Bujar Qamili: U emocionova kur më duartrokitën italianët

22

bujar qamiliNjë nga këngëtarët më të njohur të muzikës popullore shqiptare ishte i ftuar në Romë, ku performoi në Felt Club jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe atë italian. Bujar Qamili me çiltërsinë e tij, arriti të pushtojë zemrat e të gjithë publikut.Në një intervistë për “Albaniaplus” ai tregon emocionet e kësaj feste dhe detaje nga jeta e tij.

Zoti Bujar ndodheshit në Romë apo ju dërgua një ftesë, ku erdhët posaçërisht për të kënduar?

Ishte një ftesë nga “Albania Party at Rome”. E prita me shumë kënaqësi sepse e dija që do ndodhesha midis miqve e simpatizantëve të mi. Isha i bindur që do kaloja një natë shumë të bukur, ashtu siç e patë dhe ju vetë. Kam ardhur nga Shkodra me një dëshirë të madhe, që të kalonim të gjithë së bashku një natë të bukur.

Është hera e parë që vini në Romë?

Është e katërta herë që vij në Romë. Kam paSur e koncerte të tjera, por mbrëmja e sotme ishte më e veçanta.

Mund të na tregoni diçka rreth karrierës tuaj?

Unë e kam filluar jetën artistike shumë i ri, që në moshën 14 vjeçare, kur ende isha në shkollën 8-vjeçare. Kam kaluar në Klubin e Rinisë dhe më pas në Estradën Profesioniste të qytetit të Shkodrës, në të cilën kam vazhduar të këndoj për 12 vjet radhazi. Mbas disa viteve zëri mori përmasa të tjera duke kënduar në skenat më të fuqishme, siç ishin festivalet e interpretuesve të këngës popullore në Radion dhe Televizionin Shqiptar. Në ato vite është organizuar koncerti “12 në Hollivud”, i cili ishte me të vërtet një koncert shumë i bukur. Gjithashtu edhe koncerti i mbrëmjes popullore, ku kam marrë çmime të ndryshme. Jam fitues i çmimit të parë në Maratona e Këngës Popullore, i Diskut të Artë dhe i Folk Universit. Koncertet e mia kanë qenë të shumta jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën si në: Gjermani, Angli, Francë, Romë, Luksemburg etj. Po kështu edhe në Australi dhe Amerikë, si: Neë York, Chicago, Las Vegas, Filadelfia, Florida, etj. Dmth aktivitete e mia kanë qenë të shumta. Jam munduar të këndoj gjithmonë sa më bukur, pastër, ashtu siç është edhe vetë kënga jonë shqiptare. Në vitin 2002 nga ish Presidenti Rexhep Mejdani nderohem me titullin këngëtari i urdhërit “Naim Frasheri i Artë, artist i merituar”, në 2010 ish-Presidenti Bamir Topi më jep titullin “Mjeshtër i madh-artist i popullit”.

Sot nuk performuat vetëm për publikun shqiptarë, por edhe atë italian, të cilët kanë kërcyer me kënaqësi vallet popullore. A jeni i kënaqur, që nuk njiheni dhe vlerësoheni vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt?

Jam i lumtur që zërin tim, muzikën time nuk e pëlqen vetëm komuniteti shqiptar. Ndjeva kënaqësi të madhe kur mora komplimente edhe nga ata.

Shkodranët e kanë traditë të njihen kudo…?

(Qesh) Shkodra është një qytet me traditë jo vetëm në muzikë, por edhe në sport, kinema, teatër etj. Kudo që të shkosh është e pamundur mos hasësh me një shkodran.