Demi deklaron se 12 krerët e grupeve të punës në 12 qarqet e kishin shndërruar këto qarqe në pronën e tyre dhe të individëve që mbanin njëri-tjetrin si në drejtim të administratës po ashtu dhe në atë të partisë përgjatë mandatit të dytë qeverisës.
“Së pari, me vendim të PD-së, nga pikëpamja partiake, çdo qark drejtohet nga një ‘Grup Pune’. Pas shtatë vjetësh në pushtet, kryetari i ‘Grupit të Punës’ rëndom nuk ka zbatuar orientimet e PD-së për funksionimin e grupit. Kontrolli i zonës nga këta krerë grupesh ka minimizuar autoritetin dhe aktivitetin e deputetëve në bazë, ku këta të fundit nuk ishin efektivë për të bërë fushatën në zonat e tyre elektorale. Mosfunksionimi i Grupit të Punës sipas orientimeve të PD-së, ka ngërthyer një lidhje të shkurtër midis kryetarit të Grupit të Punës së qarkut dhe kryetarëve të degëve apo nëndegëve të PD-së të vetë qarkut. Ky qark i mbyllur partiak dhe lokal lindi klane lokale apo më të gjera, të cilat kënaqnin interesat e një grupi të vogël njerëzish të lidhur nga interesa të ngushta vetjake. Mungesa e transparencës së krerëve të grupeve të punës në qarqe ka bërë që të nxitej korrupsion politik, sidomos në rastet kur në pozicione të rëndësishme lokale janë vendosur miqtë apo njerëzit e tyre, duke mos marrë parasysh kualifikimin dhe kontributin e tyre individual real, me pak fjalë nepotizëm, patronazhe, apo kleptokraci lokale”, -ka deklaruar Demi.
Ish-deputeti i PD-së thotë se administrata drejtohej në disa rrethe nga ekspertë të dobët apo më të dobëtit midis të tjerë. Ai shprehet se korrupsioni ishte i një niveli tjetër, “korrupsion institucional”, që ndryshon nga ryshfetet apo përfitimet e tjera vetjake. Korruptohej institucioni”. Ndërkohë ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, shpjegon gjithashtu se një tjetër arsye pse PD-ja dhe kreu i saj Berisha humbi zgjedhjet ishin dhe tensionet, përçarjet dhe humbja e imazhit të PD-së në nivel lokal, që kishte anëtarësia në bazë për shkak të drejtimit të gabuar, nepotik dhe të korruptuar të drejtuesve të grupeve të punës në çdo qark.