Buxheti 2014, LSI propozon tre amendamente

45

Petrit VasiliNë një Konferencë për shtyp, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se LSI ka depozituar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës 3 amendamente, që kanë lidhje me buxhetin 2014 dhe që do të diskutohen në seancë plenare, ditën e shtunë.

Këto amendamente sipas Vasilit, kanë të bëjnë me kalimin e 20% të të ardhurave të akcizës mbi duhanin, si fond për Ministrinë e Shëndetësisë; rritjen e moshës për “chek-up’ nga 60 vjeç që është aktualisht në 65 vjeç; dhe me  mos ndryshimin e tatimit mbi biznesin fason, pra ky tatim të ngelet në shifrën 10%.

“Në mënyrë konkrete grupi parlamentar i LSI-së ka propozuar që së paku 20 % e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si një fond shtesë në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sepse siç dihet, rritja e kësaj akcize ka pasur një motiv themelor, unik, pikërisht mbështetjen për shëndetin publik duke e konsideruar pirjen e duhanit si një dëmtues madhor të shëndetit publik. Shtimi i këtyre fondeve në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë do të ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm për organizimin e fushatave të promocionit për luftën kundër duhanit, jo vetëm për të zbatuar mirë ligjin për duhanin në ambientet publike, por edhe për të reflektuar për shtesa të caktuara të barnave në mënyrë të veçantë për sëmundjet respiratore, pra të rrugëve të frymëmarrjes, që shkaktar kryesor kanë pirjen e duhanit.

Së dyti, ne kemi propozuar gjithashtu një ndryshim tjetër që ka lidhje përsëri me shëndetësinë që ka të bëjë me “check-up”-in, pra kontrollin nga mosha 40 deri në 60 vjeç siç është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, propozim që ne e mbështesim në tërësinë e tij, por është shumë e rëndësishme që ky “check-up” të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç për disa arsye të rëndësishme që janë arsye të karakterit edhe shkencor, por edhe fiziologjik, sepse siç mund ta gjykoni edhe ju lehtësisht mbulohet një fashë aktive.

Një amendament tjetër i rëndësishëm, është propozimi ynë që për sa i takon biznesit fason tatimi mbi të ardhurat lidhur me këtë biznes të vazhdonte të qëndronte në masën 10% “- tha Vasili.