajdarit. Dhe kanë sulmuar Kryeministrinë, përfshi edhe me armë antitanke. Është bërë grabitja e tankeve të Gardës. Kanë humbur kontrollin mbi detyrën Garda e Republikës dhe policia e shtetit. Turmat vazhdojnë pushtimin e TVSH…. Tirana u vendos nën kontrollin e terrorit. Unë ndiqja situatën përfshirë edhe me agjentët brenda turmave të PD-së…

Duke veçuar heroin e heshtur Y.GJ., ata mbi Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Energjetikës, Parlamentit, etj, merrja kontakt me trupat  paralajmëroja për detyrën e moralin e tyre.

Urdhërova vënien në gatishmëri për operacion të gjithë trupat e Batalionit të Policisë Ushtarake në vend-dislokimin e rajonit të përhershëm të cilat ishin në pritshmëri. Qëndrimi në pritshmëri e gatishmëri për marrje detyrash, mu raportua nga oficeri përgjegjës Arsen Mema.

 

TANKET NË BULEVARD

Nga raportimi i ri e informacioni i besueshëm mësoj se dy tanke me persona të armatosur me armë automatike mbi kullat e tyre, përfshirë edhe armë anti-tanke janë nisur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, drejt Ministrive të Mbrojtjes e Rendit. Informohem se mitralozët e tankeve kishin një komplet municioni dhe shiritin e vendosur në folenë  e fishekëve. Televizioni Shtetëror ka rënë në duart e bandave të armatosura. Kryeministria është djegur e vazhdon plaçkitja. Po vidhen zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nis dhe sulmi mbi godinën e Parlamentit dhe djegia e tij..

Pas pak, para syve të mi, para MM, u shfaqen tanket. Nuk kryen veprime në drejtim të objektit tonë, ndonëse hidhnin parulla kërcënuese e fyese, ata vazhduan rrugën në drejtim të Bankës.

Agjenti i vendosur sipër Ministrisë së Energjetikës më informon: “Po sulmojnë Bankën Kombëtare dhe se një eksponent i PD-së, Ferdinand Xhaferri, doli para tankut dhe i paralajmëroi se ‘me bankën nuk keni punë, të shkojmë tek PD-ja’”.

Tanku u nis drejt PD-së. Nga raportimi i ri e informacioni i besueshëm i agjenteve mësohet se bandat e armatosura filluan plaçkitjet e djegiet në Tiranë. Për momentin djegia e plaçkitja po vazhdon rrugën Qendër-Stacioni i Trenit (tani “Zogu i I”). Plaçkisnin e djegin një supermarket me pajisje elektro-shtëpiake. Pranë tregut çam u sulmua e po plaçkitet një supermarket televizorësh etj.

 

URDHRI, “RA SHTETI!”

Rreth orës 15:30 minuta, më komunikohet një urdhër i papritur. Drejtori i Policisë Ushtarake, kolonel Piro Lutaj më urdhëroi: ”Merr trupat e Policisë ushtarake dhe largohu nga detyra e marrë në mëngjes, pasi pushteti ka rënë!”.

Më tha gjithashtu të lëvizja me trupat në drejtim të Tiranës së Re për në vend dislokimin e rajonit të përhershëm. Ky urdhër mu komunikua në prani të oficerit B.L dhe agjentit Q.H.

Oficeri B.L, pasi dëgjoi këtë urdhër të paligjshëm, fyeu rëndë titullarin dhe u larguan së bashku për në Ministrinë e Mbrojtjes, duke shkëmbyer midis njëri-tjetrit fjalë fyese e kërcënuese.

Oficeri B.L., këtë informacion(pakënaqësi) e ka shkëmbyer(ka debatuar) edhe me ish-Ministrin e Mbrojtjes Sabit Brokaj. Tani oficeri ka emigruar jashtë Atdheut. Njëkohësisht, ky oficer që tani ndodhet në emigrim, ka trajtuar informacion të mëtejshëm me ish-Ministrin e Mbrojtjes Sabit Brokaj, kryesisht lidhur me panikun e titullarëve të ministrisë që pyesnin: ”Po neve nga do të ikim…?”.

 

KUNDËRSHTOJ URDHËRIN

Në këtë situatë të rëndë, unë oficeri me kapelën e vënë në kokë që në moshën 14 vjeç (skënderbegas), duhet të zgjidhja turpin, të braktisja ndërgjegjen dhe moralin tim të formuar që në atë moshë për zbatimin e urdhrit të paligjshëm, apo bindjes së ndërgjegjes time në misionin tim në betim e bërë para flamurit!

Vendosa të urdhëroj trupat për parandalimin e terrorit mbi Tiranën, pavarësisht kostos që mund të paguaja.

Urdhërova për operacion trupat e dislokuara në Sauk të paraqiteshin pranë Ministrisë së Mbrojtjes me drejtim lëvizje: Sauk-Rruga e Elbasanit–Qendër-kthimin në rrugën drejt RTV Shqiptar-daljen pranë Kryeministrisë-drejt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të marr detyrën në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sapo kolona e trupave të PU u fut tek RTVSH , pushtuesit e RTVSH-së, kishin ulëritur prapë se erdhën trupat “greke”. Ne kishim agjentët tanë në vend. Ata na raportojnë se ka shumë persona të çorientuar që nga dialekti duken si Kosovarë. Ata pyesnin po në dialektin e tyre se nga do iknin e se ku do shkonin, pasi dukej që nuk e njihnin Tiranën.

 

URDHËRI PËR OPERACION

Në vend Drejtim-Komandim pranë MM, urdhërova operacionin për marrjen e tankeve të gardës pranë PD-së. Caktova në këtë operacion si përgjegjës Namik Gogën dhe Ali Menajn të cilët u nisën me katër transportues të blinduar. Do të patrullonin në rrugën pas Ministrisë së Rendit, tani ‘Rruga Pedonale’, para PD–së, ish-Hotel ‘Drini’, në veri të Ministrisë së Rendit, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e kthim.

Trupat sapo mbërritën drejt selisë së PD-së u goditën me zjarrin e mitralozave të tankeve të vendosura para godinës si dhe me armë të tjera automatike. Në xhiron e parë të patrullimit pati vetëm disa dëmtime në xhama dhe  gjurmë në pjesët ballore dhe anësore të automjeteve, që dukeshin gërvishtje. Xhirot patrulluese vazhduan.

Po kështu mbi trupat e PU, vazhdonte dhe sulmi me zjarrin e armëve nga mbështetësit në PD që e kishin kthyer godinën në fortifikatë.

Rezultoi se plumbat e mitralozave 12.7 mm të tankeve dhe armëve automatike nuk depërtonin brenda transportuesve të blinduara ku ndodheshin trupat tona.

Patrullimi vazhdoi pa ndërprerje, gjersa luftëtarëve të PD-së u mbaroj municioni. Pas mbarimit të municionit personat e armatosur u futën në bodrumin e PD-së dhe tanket u dorëzuan. U identifikua një nga autorët që qëllonte me mitralozat tek PD-ja mbi trupat e policisë shtetasi si M.R. Ndërsa shtetasi L.S, ka treguar ngjarjet në bodrumin e PD-së. Ai tha se me ushqim për të ngrënë janë furnizuar nga motra e A.H.

 

VAZHDIMI I OPERACIONIT

Mbërritja e trupave shtesë të Policisë Ushtarake në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” shënoi edhe daljen e 5-6 makinave të operacionit “Shqiponja” nga drejtimi jugor i Ministrisë Rendit për në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, e në drejtim te kryeministrisë.

Në këtë kohë, trupat e Policisë Ushtarake u caktuan në operacion kërcënimi me patrullimin e rrugëve në Tiranë me drejtimet: Sheshi “Nënë Tereza”- Stacioni i Trenit, patrullim në rrugën Kombinat-Kinostudio, Ministria e Mbrojtjes- Spitali Ushtarak, dhe rreth unazës së Tiranës. Tek qytetarët filloi të kthehej shpresa. 

GODINËN E PD-SË, BUNKER ARMËSH E MERCENARËSH

Për këtë situatë u raportova eprorëve të mi, ish Ministrit të Rendit, të ndjerit Perikli Teta(në radion e përgjegjësit të eskortës së tij), përgjegjësit Islam Duçkollari.

U raportova për një numër të madh njerëzish në posedim armësh të futur në bodrumin dhe në selinë e Partisë Demokratike, duke këmbëngulur vazhdimin e operacionit për çarmatimin e tyre.

Rreth orës 19:30, nëpërmjet agjentit Y.GJ, informohem për tentativën (nga të rebeluarit e mbetur në godinën e PD) për të blerë 2 transportues të blinduar.

Pasi informacioni u vërtetua nga oficeri N.G, u bë ndërrimi i shofereve të transportuesve të blinduar. Në këtë ofertë ishin shuma të mëdha parash. Transportuesit kërkoheshin për të larguar personat e armatosur në bodrumin e PD-së…

Pas mbërritjes në MM  të trupave shtesë, trupat e Policisë Ushtarake u futën në operacion të drejtuar nga Alfred Ahmetceni dhe morën nën kontroll RTVSH. Të drejtuar nga Hasan Rakipi, morën nën kontroll Prokurorinë e Përgjithshme, të Tiranës e gjykatën. Të drejtuar nga oficeri Ramiz Mulgeci, morën nën kontroll Bankat. Të drejtuara nga Murat Fejzo, Albtelekomin, të drejtuar nga Elmaz Sula, morën nën kontroll e siguri DTN. Në orën 21:00 më sollën në përforcim trupat “Komando” të cilët morën nën siguri e ruajtje godinat e djegura e plaçkitura të Kryeministrisë, të Parlamentit dhe të KLSH-së. 

VIKTIMA DHE PASOJA

Nga ky operacion i policisë ushtarake nuk pati incidente e ngjarje të jashtëzakonshme, përjashtuar faktin që pranë Kryeministrisë u vra një grua nga një plumb rikoshetë gjatë provokimit të një roje të armatosur.

Në operacionin kundër rebelëve të opozitës që organizuan ‘Grushtin e Shtetit’ të 14 shtatorit, për përgjegjësi ndaj Atdheut dhe popullit, veçoj ushtarakët Frrok Simoni, Behar Guri, Aqif Muça, Perlat Shehu, etj, komandantët e kompanive, Saimir Reçi, Ramiz Mulgeci, Kujtim Doku etj, drejtuesit e oficerët e policisë rrugore, Mehmet Ramce, Gëzim  Rama, Ramazan Hysa, Bareq Sadiraj, Xhemal Pepnika, Shefit Mero, i ndjeri Fatmir Jashari,  Kujtim Duka,  Ardian Draci, Vesel Sulika etj, të policisë kriminale e gjyqësore Artur Brahimi, Murat Plaka, Robert Gjini, Bashkim Malaj, Istref Istrefi, Adem Bruci, Nevruz Kreka, Luan Cani, Avdulla Hysa, etj.

…Në këto operacione u angazhuan afro 240 trupa dhe 70 automjete të Policisë Ushtarake dhe transportues të blinduar, të cilat kryen akte heroike për vetë rrethanat, ngjarjet, e  situatat e krijuara. 

TRUPAT E BUKOSHIT… DHE FEFLEKSION

…Për mendimin tim 14 shtatori qe një revoltë e mirë organizuar fshehurazi, i një grupi njerëzish, që me mbështetjen e disa simpatizantëve e anëtareve të PD-së, shpërthyen me zemërim dhe me dhunë kundër pushtetit politik të PS-së në Tiranë, duke kërkuar, hakmarrje dhe përmbysjen me dhunë të pushtetit.

Këta i hapën rrugë bandave kriminale që filluan djegiet, terrorin dhe plaçkitjen në Tiranë. Dyshimi im për një bashkëpunim më të gjerë u vërtetua pas marrjes së urdhrit për të braktisur detyrën…

Gjatë një operacioni për sekuestrimin e disa raketave të vjedhura ne bazat e ushtrisë në Tiranë në vend dislokimin e trupave të UCK ose FARK-ut, të krahut të Bujar Bukoshit në Mamurras, trupa këto  të komanduara nga Kolonel Tahir Zema, me të cilin kam kontaktuar personalisht në zyrën e tij, oficer e agjentë të policisë ushtarake, identifikuan efektive të këtij reparti se ishin parë  pranë kryeministrisë në ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998.

Oficeri N.G në një informacion “sekret” kish vënë në dijeni MM, Drejtorin e Policisë Ushtarake, në kundërshtim me procedurën e qarkullimit të informacionit e jashtë dijenisë time. Unë përpilova dokumentet dhe kallëzova në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë veprimtarinë antiligjore, por nuk mora përgjigje gjatë kohës që isha në detyrë, më vonë u informova për pushim çështje me ligjin e aministisë.

Pas afro 10 ditësh u thirra në zyrën e MM, Luan Hajdaraga, në praninë e tij,  Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit  Aleks Andoni, Drejtorit te Policisë ushtarake Kolonel Piro Lutaj.

Ata më falënderuan vetëm mua personalisht për aktin heroik të trupave të policisë ushtarake…e asgjë më tutje në rrugën zyrtare për ata heronj të heshtur, trupat e policisë ushtarake.

Pata kërcënime për të kyçur gojën… Vetë koha e situatat si rrodhen,  koha e ngjarjet,  pasiguria për fëmijët e familjen, efektivat që sakrifikuan mes plumbave,  ishte i pamundur publikimi i këtyre fakteve dhe për të kërkuar e shprehur mirënjohjen atyre.

E gjykova sot, ka ardhur koha që ti besoj gazetës ‘Dita’ këto të vërteta të pa thëna me të cilët unë u përballëm më 14 shtator 1998.

*Skënder Hasmeta, ish- Komandant i Batalionit të Policisë Ushtarake në ngjarjet e 14 shtatorit 1998

 

 

98-198-3shqiperia-kronika-14shtator_313213595Politike-Berisha_PD_shtator_1998_957944136protest13814091998_0