De Biazi i sugjeron Juves mesfushorin Odise Roshi

65

1.Fußball Bundesliga - Saison 2011/2012, Borussia Dortmund - 1.FC KölnNuk është hera e parë që trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka sugjeruar legjionarët kuqezi drejt kampionatit italian, në Serinë A dhe Serinë B. Merkato e dimrit po afron dhe disa lojtarë të kombëtares shqiptare synojnë t’u bashkohen ekipeve elitare të kontinentit. Lajmi më i fundit është se trajneri i kombëtares shqiptare i sugjeron Juventusit që të blejë në janar mesfushorin Odise Roshi. De Biazi është shprehur se ndoshta vetëm ky lojtar nga kampi kuqezi mund t’i përshtatet një skuadre të madhe si Juve. “E gjitha varet nga lloji i ekipit dhe për Juventusin nuk mendoj se është dikush i përshtatshëm. Ndoshta Odise Roshi, i cili është një mesfushor i ri, 22-vjeçar dhe i përket Këlnit”, – thekson tekniku italian.
ROSHI
Odise Roshi është huazuar nga Këlni te FSV Frankfurt, por kërkon të largohet në janar, sepse nuk ka gjetur hapësirat e duhura, kur mendohej se me aktivizimin në Bundesliga 2, hapësirat do të ishin më të mëdha. Pak minuta në fundet e takimeve dhe natyrisht që nuk mund të përshtatesh. Roshi është aktivizuar për 238 minuta dhe janë të shpërndarë në 10 ndeshje kampionat. Shtatë herë ka hyrë si zëvendësues dhe 3 herë të tjerë është zëvendësuar, duke mos mbaruar asnjëherë një 90- minutësh të plotë. Ndryshe nga sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani, i cili ka gjetur më shumë hapësira, duke shënuar edhe 6 gola në këtë start kampionati. Një tjetër futbollist shqiptar që mund të largohet gjatë muajit janar nga skuadra e tij është sulmuesi i Luganos, Armando Sadiku, që e ka të sigurt largimin te një skuadër më e mirë, ku me shumë mundësi do të jetë skuadra St.Gallen e elitës së futbollit në Zvicër, pasi bisedimet kanë kohë që kanë nisur. Në këtë ekip luan edhe Ermir Lenjani.
MIQËSORJA
Siç dihet, më 15 nëntor, kombëtarja shqiptare do të luajë në një ndeshje miqësore me Bjellorusinë, një rival i fortë deri diku, madje e kemi pasur edhe në grup para 4 vitesh. Pas skandalit, ku për pak ekipi ynë kuqezi mund të luante këtë ndeshje në një resort turistik, tashmë takimi miqësor i programuar do të luhet në stadiumin e Antalias, aty ku zhvillon ndeshjet Antaliaspori, që militon në kategorinë e dytë. Trajneri De Biazi ende nuk e ka zbardhur listën e futbollistëve për këtë ndeshje, por vetëm një gjë është e sigurt, emra si Bogdani dhe Dallku, do të mungojnë pasi tekniku italian ka ndërmend që të rinjtë e grumbulluar së fundmi t’u japë hapësirën e duhur, në mënyrë që të konsolidojë një formacion stabël për eliminatoret e Kampionatit Europian 2016. Emra të tillë, si Lenjani, Gashi, Mehmeti, Abrashi, L.Sadiku, V.Basha dhe ndonjë tjetër kërkon t’i shkrijë sa më shpejt me pjesën tjetër të grupit, për të krijuar së pari një bosht, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës të jetë në varësi të kundërshtarëve dhe situatave të lojës, pa harruar edhe nga kushtëzimet e dëmtimeve apo pezullimeve.