Cili nga drejtorët e administratës Berisha do arrestohet i pari?

59

zyra_anti_korrupsion_ne_univer“DITA”

Nga Gjergj Thanasi

Një pyetje dhe “precedenti Gorrea” i shkurtit 2006, kur prokuroria arrestoi Luiza Hoxhën  ish-deputete e PS-së, ish prefekte, ish-drejtoreshë të përgjithshme të postave dhe anëtare e KPD-së. Disa momente nga orët e dorëzimit të pushtetit në 2005 dhe ditët e fundit të Berishës. A ka nisur të furnizohet “me lëndë të parë” Prokuroria? A do shtrihet rasti Ksera? Sa milionë euro mund të rikuperohen nga ministrat Bode, Ruli, Imami e Noka? Çfarë presin shqiptarët pas dekorimit të zyrave dhe pastrimit të spitaleve?

Në 3 korrik 2005 PD-ja pas tetë vitesh në opozitë me ndihmën edhe të aleatëve fitoi ngushtë, mbi socialistët  e velur deri në kalbësi pas 8 vitesh pushteti. Fitorja ishte paralajmëruar nga i ndjeri Potter Goss, numri 2 i CIA-s, që pak javë para zgjedhjeve i kishte “prerë biletën” Nanos dhe qeverisjes socialiste.

Në 2005, periudha e tranzicionit deri në shtator u përdor nga administrata e lartë socialiste për të rikontrolluar dosjet, praktikat e ndryshme të punës me synimin për të eliminuar sa të ishte e mundur çdo gjurmë hajdutërie dhe korrupsioni. Në të folurën popullore ministrat dhe drejtorët e majtë po kopsisnin letrat me ngut dhe me shumë përkushtim..

Fitorja plebishitare e boshtit PS-LSI në zgjedhjet e qershorit të këtij viti pati tjetër efekt mbi administratën “Berisha”, shumëfish më të korruptuar se administrata Nano e vitit 2005. Ministrat, zyrtarët e lartë të administratës në vend të kopsitjes së letrave dhe fshirjes së gjurmëve të hajdutërisë iu futën vjedhjes e plaçkitjes me temp të përshpejtuar. Motoja e këtyre kolltukofagëve ishte: të vjedhim e të rrëmbejmë çfarë të mundim deri ditën e fundit, që të ndenjurat tona do ulen në kolltuqet e zyrave të pushtetit. Ky qëndrim kontrastonte dukshmë me qeverinë socialiste të vitit 2005. “Mamuthi i korrupsionit” përshembull, pastronte letrat në 2005, ndërsa financieri Bode në 2013 firmoste për emërimin në dogana edhe të kushërinjve të katërt apo të pestë. “Duka i krimit” mbyllte dosjet e punës në Ministrinë e Bujqësisë në 2005 ndërsa “druri i arrës” i Salës firmoste tendera edhe ditën e fundit të pushtetit në 2013  njëlloj si me kontratën e ACR-së në Bulqizë, në 2009. Madje edhe figura anektodike si Aldoja i fakseve gërdeciane të Shkëlzenit apo “Sherlok Holmsi” Mul Noka bënin emërime në vende pëllumbash dy muaj pasi kishin humbur zgjedhjet duke lënë litarët jashtë, që të pengohej e të thyente qafën kryeministri i ardhshëm Rama. Tipik është edhe emërimi me kohëzgjatje dy tre javore i Prefektes së Tiranës, apo emërimi djallëzor i Meidanit në drejtorinë e doganave.

Shkurt puna, këtyre myteberëve jo vetëm që u kishte plasur cipa, por kishin harruar edhe frikën. Ata kanë menduar që sekserë mediatiko-opozitarë pranë kryeministrit të ri Edi Rama do shërbejnë si zyra Aluizni e sekserllëku për të legalizuar veprimet e tyre antiligjore madje edhe ‘pas pilafit”, d.m.th., pas humbjes spektakolare të 23 qershorit.

Por Edi Rama ka folur për një mision të madh të jetës së tij në këtë mandat. Shqiptarët shpresojnë që ky mision të mos jetë thjesht dekorimi (plot shije) me harta mesjetare i mureve të Kryeministrisë apo spastrimi nga ambjentet e spitaleve i hale-mejhaneve. Por ndëshkimi-burgosja e fajtorëve dhe rivendosja e drejtësisë sociale.

Skota e hajdutëve të ish-qeverisë Berisha ka harruar një precedent të shkurtit 2006, kur prokuroria arrestoi Luiza Hoxhën  ish-deputete e PS-së, ish prefekte, ish-drejtoreshë të përgjithshme të postave dhe anëtare e KPD-së. Luiza u arrestua, gjykua dhe vuajti dënimin për një dëm të shkaktuar shtetit në vlerën 3 milion e 200 000 Euro. Arqile Gorreja drejtori demokrat i postave e kishte besuar me të vërtet parrullën demagogjike të Berishës: Qeverisje me duar të pastra. Në zbatim të kësaj parrulle duke shfrytëzuar edhe faktin, që zonjusha Hoxha kishte lënë si të thuash gjurmë elefanti në aferën 3,2 milion euroshe të pullave të postës, drejtori Gorreja pa ngurruar firmosi shkresën për të kallëzuar në prokurori paraardhësen e tij.

Ky është precedenti Gorreja. Ky precedent mund të shërbejë fare mirë si manual për Kryeministrin Rama për të shkuar përtej face liftit të kryeministrisë te furnizimi me ‘lëndë të parë” i prokurorisë.

Drejtorët dhe ministrat e rinj duhet të provojnë me vepra jo me fjalë, që rilindje nuk do të thotë, se shyqyr Zotit na erdhi rradha edhe neve për të vjedhur gjithçka që la pa vjedhur Berisha me të tijët këto tetë vite. Antidoti më i mirë kundra psikologjisë së radhës për të vjedhur është njohja e menjëhershme e situatës nga titullarët e rinj kuptohet pa e zgjatur maksimumi brenda pak  javësh. Më pas mbetet domosdoshmëri përgatitja e dokumentave për ndjekje penale  për abuzimet e paraardhësve.

Të tilla ndjekje penale mund të shërbejnë fare mirë edhe si një nga mënyrat për  të siguruar para për buxhetin e shtetit, që Sala e la siç i la Ramiz Alia dollapet e frigoriferët e shqiptarëve në vitin 1991.

Të tilla operacione mund të sigurojnë të ardhura modeste nën gjysëm milion Euro si në rastin e ministrisë së Kserës, ku çështja tashmë është në duart e drejtësisë, por mund të ketë  edhe “jack pot-e” prej 15-20 milion Eurosh në tatime si psh rasti i biznesmenëve fantazma kinezë dhe ustallarëve të Bodes te tatimet me efekt financiar 15-18 milion Euro. Dikasteri Imami i shndërruar në shpellën e Ali Babës mund të sigurojë rekuperimin në favor të shteti të miliona eurove të tjera. Mjafton të përmendim këtu afera të tilla si skrapet e metaleve me ngjyra në Mjekës, skrapet e mjeteve detare si nëndetëse, anije silur kapëse, rimorkjator, kater rade etj apo eksportin e 1000 (një mijë) tonëve lëndë eksplozive te “sivëllezërit” sllavë. T’i hysh pastaj hajdutërisë së rrugëve në kohën e Lulushit-Tuneli i Kalimashit dhe në kohën e Olldashit-Tuneli i Kërrabës do të thotë të rikuperosh dhjetra milion Euro.

Ministria e Brendshme përveç impaktit direkt te qytetari mund të prodhojë para për buxhetin, nëse njësia e super-prokurimeve e koncentruar në këtë dikaster kalohet në sitë. Aty krahas “xhevahireve” për prokurimin e uniformave të reja të policisë, furnizimit me karburante etj do peshkoheshin miliona Euro në tenderimet, që janë bërë  në favor të dikastereve të tjera. Edhe Ministria e Bujqësisë në duart e një hajduti veteran si Ruli mund të ofrojë çudira e të prodhojë miliona Euro për buxhetin nëse stafi i ri vërtet është për integrim europian jo për hajdutëri të stilit afrikan.

A është e lehtë të bëhet kjo? Sigurisht që jo! Por kryeministri i ri gjithsesi publikisht u ka bërë një premtim shqiptarëve: Po bëhem kryeministër që të le gjurmë. Me këtë premtim ai ka treguar se të paktën verbalisht ka këllqe t’i kundërvihet me kopaçe në dorë hajdutërisë, që trashëgoi nga qeveria Berisha. Të emëruarit e tij përgjithësisht nuk kanë hipoteka korrupsioni dhe hajdutërie nga e kaluara. Kanë rastin ta tregojnë veten.

Në këtë rast precedenti Gorrea fare mirë mund të shërbejë si referim. Fjala vjen, nëse zonjusha Spiropali si Drejtoreshë e Doganave arrin, të mbushë buxhetin me detyrimet doganore duke çuar njëkohësisht kontrabandistët dhe nëpunëist e korruptuar për ndjekje penale, atëhere Kryeministri Rama mund ta mbajë atë për tetë vjet drejtoreshë doganash, siç e mbajti Berisha Gorrenë për tetë vjet drejtor postash, pasi futi në burg paraardhsen e vet.

Kush thotë që shqiptarët nuk e duan këtë drejtësi pas 23 qershorit, gënjen veten dhe ata që ka përreth. Shqiptarët natyrisht dëshirojnë të jetojnë në paqe, gjithnjë e më mirë, njëlloj si europianët. Por gjithsesi shqiptarët janë gati të durojnë edhe sakrifica momentale me kusht, që të rivendoset drejtësia sociale dhe shteti i sundimit të ligjit.

Nuk duhet të ketë më drejtorë  e ministra të paprekshëm! Shprehur më shqip banorët e këtij vendi duan, që hajdutët të shkojnë në burg e të mos kapërdisen bulevardeve të Tiranës majë jaguar-it si mizat në majë të m….