Bylykbashi:Rama-Meta, kontribuesit e rritjes së korrupsionit

44

BYLYKBASHIPartia Demokratike ka akuzuar mazhorancën për rritjen e korrupsioni në Shqipëri.

Në një konferencë për shtyp, deputeti demokrat Oerd Bylukbashi theksoi se shqiptarët e panë me zë edhe figurë korrupsionin që u bë me vjedhjen e votave në Korçë.

“Bashkëkryeministrat Rama-Meta janë kontribuesit kryesor të rritjes së korrupsionit në Shqipëri. Kur shqiptarët e shohin korrupsionin me zë dhe figurë perceptimi i tyre për korrupsionin ngjit shkallët ndërsa besimi i tyre për institucionet bie. Nëse qeveria blen votat si në Korçë mes shqiptarëve është ulur këmbëkryeq forma më e egër e korrupsionit, korrupsioni politik që është nëna e të gjithë formave të korrupsionit dhe keqqeverisjes. Kur policia  e shteti vihet në kapistallin politik të qeverisë, në krye të saj vihen numëruesit  e parë dhe donatorët e partisë në pushtet mesazhi që marrin shqiptarët është se duhet të jenë të bindur dhe duhet të paguajnë  haraç tek taksidarët e qeverisë. Kur kryeinspektori i INUK ka lejen e kryeministrit për të prishur çdo ndërtesë me leje ose pa leje qytetetarët duhet ta kuptojnë se e vetmja zgjidhje për ta nuk është ligji por të paguajnë gjobën tek kryeministri” tha Bylykbashi.

Ndërsa i ka cilësuar propozimet e qeverisë për të luftuar korrupsionin si demagogji, PD thekson se Kryeministri Rama kërkon të gënjejë shqiptarët dhe partnerët duke sjellë pa asnjë konsultim projektligje që gjoja do të luftojnë korrupsionin.

“Partnerët tanë ndërkombëtar si OPDAT, pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe OSBE e quajnë këtë propozim damagogjik si një hap prapa në luftën kundër korrupsionit. Demagogjia në luftën kun dër korrupsionit është po aq e rrezikshme sa edhe vetë korrupsioni” përfundoi Bylykbashi.