Ilir Meta dekoroi ish ambasadoorin e SHBA-së Arvizu

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot ish ambasadorin e SHBA-së në Shqiëri, Aleksandër Arvizu.

Ceremonia u mbajt në institucionin e Presidencës në prani të shumë personaliteteve shqiptare.

Vetë ish ambasadori  Arvizu u shpreh i emocionuar për këtë nderim që i bëhet nga Presidenti Meta.

Dënohet me 20 muaj burg gjyqtari Shkëlqim Miri

Gjykata dënon me 1 vit e 8 muaj burg gjyqtarin Shkëlqim Miri. Ai akuzohet për korrupsion.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 4 vite burg të ish gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri, duke pranuar gjykimin e shkurtuar dënimi mund të zbriste deri në 2.8 vite.

Arrestimi i Shkëlqim Mirit u bë një vit më parë pas një hetimi të nisur nga prokuroria nën akuzan e korrupsionit, pasi dyshohet se ka përfituar shumën prej 30 mijë eurosh në këmbim të ndryshimit të kualifikimit të veprës penale të një ngjarjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.

Dyshohet se gjyqtari ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje. I akuzuari quhet Gentian Doda, i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në SHBA. Në fillim të nëntorit gjatë kontrollit të banesës iu gjetën 30 milionë lekë në shtëpi të cilat u sekuestruan fillimisht nga prokuroria . Ai ishte emëruar që prej vitit 2010 në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe deri në vitin 2012-të ka qënë anëtar i KLD-së.

Han: Duam marreveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Komisionieri për Zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn por dhe zyrtarë të tjerë të lartë europianë ndodhen në takimin e Nivelit të Lartë.

Hahn nënvizoi: “Shqipëria ka bërë progres në implementimin e reformës në drejtësi. Duam një marreveshje mes Kosovës dhe Serbisë.”

Të pranishëm janë dhe McAllister, Kukan, Fajon, Fleckenstein.

Shqiptarët e Brukselit festojnë te

Në Bruksel u festua dje dita e pavarësisë së Shqipërisë. Qytetarë të shumtë pjesë e komunitetit shqiptar që jeton në Belgjikë, ishin pjesëmarrës në një koncert festiv dhe veprimtari të tjera organizuar me rastin e festave të nëntorit. Mbi “Atomium”, monumentin simbol të kryeqytetit belg u vendos një flamur kuq e zi e ndërsa të pranishmit shijonin aktivitetin me ngjyrime kombëtare shqiptare. Nën petkun e Skëndërbeut, një aktor performoi në rolin e heroit tonë kombëtar më 28 nëntor të vitit 1443, hipur mbi një kalë.

Organizator i kësaj veprimtarie patriotike ishte Ahmet Gjana, deputeti i parë shqiptar në parlamentin e Brukselit. Nuk munguan në këtë eveniment edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel Suela Janina dhe ai i Kosovës Bernard Nikaj. Me rastin e festave të nëntorit në Bruksel janë organizuar disa evente në përkujtim të dative të shënuara që kanë bërë historinë e shtetit shqiptar.

Basha: Situata e krijuar, aferë korruptive e Ramës.

Kreu i PD, Lulzim Basha foli për vijë të kuqe në rastin e prishjes së banesave nga prekja e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.

Në një dalje për mediat nga selia blu, kreu i opozitës u shpreh se Unaza e Madhe është një aferë korruptive e kryeministrit Rama.

Basha: Mjafton e vërteta për ta kuptuar se kjo është një tragjedi jo vetëm për këta banorë dhe qindra vogëlushë, por është një vijë e kuqe që kërcënon fatin e çdo shqiptari dhe shtëpinë e cdo shqiptari. Faktet janë të rënda, nuk ka nevojë për interpretim. Ka dy javë që Rama dhe lukunia e tij barbare me propagandë po i ushqen opinionit publik mashtrime dhe gënjeshtra me shpresën se do tja hedh pa u laguar dhe me shpresën se do të triumfojë antiligji.

Afera e unazës së madhe është vjedhje e hapur direkte nga rama. Gjithcka është negociuar nga rama. Vjedhja përbëhet nga dy komponentë. Rrëmbimi i taksave dhe rrëmbimi i pronave të afro 1000 familje, 317 shtëpitë e të cilave do të prishen në kundërshtim me ligjin.

Rama: Unaza e madhe është konflikt për qëllime politike

Kryeministri Edi Rama nga Libofsha e Fierit ka folur sërish për ndërtimin e Unazës së Madhe. Duke e konsideruar si një konflikt të mirëfilltë për qëllime politike, sqaroi se e ka të pamundur të ndërhyjë në ligj për të legalizuar banesa që preken nga projekte.

Rama: Ky takim ishte planifikuar më parë, por duke qenë se edhe ju jeni në dijeni ose e ndiqni atë konfliktin që është ndezur në mënyrë artificiale për qëllime mirfilli politike në Tiranë tek Unaza e Re, nuk mund ti shmangemi edhe asaj.

Procesi i legalizimit është mbyllur, por ka godina që ligji i ndalon të legalizohen. Është e pamundur të ndërhyjmë në ligj për të legalizuar pushtimin e ish-stacionit që i takon gjithë komunitetit, për të legalizuar pushtimin e një kopshti apo një cerdheje që duhet t’i kthehet komunitetit. Por kam mirëkuptim për këta njerëz dhe kthimi i këtyre pronave tek komuniteti do të bëhet në bazë të projekteve dhe të një trjatimi njerëzor kur bëhet fjalë për një strehë. Jemi ne që kemi vendosur bonusin e qirasë. Nuk mund të të legalizoj aty ku ke zënë hapësirën e përbashkët, apo aty ku është plani për tu ndërtuar kopshti, cerdhja, shkolla apo rruga. Nuk e bën dot shteti të të legalizojë për të të dhënë para sikur të ishe pronar, sepse i bie që gjithë populli që paguan taksa të punojë për të kaluar vite të tera duke paguar ata të cilët janë të palegalizueshëm. Por ama kur bëhet fjalë për shtëpi, ka një përgjegjësi. Pavarësisht se sot në Shqipëri ka plot njerëz të nderuar, që nuk e kanë shtëpinë e tyre dhe qiranë e paguajnë me rrogën e tyre dhe ndërkohë me taksat e tyre paguhet bonuesi i qirasë për këta të tjerët.

Ka diçka që sidoqoftë është e diskutueshme. Megjithatë është e arsyeshme përderisa prishja e një godine që pengon zhvillimin e një projekti publik bëhet në një kohë me një afat të ngushtë dhe nuk mund të lihet jashtë.

Në gjithë këtë tymnajë që është ngritur prej kohësh dhe ushqehet për ditë me gënjeshtra, sajesa me mjete disinformimi për të revoltuar miletin është ngritur dhe një sajesë që unë kam thënë që shtëpitë nuk prishin dhe tani po i prish. Por kjo nuk është e vërtetë.

Ne nuk mund të legalizojmë në kurriz të interesit publik, aty ku nuk është e mundur. Që kur filluan prishjet masive në parkun Rinia, pastaj tek Lana, pastaj në gjithë Shqipërinë, të gjitha bashkitë kanë prishur dhe nuk ka pasur një protestë nga opozita politike për të kërkuar atë që ligji e ndalon. Nuk ka pasur, jo për të mbrojtur shtëpitë e atyre atje, por për të mbrojtur interesat e ngushta politike. Luftë për pushtet. Gjej shesh të bësh përshesh. Edi Ramën nuk e mundim dot me votë, atëherë hajde ti vëmë flakën kësaj pune kudo ku na del një mundësi që të hedhim benzinë. Kjo është ajo që ka ndodhur.

Historia e Mirjetës që lindi në Kalivaç dhe u bë shkencëtare në SHBA

Ajo është Mirjeta Pasha, pedagoge matematike dhe studente doktorature për Matematikë të aplikuar në USA. Mirjeta bën kërkim shkencor midis të tjerash, edhe në përmirësimin e skanerave (mamografi, x-rays etj) për të përmirësuar cilësinë e imazhit.

Mirjeta Pasha ka lindur ne Kalivaç, aty është rritur dhe arsimuar, deri në moshën 18-vjeçare. Ajo jetonte me familjen, dhe si çdo fëmijë tjetër, merrej ndonjëherë dhe me punët e fshatit. I bënte për të ndihmuar familjen, por mendjen e kishte te librat, të mësonte dhe të bëhej dikush në jetë.

Mirjeta tregon për dritare.net, jetën e saj, si iku nga fshati, periudhën kur ishte studente, në Tiranë dhe kur ishte më pas pedagoge. Ajo tregon për largimin në SHBA dhe vështirësitë e panumërta që kishte hasur atje. Tregon sesi mori guximin të linte profesionin si pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe të shkonte në “fund të botës”, siç themi ne, pa e ditur se çfarë e priste.

Mirjeta është larguar nga fshati i saj në vitin 2009 dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Natyrore për Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Ndërkohë që jetonte në Shqipëri, dhe sapo kishte përfunduar studimet e larta, Mirjeta ishte punësuar në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës, dhe pas përfundimit të masterit, pati shansin të fitonte një vend pune në Universitetin Politeknik të Tiranës, si pedagoge matematike.

Mirjeta ishte një studente e shkëlqyer në Tiranë, dhe pavarësisht se ajo ishe e punësuar mjaft mirë, përsëri ndjente se diçka nuk ia plotësonte Shqipëria, diçka që vetëm ëndrra amerikane ta përmbush.

Një ditë vendosi të hidhte lotarinë amerikane, pa shumë shpresë që do fitonte, dhe kur dolën përgjigjet, mori lajmin e mirë se ishte fituese.

Ajo, bashkë me bashkëshortin e saj që punonte në Ministrinë e Bujqësisë në atë kohë, u nisën drejt Amerikës, në verë të 2015, dhe pse kishte kundër familjarët që i donin afër dhe i bindnin se ishin mirë këtu.

Ata u nisën vetëm që të rrinin dy muaj, sepse bashkëshorti i saj Edvini, duhej të kthehej në punë, pas lejes.
Në korrik të 2015, Mirjeta dhe Edvini prekën në ëndrrën amerikane, por Amerika nuk ishte siç e kishin menduar. Ishte e kundërta e asaj që ata kishin përfytyruar.
Për dy të rinj, mes një vendi aq të madh, nuk ishte e lehtë.

“Ka qenë komplet ndryshe, nuk përshtateshim dot me asgjë. Gjatë dy muajve që kemi ndenjur në Amerikë, kemi qëndruar te një i afërmi ynë. Ai ka një seri restorantesh në Teksas, dhe punonim aty”, tregon Mirjeta për dritare.net

Ndërkohë që vazhdonin qëndrimin në Amerikë dhe punonin në restorant, Mirjeta aplikoi për doktoraturë, edhe pse nuk kishte shumë shpresë se mund të fitonte, sepse procedurat ishin shumë të komplikuara.

Si përfundim, pas dy muajve, në shtator të 2015-ës, ata u kthyen në Shqipëri. U kthyen, por Mirjeta mendjen e kishte në SHBA, pavarësisht se përshtypja e parë nuk qe e mirë. Amerika kishte diçka që e nxiste atë, të jetonte atje.

Në janar të 2016 Mirjeta mori vesh lajmin e mirë se do të bëhej nënë, dhe kishte dëshirë që vajza e saj Emily Amalia, patjetër duhet të lindte në Amerikë.

Ajo u nis e vetëm për në Amerikë, pasi bashkëshorti i saj nuk mundi ta shoqëronte.

Sapo arriti, Mirjeta mori dhe një lajm të mirë, ishte pranuar për doktoraturë për Matematikë të Aplikuar në Kent State University. Jo vetëm kaq, ajo kishte fituar bursë të plotë.

“Ishte një lajm i mrekullueshëm për mua. Ishte ajo që kisha ëndërruar”, kështu e përshkruan Mirjeta momentin kur ka marrë vesh lajmin.

Në prill të 2016, bashkëshorti i saj erdhi në Amerikë. Fill pas disa javësh lindi vajza, dhe sapo ajo u bë 4-muajshe , Mirjeta nisi të shkonte në shkollë.

Amerika është e vështirë, dhe pikërisht kur u bë me vajzë jeta e saj u vështirësua dhe më shumë. Por ajo është e zonja dhe diti si t’ja dalë, duke marrë dhe mbështetjen maksimale të bashkëshortit.

Ndërkohë që Mirjeta ishte në shkollë ditën, bashkëshorti i saj punonte natën, dhe gjatë ditës, ai kujdesej për vajzën.
“Ka qenë një periudhë super e vështirë. Doktoratura në SHBA është një shkollë e vërtetë. Mua më duhej të bëja 15 orë mësim, isha studente në lëndë super të vështira të Matematikës së Aplikuar. Sinqerisht, as nuk dua ta kujtoj. Kush ka qenë student në SHBA më kupton. Plus kujdesesha që të kisha një familje të shëndetshme. Ka pasur raste kur flija 3-4 orë gjumë në dy ditë”, tregon Mirjeta për dritare.net.

I gjithë ky mund, Mirjetës iu shpërblye. Ajo i mori të gjitha lëndët me rezultate ekselente, dhe ka marrë 5 çmime mjaft të rëndësishme për të, brenda dy viteve, dhe është pedagoge në matematike të aplikuar. Gjithashtu, Mirjeta po kryen një kërkim shkencor për përmirësimin e skanerëve, mundësi të cilën nuk e gjente në Shqipëri.

Sistemet arsimore, mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Mirjeta i shikon me dallime shumë të mëdha.

“Në SHBA pedagogu është shumë i përkushtuar ndaj studentit, sepse ka si qëllim forcimin e procesit të nxënies, ndërsa në Shqipëri mungon plotësisht kjo gjë, duke veçuar disa profesorë. Këtu vlerësohesh për punën me çmime dhe nderime, ndërsa atje përgëzimet kanë qenë shumë të pakta. Ndërsa kërkimi shkencor mungon pothuajse plotësisht”, thotë Mirjeta.

Mirjeta nuk është vetëm pedagoge Matematike në SHBA, ajo është dhe zv/Presidente e shoqatës Women in Math at KSU, organizatë që frymëzon të rinjtë, veçanërisht femrat që studiojnë matematike.

Jeta e Mirjetës në SHBA, momentalisht është e stabilizuar, por qëndrimin gjithmonë atje e ka me dy mendje.

“Mundësitë dhe prespektivat e familjes time janë më të mira këtu, por në Shqipëri kemi familjarët tanë. Unë dëshiroj të punoj në Universitet, ose në ndonjë Qendër të Kërkimeve Shkencore, por mundësitë në Shqipëri nuk janë. Megjithatë, ky vendim do i mbetet kohës”, thotë Mirjeta.

Mirjeta është një vajzë e re në moshë dhe sukseset e saj nuk janë kaq të zakonshme, por as te pamundura, si diçka e zakonshme. Ky është edhe mesazhi i saj për të rinjtë, për studentët, dhe për gjithë ata që mendojnë se në jetë nuk mund të arrihet lart, po nuk u nënshtrove;

“Mos u ndalni kurrë së kërkuari të drejtat tuaja. Bëjini familjet tuaja krenarë, bëjeni jetën tuaj më të bukur!
Në botë ka mundësi pafund për këdo, jini pozitivë dhe ndihmoni kë mundeni, sa herë keni mundësi. Mos paragjykoni, dhe lutuni për shëndet, sepse të tjerat arrihen me kohën”, thotë Mirjeta.

Kjo ishte historia e bukur e Mirjetës, ajo e ndau me dritare.net dhe na bëri të ndihemi mirë.

Nëse dhe ti dëshiron të tregosh historinë tënde, na shkruaj dhe ne do e ndajmë me të gjithë lexuesit.

Dritare.net

Sulmi në spitalin e Çikago-s, 4 të vdekur

Katër vetë kanë vdekur në një sulm me armë në një spital në Chicago, duke përfshirë dy anëtare femra të stafit dhe një oficer policie, si dhe vetë autori i sulmit.

Dy gratë e vrara ishin përkatësisht mjeke dhe asistente farmaceutike, konfirmoi kryebashkiaku Rahm Emanuel.

Një zëdhënës i policisë tha se autori kishte vdekur në një shkëmbim të shtënash, por nuk është e qartë nëse ai kreu vetvrasje.

Një oficer i dytë ka shmangur dëmtimin pasi një plumb që ishte nisur në drejtim të tij, ngeci në armë, thotë policia.

Zyrtarët thonë se njeriu i armatosur duket se ka synuar një grua me të cilën ai ishte në një marrëdhënie, por ata nuk dinë motivin e saktë.

“Çikago humbi një mjek, asistent farmaceutik dhe një oficer policie, të gjithë duke shkuar në punët e tyre, duke bërë gjithçka që ata duan”, tha zoti Emanuel.

“Këta lotë në shpirtin e qytetit tonë, janë fytyra dhe pasojat e së keqes”.

Sulmohet me thikë një polic në Bruksel

Brukseli është tronditur këtë mëngjes nga një sulm me thikë, pranë një stacioni policor.

Nga sulmi mbeti i plagosur në qafë një oficer policie, ndërsa mediat belge raportojnë se autori ka bërtitur “allahu akbar”.

Ministri i Brendshëm belg Jean Zambon e konsideroi sulmin si një “veprim frikacak ndaj policisë”.

Raportohet se polici i plagosur nuk ka rrezik për jetën, ndërsa u plagos edhe autori i sulmit.

Sipas ministrit belg të drejtësisë, hetimet janë duke u kryer në të gjitha nivelet duke përfshirë mundësinë që autori mund të jetë i lidhur me grupe ekstremiste.

Disa mësime të hidhura nga rasti “Lleshaj”

Skënder Minxhozi

Tashmë Sandër Lleshaj e ka hequr nga kartvizitat që u përgatit të bënte, parashtesën e bezdisshme “zv”. Është ministër i brendshëm i Shqipërisë. Janë dashur dy javë presidenciale, që kreu i shtetit dhe kryeministri të zgjidhin një përplasje, e cila fillimisht qe politike, e më pas, siç ka ndodhur qindra herë në republikën tonë folklorike, krijoi edhe pasoja procedurale e ligjore.

Dy nga tre institucionet më të larta të shtetit u ngatërruan për ditë tëra në një lëmsh i cili, siç treguan shtatë ditët e fundit të “refleksionit” të Ilir Metës, as që duhet të ishte krijuar. Hera e dytë e dekretit Lleshaj, na tregoi se hera e parë nuk duhet të kishte egzistuar! Dhe kjo amulli procedurash u krijua më së shumti nga institucioni i Presidentit të Republikës. Ai institucion që kishte topin në fushën e tij, një top të hedhur në mënyrë jo të rregullt nga kryeministri (për shkak se Lleshi ishte ushtarak), por që gjithsesi ai, pra kreu i shtetit, duhet ta zgjidhte, siç veproi herën e dytë. Duke kryer verifikimin më të thjeshtë në botë: ishte apo jo ushtarak Sandër Lleshi?!

Megjithatë le ta nisim nga kreu i sherrit. Propozimi i Edi Ramës për të çuar një ushtarak, si propozim për një post civil, shënon të parin mësim që mund të nxirret nga kriza dyjavore e ministrit të brendshëm. Fakti që Sandër Lleshi bëri kërkesën formale që të çdekretohet nga Presidenti si gjeneral brigade, tregon se kjo rrethanë ka qenë reale dhe si e tillë, ka qenë edhe penguese për emërimin e tij si ministër i brendshëm. Kjo pakujdësi e shpërfillje e Ramës, shoqëruar me faktin që kandidati Lleshaj refuzoi fillimisht të takohej me shefin e tij të drejtpërdrejtë ushtarak, njëherësh kryetar i shtetit, ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në rëndimin e situatës delikate që rrethonte dekretin e ministrit të brendshëm.

Së dyti, e këtu procedurat nisin të përzihen me politikën, Presidenti Meta është njëherësh Komandant i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ai e di fort mirë listën e shkurtër (një grusht burrash janë) të gjeneralëve aktualë të ushtrisë shqiptare. E ka pasur pra mundësinë, qysh herën e parë, që të qartësojë pengesën ose jo të Sandër Lleshit për t’u emëruar ministër. S’ka pasur fare nevojë për prezencën e kandidatit në zyrën e tij dhe as për sqarimet verbale të tij. Mjaftonte t’i kërkonte këshilltarit të vet ushtarak listën e gjeneralëve të ushtrisë shqiptare. Meta ka dashur ta maisë politikisht çeshtjen e dekretit Lleshi, sepse i duhej një përplasje publike me maxhorancën. Këtu ai është sjellë si politikan i njëanshëm, e jo si përfaqesuesi i unitetit të kombit.

Së treti, rasti Lleshi ka krijuar një precedent i cili u fshi vetëm pjesërisht nga emërimi i personit në fjalë në postin e ministrit të brendshëm. Madje edhe mënyra sesi u zgjidh le shijen e hidhur të “spërdredhjes kushtetuese”, më shumë sesa të zgjidhjes kushtetuese. Përplasja Meta-Rama solli me vete precedentin e rrezikshëm të përzierjes së pushteteve, me kreun e shtetit që fut duart në listën e anëtarëve të pushtetit ekzekutiv. Një sjellje e cila, duke parë sesa lehtë e kanë trajtuar të dyja institucionet rastin në fjalë, vështirë se po merret me seriozitetin që i takon në katet më të larta të shtetit shqiptar.

Dekreti Lleshi është një faqe e errët e ushtrimit të ligjit dhe Kushtetutës nga ata që duhet të jenë gardianët e tij. Fakti që presidenti i lejoi vetes të rrëzojë me “bindje”, e jo duke zbatuar Kushtetutën, një anëtar qeverie, për ta dekretuar një javë më pas me lehtësinë më të madhe, na ka futur në një hulli të rrezikshme për të ardhmen. Kur institucionet e larta të shtetit lenë gjurmë flagrante për shkeljen e ligjit, imagjinoni se çfarë ndodh poshtë, në shoqërinë shqiptare. Aty ku një zyrtar vjedh fondet publike, apo një shitës dyqani evadon taksat.