Zjarr në Dhërmi, digjen kullotat

Sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe shkurresh janë përfshirë nga flakët gjate mesditës së kësaj të hëne në fshatin Dhermi.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete dhe forca të shumta zjarrfikëse.

Fillimisht, ndërhyrja ka qenë mjaft e vështirë edhe për shkak të terrenit por fatmirësisht në afërsi të zonës nuk ka patur banesa të cilat mund të rrezikoheshin nga flakët.

Sipërfaqja e përfshirë nga flakët mësohet se ka qenë e konsiderueshme, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë mundur të lokalizojnë zjarrin.

Aktualisht po hetohet edhe nëse kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.

Kandidatja për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në vetting

Kandidatja për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xheferllari, po përballet në seancë dëgjimore me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhet nga komisionerët Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

KPK tha se ILDKPKI ka konstatuar se deklarimi i pasurisë së Marsida Xhaferllarit është i saktë, nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe  nuk ka konflikt interesi.

“Kemi kryer hetim të thelluar në lidhje me disa llogari bankare në emër të Marsida Xhaferllarit në disa banka. Gjate hetimit janë kryer të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se nuk ka pasuri të fshehura. Nga analiza financiare ka rezultuar se Marsida Xhaferllari nuk ka pasuri të pajustifikuara”.

KPK tha se DSIK ka konkluduar se formulari është i saktë dhe ka rezultuar se ka përshtatshmëri për të vijuar detyrën.

Sa i takon aftësive profesionale, bazuar në të gjitha informacionet që ONM ka paraqitur, gjetjet të cilat janë protokolluar kanë qenë në lidhje me statusin e magjistratit, nëse Xhaferllari e ka pasur apo jo.

“Inspektoriati ka bërë disa vlerësime kontraditore  lidhur me disa gjyqtarë”.

KPK tha se për inspektoren Marsida Xhaferllarit ka pasur dy denoncime nga publiku.

Ish-Kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhafellari, nga ana tjetër tha se vlerësimi i saj ka zgjatur shumë, pasi ka pritur të jetë nga fillimi.

Konfirmohet në detyrë kreu i Prokurorisë së Apelit Dritan Peka

KPK vendosi konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Dritan Peka.

Rivlerësimi i tij u bë për të tre kriteret. Në seancën e drejtuar nga treshja e gjyqtarëve Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj, prokurori Peka zgjodhi të ishte vetë i pranishëm bashkë me avokatin për të pritur vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pasqyroi raportin e vënë në dispozicion të dokumentacionit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas të cilit prokurori Dritan Peka kishte kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk ka konflikt interesi.

Megjithatë, Hamitaj deklaroi se hetimi i KPK-së i kishte kaluar prokurorit barrën e provës mbi dyshime për kontrata fiktive, përdorimin e papërshtatshëm të parave të përfituara nga një kredi e butë dhe blerjen e një makine me çmim fiktiv.

FSHF: Policia në stadium ose ndërpresim kampionatin

Federata e Futbollit të Shqipërisë dhe Shoqata e Bashkimit të Arbitrave të Futbollit kërkojnë urgjentisht kthimin e policisë në stadiume.

Nëse nuk kthehet policia Federata paralajmëron se do shikojnë shumë seriozisht ndërprerjen kampionatit.

Ndërsa Shoqata e Bashkimit të Arbitrave të Futbollit paralajmërojnë se mund të marrin dhe masa ekstreme deri në bojkotimin e aktivitetit.

Një situatë e tillë ndodh pas sherrit të ndodhur në fund të takimit Kamza-Laçi, ku u godit gjyqtari i takimit, Eldorian Hamiti

Tahir Kastrati: “Jeta e gjyqtarëve është në rrezik. Ne si Shoqatë e Bashkimit të Albitrave të Futbollit Shqiptar kërkojmë me forcë që të bëjmë çmos për të ndaluar dhunën e ushtruar ndaj arbitrave, që sa vjen e përsëritet e thellohet. Kjo vjen si rrjedhojë e veprimeve e mos veprimeve të policisë në stadiume. Të shqetësuar dhe të pambrojtur kërkojmë urgjentit të rikthehet policia në stadiume për të shmangur përsëritjen e ngarjeve të tilla të shëmtuara. Mund të marrë dhe masa ekstreme deri në bojkotimin e aktivitetit nëse nuk merren masa për të shmangur ngjarje të tilla të rëndomta që rrezikojnë jetën e njeriut”.

Ilir Shulku: “Nëse situata do vazhdojm do shikojmë seriozisht ndërprerjen e kampionatit. Shpresojmë që situata të mos agravohet por është e pamundur. Nëse policia nuk do të ketë reagim do të shikohet me shumë seriozisht vazhdimi ose ndërprerja e kampionatit”.

Shulku foli dhe për selektivitet të policisë “Ka ndeshje ku hyjnë policët ju e dini mirë. Ka ndeshje sa të doni ku policia hyn brenda dhe shkel kligjin. Bën selektivitet”

Nga përgjimet rezultoi zëri i tij, por lirohet pasi ishte memec

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka liruarr Edmond Omerin, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Rruga e Gabuar”. Ai u vu në pranga mbi bazën e përgjimeve telefonike për emigrantët ilegal drejt ShBA dhe BE,

Nga verifikimi i bërë në gjykatë dhe me akt ekspertimi mjeko-ligjor rezulton se 52-vjeçari Omeri është memec.

Prokuroria e akuzonte 52-vjeçarin Edmond Omeri si pjesë e grupit që koordinonte trafikun e emigrantët.

Për masën ndaj Omerit, Prokuroria paraqiti si provë përgjime telefonike me pretendimin se ishte zëri i Edmond Omerit.

Gjatë operacionit ‘Rruga e gabuar’ u arrestuan 22 persona.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehu shqetësimin për dorëzimin e mandateve të opozitës.

KiE i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të rikthehen në Parlament, pasi aty është qendra e debatit politik dhe për dialog.

“Në një shoqëri demokratike, Parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe diskutimit. Parlamentarët i përkasin parlamentit. Deputetët e opozitës të rishikojnë dorëheqjet e tyre dhe të kthehen në Parlament” shkruhet në deklaratën e raportuesve për monitorimin e Shqipërisë në Asamblenë e KiE, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly.

E FUNDIT/Ndahet nga jeta bashkëshortja e të ndjerit Dritëro Agolli

Ndahet nga jeta bashkëshortja e të ndjerit Dritëro Agolli, Sadije Agolli. Gruaja e shkrimtarit të madh shqiptar u nda sot nga jeta në moshën 76 vjeçare pas një hemoragjie cerebrale.

Dënohet Partizani për dhunën ndaj Partizanit

Pas dhunimit të fotografit në stadiumin Selman Stermasi, Komisioni i Disiplinës ka dënuar klubin e Partizanit.

Klubi do zhvillojë dy ndeshje pa spektatorë si edhe mori një gjobë prej 200 mijë lekë.

Komisioni i Disiplinës tha se Partizani ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive në ndeshjen me Flamurtarin duke mos garantuar sigurinë e zyrtarit të ekipit kundërshtar.

Disa tifozë të Partizanit sulmuan gjatë ndeshjes së të shtunës (23 shkurt) një zyrtar të vlonjatëve.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF 

1.KF “Luftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë .

2.Lojtari i KF “Luftëtari”, Albano Aleksi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

3.KF “Skëndërbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë.

4.KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve , në bazë të Nenit 66/1 të KDS, për shkak të përseritjes së shkejes, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqindmijë) Lekë.

5.FK “Partizani”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër “Flamurtari” FC duke mos garantuar sigurinë e zyrtarit të ekipit kundërshtar, në bazë të Nenit 64/b)/c)/e); 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) Lekë.

6.KS “Kastrioti”, në bazë të Nenit 13 të KDS, paralajmerohet se në rast përsëritje të shkeljeve disipinore, do të jetë subjekt i ndëshkimeve qe parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.

7.Zyrtari i KF “Shënkolli”, Armando Loka, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b) të KDS, dënohet me 18 (tetëmbëedhjetë) muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik.

8.Lojtari i KF “Shënkolli” , Rinev Danaj, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe për shkelje displinore të përseritur gjatë periurdhës së provës, në bazë të nenit 49/2/b) të KDS, dënohet me përjashtim të përherëshëm nga çdo aktivitet futbollistik.

9.Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF “Partizani” U-19, Joan Cela dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 33/4 të KDS, lojtari Joan Cela vendoset në provë për një periudhë 6 mujore.

BBC artikull për një “minoritet të fshehtë të sllavo-maqedonasve”

Tensionet mes Athinës dhe Shkupit mbeten të larta, veçanërisht sa i përket akuzave politike për irredentizëm kundrejt Maqedonisë së Veriut.

Një rast i tillë u regjistrua një ditë më parë, kur ambasadori grek në Londër dorëzoi një notë proteste ndaj agjencisë angleze të lajmeve, BBC, pasi kjo e fundit në një artikull të së dielës kishte raportuar rreth ekzistencës së minoritetit maqedonas në vend.

Ambasadori Dimitris Karamicos-Ciras shtoi se çështja e minoritetit maqedonas në Greqi mbetet një problem fiktiv, duke përsëritur një shprehje diplomatike që Athina e ka përdorur më herët edhe për temën e popullsisë çame në vend kur kjo është shtruar nga Tirana zyrtare.

Kryediplomati theksoi se, ndryshe nga ç’raportohet në artikull, marrëveshja Athinë-Shkup nuk parasheh një enti por një kombësi maqedonase, dhe se myslimanët janë i vetmi minoritet i pranuar nga Greqia.

Opinioni publik në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi vijon të jetë i ndarë rreth Marrëveshjes së Prespës të arritur qershorin e kaluar.

Një sondazh i porositur nga rrjeti televiziv, Sitel, tregoi të hënën se më pak se 45 për qind e të intervistuarve e shohin pozitivisht rezultatin e negociatave ndërmjet dy vendeve, ndërsa 1 për qind më shumë mbeten skeptikë.

Ndërkohë, mbështetja për marrëveshjen në Athinë është edhe më e ulët, dhe sipas një sondimi të gazetës “To Vima” gjatë fundjavës, rreth 70 për qind e grekëve e kundërshtojnë pajtimin me Maqedoninë e Veriut dhe dëmet e mundshme që ajo i kanos sovranitetit të vendit.

Soreca: Situata e paqartë pas djegies së mandateve

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca komenton situatën pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e opozitës

Soreca: “Javën e kaluar thashë që vendimi për të djegur mandatet mund të krijonte një moment paqartësie, dhe do të duhet kohë përpara se të vijë kjo siguri nga KQZ  dhe KQZ do t’i duhet kohë më shumë se ç’kemi menduar. Prandaj kemi thënë që djegia e mandateve do të ishte kundër prodhjuese për demokracinë.”

Soreca ka dhe një apel për protestën sot.

“Ne presim që çdo protestë të jetë e paqtë dhe pa dhunë pasi nuk është e mirë për Shqipërinë  dhe reputacionin e saj”

Deklarata u bë paraditen e sotme në një prononcim për median pas një aktiviteti ku ishte i pranishëm dhe vetë ambasadori.

Nesër në Tiranë pritet të vijë një delegacion nga Komisioni Parlamentar Europian për Çështjet e Jashtme. Ata do të ken takim me qeverinë, udhëheqësit e opozitës por dhe shoqërinë civile.

“Kjo vizitë nuk është koincidencë por do të theksohet se vendi për diskutimet mes opozitës dhe qeverisë është parlamenti. Të enjten paradite do të kenë një konferencë për shtyp dhe ne shpersojmë që të ketë dhe sinjale pozitive” u shpreh Soreca.

Por a do të luajnë rolin e albitrit?

Soreca përgjigjet: “Mendoj se roli i europarlamentarëve është i rëndësishëm. Ata kanë lujtur një rol të rëndësishëm në të shkuarën. Do të dëgjojnë të dyja palët dhe do të bëjnë një vlerësim për vendimin e qershorit”