Celibashi: Riformatim KQZ-së do t’i rikthejë këtij institucioni legjitimitetin

52

Celibashi-PS1Duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të riformatohet plotësisht. Këtë e ka pohuar ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh ish-kryetar i këtij institucioni, Ilirian Celibashi, i cili tha dje për “Albanian Screen” se qeveria e re ka në axhendë rifomratimin e KQZ-së, duke propozuar një model tjetër për funksionimin e saj. Celibashi theksoi rëndësinë që ky institucion të ristrukturohet, në mënyrë që t’i kthehet legjitimiteti.

“Ky institucion meriton të reformohet, pasi vetëm në këtë mënyrë atij do t’i kthehej legjitimiteti. Rikthimi i legjitimitetit do të bazohet tërësisht në ligj. Mund t’ju them paraprakisht se do të ofrojmë një model krejt të ri, një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani.

Kjo çështje është në axhendën e qeverisë së re. KQZ-ja duhet të jetë apolitike dhe kjo do të thotë një KQZ me një anëtar”, tha Celibashi. Por riformatimi i KQZ-së, e cila është aktualisht me vetëm katër anëtarë nga 7 që duhet të ketë ligjërisht, kërkon të paktën 84 vota pro në parlament për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor dhe 94 vota pro për ndërhyrjet e mundshme në Kushtetutë.

Për sa i përket ligjit themeltar të shtetit, sipas Celibashit, mazhoranca është e gatshme që ta ndryshojë atë, nëse lind nevoja edhe për reforma në drejtësi.  Një tjetër nismë  që duket se do t’i nënshtrohen ndryshimeve,  përveç ligjit të nëpunësit civil, është dhe rregullorja e Parlamentit. Ndërhyrjet në rregulloren e Parlamentit kanë për qëllim rikthimin e votimeve të fshehta.

“Nëse do të duhet për të ndryshuar dhe Kushtetutën dhe të marrin reforma të karakterit kushtetues, për të arritur këtë qëllim, jam i sigurt që as opozita s’ka pse të jetë kundër. Një gjë jua them me siguri të plotë, që çdo sipërmarrje, qoftë kushtetuese, qoftë e karakterit ligjor, ne do ta bëjmë objekt të diskutimit dhe të marrjes së konsensusit nga opozita”, tha Celibashi.