10 mënyrat për të mbajtur trupin në formë

in formaJetojmë në epokën ku individët dhe turmat rendin me profesione të ngarkuar, orare të zgjatura, jetë sociale, trafik i ngjeshur, parkime të munguara, etj.
E pamundur për të ndjekur palestrat, prandaj edhe specialistët rendin për të krijuar programe sa më lehtësuese që njerëzit ta kenë palestrën kudo që ndodhen. Tashmë sporti nuk shihet si aktivitet, por një mënyre jetese, përshkon çdo moment të jetës.

Fatkeqësisht palestrat tona ende servirin programe të vjetruara, nga të cilat shpesh njerëzit dalin të sfilitur për tu përplasur në shtrat në vend që të vrapojnë në aktivitetet e tjera të ditës. Ndërsa përkundrazi, stërvitja duhet të jetë një parahyrje, start i një ditë të bukur e dinamike, ajo që do orientojë në suksesin e asaj dite.
Stërvitja nuk është e vetme ajo që mban trupin në formë, tepër rëndësi ka edhe mënyra si një shtëpiake jeton, ushqehet, trajtohet, mendon, etj, këto janë hallka domosdoshmërish të lidhura bashkë, janë si ngjyrat që bëjnë të tërën e një pikture.

Ja 10 hapa që bëjnë shtëpiaket të jenë në formë të mirë fizike e shpirtërore:

1 – Të ngrihen herët dhe para se të largohen nga shtrati të bëjnë mbi të ushtrime streching (tërheqje) të lehta për të rritur elasticitetin e trupit dhe gjallërimin fizik e mendor

2- Para se të hanë mëngjesin, të bëjnë 30 minuta ushtrime mbi tapet, jo mbi shtrat, kolltuk apo divan, sepse ata janë shumë elastike apo të butë, gjë që pengon ushtrimet, mos kërceni në litar sepse hedhjet me dy këmbë njëkohësisht ju dëmtojnë gjunjët.

3- Pas ushtrimeve, një dush me ujë të vakët e më pas të ftohtë për të aktivizuar qarkullimin e gjakut dhe rritur elasticitetin e lëkurës

4- Pas dushit një meditim për 10 minuta duke u mbushur thellë me frymë, gjatë këtij momenti të përqendrohen në temën e ditës që dëshirojnë të realizojnë duke menduar pozitivisht, e sigurtë që do realizohet më me lehtësi.

5 – Më pas një mëngjes të lehtë duke u përqëndruar në ushqim e jo në tv apo lexim gazete, kusht për asimilimin e ushqimit dhe më pas një kafe.

6- Të ulen në tryeze të uritura e të ngrihen të pangopura. Ushqimin ditor ta konsumojnë jo në 3, por në 5 vakte. Kjo për të rënë në peshë apo për të penguar mbipeshën.

7- Gjatë kohës që gatuajnë në aneks, barkun e vithet ti mbajnë të shtrënguara, për të evituar zgjerimin apo varjen e tyre, kjo quhet gjysma e punës që bëhet në palestër.

8- Nëse janë të lodhura apo të stresuara duhet të hapin një muzikë e ta shoqërojnë me zë, të këndojnë lehtë, kjo largon përqëndrimin nga problemi, kjo quhet terapi me muzikë.

9 – Për rritjen e adrenalines (humorit) në pauzat gjatë punëve të shtëpisë të hapin tv apo radio me muzikë ritmike e të hedhin hapa lirshëm kërcimi, kjo nxit qarkullimin e gjakut, e dërgon në pjesën e sipërme të trupit, sepse gjatë qëndrimit në një vend ai grumbullohet në këmbët poshtë dhe shkakton probleme me arteriet marrje mendsh, lodhje etj.

10 – Mos bini të flini pa ngrënë darkë, gabim për ata që mendojnë se bien nga pesha, ushqimin e darkës konsumojeni minimalisht 2 orë para fjetjes, hani kryesisht gjëra të lehta dhe treteni atë me ecje kryesisht në natyre, duke thithur boll oksigjen.
Kur jeni në shtrat për një gjumë me cilësi merrni frymë thelle nga hunda, shpërndajeni në të gjithë trupin, ndiqeni mendërisht rrugën ku fryma shpërndahet dhe nxirreni shumë gradualisht. Pa kaluar 10 frymëmarrje të tilla ju do të jeni në gjumë me ëndërra të bukura.

Gjenden shenja gishtërinjsh në makinën e Prefektit të Vlorës

besnik dervishiPolicia shkencore ka arritur të gjejë gjurmë gishtërinjsh në letrën e natribanit, e cila u përdor për të mbështjellë eksplozivin e vendosur në makinën e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Në bazë të verifikimeve të kryera deri tani nga ekspertët e laboratorit të policisë kriminale këto gjurmë nuk i përkasin asnjë personi me precedent penal, të cilët ndodhen në skedarët e policisë së shtetit.

Për këtë arsye me kërkesë së prokurorëve të çështjes,policia i ka kërkuar firmës Aleat,e cila prodhon dokumentet e identifikimit në Shqipëri të bëjë krahasimin se të kujt janë këto gjurmë gishtërinjsh,nëse ai person ose persona janë pajisur me dokumente biometrike.

Pavarësisht se kërkesa ka disa ditë që është bërë ende nuk ka një përgjigje nga kompania. Policia e shtetit në këtë rast është e detyruar të presë përgjigje, pasi në kontratën e nënshkruar nga ministria e Brendshme me këtë koncesionar, ministria nuk disponon të gjithë gjurmët e gishtave të personave që aplikojnë për dokumente, sepse të dhënat janë në pronësi të firmës “Aleat”.

Ndërsa mësohet nga grupi hetimor se pista kryesore mbi të cilën po hetohet është ajo për shkak të detyrës së Besnik Dervishit si prefekt i Vlorës. Hetime ka patur edhe për persona të veçantë ku në lupën e hetimit janë dy persona tashmë të dënuar për vrasje dhe që ndodhen në qeli, të njohur si organizator të rrjetit të vendosjes së bombave me aparat celular.

Kryesisht hetimet po kryhen në rrethin shoqëror të këtyre dy personave, të cilët dyshohet se janë autorët që kanë vendosur C4-ën në makinën e prefektit. Ndërkohë që policia dhe prokuroria vazhdojnë të marrin në pyetje shumë persona të cilët kanë patur kontakte ditët e fundit me makinën e Besnik Dervishit.

“Dhuratat e Fundvitit, simbol i një dashurie të pakushtëzuar”

ambasadorja-francezeAmabsadorja franceze në Tiranë vjen në një rrëfim për festat e fundvitit, kujtimet e fëmijërisë së saj. Nuk harron të kujtojë ëmbëlsirën tradicionale që pëlqejnë francezët dhe më së shumti traditat festive që përcjell vendi i saj në raste të tilla. Si i kalojnë Krishlindjet dhe Vitin e Ri francezët?  Krishtlindjet janë një festim familjar, një rast për të mbledhur të gjithë brezat me fëmijët në qendër të vëmendjes. Padyshim është një festim fetar, por shkon edhe përtej saj. Dhe sot shumë familje, të cilat nuk janë veçanërisht fetare apo nuk janë as të besimit kristian, i festojnë Krishtlindjet në një mënyrë a një tjetër. Festimet e Vitit të Ri zakonisht i dedikohen miqve dhe ato janë një rast për të dalë e për t’u argëtuar. Në Francë, ne kemi disa tradita Krishtlindjesh dhe ato ndryshojnë edhe nga njëri rajon në tjetrin. Për Vit të Ri, francezët mblidhen rreth Champs-Elysées  dhe rrotull Kullës Eifel duke pritur numërimin mbrapsht dhe duke pirë shampanjë në rrugë…  Cilat janë disa nga traditat rajonale të Krishtlindjeve që ju keni në Francë?  Si të them, me modernizimin e jetës dhe mënyrës së komunikimit, çdo gjë ka tendencën të jetë pak a shumë e njëjtë kudo në vend. Por për shembull, mund të them se pema e Krishtlindjeve ka lindur si ide në rajonin e Alsace në shekullin e 16-të dhe në atë kohë në degët e pemës vareshin mollë të kuqe dhe rrathë prej buke si dekoracione të pemës. Deri së fundmi, Babagjyshi i Vitit të Ri vizitonte shtëpitë në Alsace jo Natën e Krishtlindjeve, por me datën 6 Dhjetor. Në Lion, ne kemi një festim të bukur që e zhvillojmë me datë 8 Dhjetor dhe ky është Festimi i Dritave (“Fête des Lumières”) që e merr frymëzimin nga Santa Lucia e Suedisë. Në Provans, zejtarët – mund të them edhe artistët- krijojnë figura të bukura që përfaqësojnë personazhe që janë  fshatarë të profesioneve të lashta rreth Familjes Hyjnore. Figurat prej qeramike janë të dimensione të ndryshme dhe të lyera me bojë. Më e larta prej tyre është 20 ose 30 cm. Ato vishen me rroba të punuara me shtiza. Keku tradicional për Krishtlindje është një kek rulon që quhet “Trungu i Krishtlindjeve.” Ai i referohet trungjeve që fshatarët ruajnë për t’i djegur në oxhaqet e tyre Natën e Krishtlindjeve me qëllim që të jenë ngrohtë…  Kur ishit një vajzë e vogël, çfarë prisnit nga Krishtlindjet dhe Viti i Ri?  Si çdo fëmijë, isha shumë e emocionuar nga ideja se Plaku i Vitit të Ri do të vinte së bashku me dhuratat. Pritja përbën pjesën kryesore të të gëzimit të Krishtlindjeve së bashku me përgatitjen e kremtimeve, vendosjen e zbukurimeve, pemën e Vitit të Ri, blerjen e dhuratave për anëtarët e tjerë të familjes, gatimet e të tjera… Edhe pse, kuptimi i festimeve ndryshon kur rritesh, mendoj se kujtimet   e Krishtlindjeve mbeten më të shtrenjtat nga fëmijëria. Dhuratat e përgatitura, shpesh edhe me koston e sakrificave të mëdha, janë si simboli i një dashurie të pakushtëzuar që prindërit dhe kushurinjtë ja dedikojnë fëmijëve Patjetër, fëmijët e kuptojnë këtë gjë vetëm kur ato rriten. Por, kjo lidhje është kaq e veçantë dhe kaq e rrallë në jetë, sa që ajo kthehet jo vetëm në një kujtim të çmuar, por edhe në një forcë për të ardhmen. Përse Krishlindjet festohen kaq shumë nëpër botë dhe jo vetëm nga familjet kristiane siç e nënvizuat edhe ju? Kjo mund të shpjegohet me arsyet historike. Krishtlindjet janë përcaktuar të festohen më 25 dhjetor, kështu ato konçidojnë me një festë edhe më të lashtë dhe më popullore që është gëzimi për solsticin dimëror, që është momenti kur netët fillojnë të shkurtohen dhe ditët të zgjaten. Është një simbol shumë i fuqishëm i shpresës dhe i ringjalljes. Shpirti i Krishtlindjeve është diçka universale. Është një periudhë e privilegjuar, kur secili nga ne ndihet një burrë më i mirë, një grua më e mirë apo edhe një fëmijë më i mirë. Një periudhë kur tregon më shumë vëmendje ndaj të tjerëve dhe një përqëndrim më të madh rreth asaj çka është e rëndësishme ne jetë. Në këtë mënyrë, ndjejmë vogëlsinë e grindjeve dhe tërheqjen ndaj paqes dhe faljes. Tepria në interpretimin komercial të Krishtlindjeve paradoksalisht ndihmon në të kuptuarin e këtij fakti. Dashuria e vërtetë është një pasqyrim i dashurisë së Shpëtimtarit. Në dhjetor të secilit vit ne e quajmë atë shpirti i Krishtlindjes. Ju mund ta dëgjoni atë. Ju mund ta shihni atë. Ju mund ta ndieni atë. Le ta bëjmë Krishtlindjen të ketë kuptim dhe qëllim të vërtetë. Nuk është vetëm xhingël dhe fjongo, veç nëse e kemi bërë të tillë në jetën tonë. Krishtlindja është shpirti i të dhënit pa mendimin për të marrë. Është lumturi sepse ne shohim gëzim te njerëzit. Është të harrosh vetveten dhe të gjesh kohë për të tjerët. *Rudina Hoxha “Shekulli”

“Botëpushtuesi” Ismail Kadare, koha për Nobel

ismail kadareIsmail Kadare në librin “Ftesë në studio” ka një kapitull ku ai hedh një vështrim të shpejtë mbi gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj. Mbi këtë Kadare shkruan: “Shkrimtari, me dashje ose pa dashje, me vullnet tiranik, ose pa kurrfarë vullneti, me rregull ose rrëmujshëm, e krijon një truall artistik. Ky truall mund të jetë vetëm gjashtë metra katrorë, e pra i ngushtë sa një qeli burgu, e mund të jetë gjashtë miliardë, sa një kontinent, kjo s’ ka kurrfarë rëndësie…

Është fare e tepërt të thuhet, se kjo është një perandori tejet e veçantë ku krijuesi i saj, shkrimtari, është njëherësh edhe kryezot e skllav, edhe sundues e rebel”. Kadare e ka fjalën këtu për vendet, hapësirat gjeografike ku zhvillohen ngjarjet e librave të shkrimtarëve, për trojet që ata i përshkruajnë në poezitë dhe në prozën e tyre. Kadareja vazhdon duke na sjellë shembuj të ndryshëm për këtë lloj perandorie letrare, të krijuar nga shkrimtarët e mëdhenj.

Për Balzakun, ai thotë: “Perandoria e Balzakut, ndonëse e ngritur mu në Paris, zonës më të shfrytëzuar në botë nga letërsia, vazhdon të jetë përherë mahnitëse. E ngushtë për nga kufijtë, një mbretëri në pamje të parë monotone, tamam mbretëri apartamentesh, sallonesh, zonjash në tryezën e tualetit të të cilave ka përherë nga një kambial, me karrocat që venë e vijnë nga ballot në zyrat e policisë ose në pensione pikëllimtare, kjo është një mbretëri pa qiell e sidomos pa mister.

Ajo i ngjan kështu një ngrehine pa bodrume. Por, kur zhytesh pastaj në të e kupton se edhe qielli edhe ferri gjenden aty, të tretura në jetën e përditshme”. Ndërsa për Servantesin Kadare thotë: “Universi i Servantesit ngjan i ngushtë, një lloj principate, ose më saktë krahine, me një copëz koloni në Afrikën Veriore dhe me pak det. Por kjo s’ është vecse njëra pamje. Në trurin e çakërdisur të Don Kishotit dyzohet një botë tjetër, dhe ne e braktisim herë pas here Mançën e thatë, për t’ u lëshuar lirisht bashkë me mendjen e krisur të heroit në hapësirat e pafundme të çmendurisë”.

Është e qartë që Kadare mendon se perandoritë e shkrimtarëve ndryshojnë nga perandoritë e tjera të ngritura mbi faqen e dheut, dhe që mund të quhen të tilla vetëm nëse kanë një shtrirje të madhe në hapësirë. Historia na thotë se ai sundues që vepron në kufijtë vetëm të një qyteti, mund të krijojë e shumta një qytet-shtet, si ato të Greqisë së vjetër. Por në botën e letërsisë, sic thotë shpesh Kadare, ka ligje të tjera që sundojnë, dhe këtu Balzaku është perandor edhe brenda kufijve të një qyteti. Po ashtu dhe Sevantesi brenda kufijve të një krahine.

Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftra. Ai shkruan: E kështu me radhë Gëte, Prusti, Suifti, Kafka, Tolstoi. Të gjithë rresht e kanë ndarë midis tyre pjesën më të madhe të globit tokësor, qetësisht, pa kurrfarë traktatesh dhe fisnikërisht, pa kacafytje e pa zhurmë”. Kjo që thotë Kadare është e vërtetë, por a ka ndodhur vërtet kështu nga mirësjella?

Vetë Kadare e ve në dyshim këtë kur thotë pak më poshtë: “Ndryshe nga pushtuesit, shkrimtarët mendohen shumë përpara se të zgjerojnë kufijtë. Ata i dinë mirë rreziqet, ndaj lidhur me këtë cdo shkrimtar është në njëfarë mënyre një Napoleon në dimrin rus”. Kadare nuk e shpjegon se çfarë frike kanë shkrimtarët për të marshuar në hapësira më të gjera gjeografike, por kjo na bëhet e qartë pak më poshtë, kur ai shkruan: “Në qoftë se do ta përfytyronim universin letrar të një shkrimtari si një pushtim, poezia fare mirë mund të krahasohej me hedhje desantësh ose zbuluesish të parë. Është proza ajo, që ashtu si këmbësorët, e shtron një vend”.

Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peisazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por në botën e letërsisë klima është kapricioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni.

E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund  të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant se shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla, kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha: “Mund të mendohet se shkrimtarët, vendet e të cilëve janë të vogla e kanë të vetvetishme ose të përligjur ndjenjën e kapërcimit të kufijve, me fjalë të tjera, ndjenjën e pushtimit. Ndonëse ngjan sikur ka njëfarë harmonie brenda këtij mendimi, thelbi i tij mbetet i pavërtetuar”.

Në fakt mund të sillen shembuj të rëndësishëm që janë në favor të tezës së Kadaresë, dhe i pari ndër ta është Shekspiri. Anglia e kohës kur jetoi Shekspiri, nuk shihej si një vend i madh (në atë kohë Skocia akoma nuk ishte bashkuar me Anglinë). Pothuajse gjatë gjithë jetës së Shekspirit, Anglia do të jetonte me rrezikun e pushtimit spanjoll. Dhe para se Anglia të krijonte perandorinë e saj, atë e krijoi shkrimtari më i madh i saj, si një perandori letrare. Shekspiri doli nga Anglia dhe shkoi në Danimarikë, Francë, Itali, Ballkan, Egjipt, etj.

Në kohën e Shekspirit dy Amerikat nuk ishin populluar ende me evropianë në atë masë, sa ai të vendoste ngjarjet e ndonjë drame të tij atje. Një tjetër shkrimtar i madh, këtë herë i një vendi të madh, siç ishte Volteri, jo vetëm që i ra kryq e tërthor Evropës, por pasi shkoi në Afrikë, Arabi, Turqi, Iran, hyri thellë në Rusi, dhe si të mos mjaftonin këto, kapërceu edhe Oqeanin Atlantik për të shkuar në dy Amerikat. Volteri ishte me siguri i pari nga raca e shkrimtarëve që kuturisi të pushtonte botën, si të thuash, pra të ndërtonte një gjeografi globale.

Nuk do të ishin të shumtë ata që provuan ta bëjnë këtë gjë pas tij. Mes shkrimtarëve të mëdhenj, botëpushtuesit janë të paktë. Ashtu si në historinë e botës reale ku Cezari është i madh, por nuk është Aleksandër, që kuturis të pushtojë botën i vetëm, edhe në botën e letërsisë ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që guxuan të bëjnë shumë gjëra, por iu shmangën sfidës së pushtimit të botës.

Në botën reale, një prijës i madh që mund të kuturiste, të pushtonte botën, duhet t’ i përkiste një vendi të madh, të rëndësishëm. Në botën e letërsisë kjo gjë nuk është e domosdoshme. Lexuesi, kur është duke lexuar librat e një shkrimtari të madh, ndër idetë e tjera që krijon, është edhe ajo për të cilën Kadare thotë: “E ndonëse gjer më sot nuk janë botuar harta me zotërimet e tyre, ato janë në ndërgjegjen e të gjithëve”.  “Pushtimet” e shkrimtarit

Në vitin 1990, në librin “Ftesë në studio” Kadare bëri si të thuash një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar, ku ndër të tjera thotë: “Shënime në formë inventari. Projekt për një gid” Gjeografia. Hapësira tepër e shtrirë. Në tre kontinente. Plus zona hyjnore në qiell dhe nën tokë. Rrafshnalta, stepa, alpe me borë të përjetshme sa dhe vargmale, shkëmbinjtë gjysmë të zbardhur të cilët ngjajnë me dasmorë të ngrirë. Dy shkretëtira, ajo e mongolëve dhe e Saharasë.

Krahinat e Kra-krasë, ose zonat e shkombëtarizuara. Tokat e Hallallit (të bekuara prej shtetit). Tokat e Harramit (nën terror). Bjeshkët e Namuna. Lugjet e Zeza. Fermat moderne. Fusha hungareze me baltë dhe në dimër”. Që nga koha kur shkrimtari bëri këtë bilanc të “pushtimeve” të tij, kanë kaluar 23 vjet, dhe harta e “pushtimeve” të tij është zgjeruar akoma më tepër gjatë kësaj kohe. Tanimë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të kësaj fjale.

Natyrisht që kur flitet për një shkrimtar botëpushtues, nuk ka kuptim që të përmenden shtete të veçantë që deri tani nuk bëjnë pjesë  në gjeografinë e veprës së tij. Ashtu si kur thuhet se Aleksandri i Madh u nis nga Maqedonia dhe arriti deri në Indi, apo se Napoleoni u nis nga Parisi dhe arriti në Moskë, këto marshime madhështore nuk cënohen nga fakti se këta të dy nuk paskan ndaluar në aq apo kaq qytete gjatë rrugëtimit të tyre. Është qartësisht e dukshme se në rastin e Kadaresë kemi të bëjmë me një shkrimtar të rrallë, botëpushtues, që na e tregon botën sipas përshkrimeve të rralla.

Në rastin e një vepre aq të gjerë, si ajo e Kadaresë, ku ka aq shumë gjëra që e joshin lexuesin, nuk mund të mos ndodhë ai fenomen që ndodh shpesh me gurët e çmuar. Kështu, është një gjë t’ i shohësh disa lloj gurësh të cmuar, të hedhur grumbull, së bashku me shumë të tjerë, dhe tjetër gjë është t’i shohësh të ekspozuar, më vete.

E njëjta gjë ndodh me përshkrimet e viseve, peisazheve, qyteteve në veprën e Kadaresë. Këto përshkrime shkëlqejnë më tepër si të thuash, në se ekspozohen të veçuar, të evidentuar dhe të pajisur me foto ilustruese të përzgjedhura në mënyrë të tillë që të përputhen me ato imazhe që shkrimtari ka dashur të prodhojë në imagjinatën e lexuesit.

Prirja për të marshuar mbi gjeografinë e botës 

Është e vërtetë edhe se çdo njeri që lexon veprën e një shkrimtari të madh, hap pas hapi vizaton në mendjen e tij, hartën gjeografike të shtrirjes së ngjarjeve të veprës së këtij shkrimtari, dhe të përshkrimeve të tij. Por lexuesit nuk mund të mos pyesin se përse mungojnë harta të tilla? Me të vërtetë nuk u ka shkuar ndërmend kritikëve letrarë të botës që të bëjnë të tilla, kur edhe ata si lexuesit nuk mund të mos kenë menduar për to spontanisht? Sigurisht që jo.

Por kritikët e mençur kanë menduar që t’ i shmangin këto harta, se lexuesve mund t’ u duket më pak i madh një shkrimtar me famë botërore, kur të shohin se sa pak shtrirje ka në hartë vepra e tij. Kadare shkruan për veten: “Për vite me radhë nuk e kam menduar asnjëherë gjeografinë brenda së cilës vërtitesha. Kjo ndoshta vinte nga fillimet poetike dhe dihet se një nga gjërat e para që mjegullon poezia është saktësia e hartës gjeografike”.

A ka qenë me të vërtetë kështu? Apo pas poetit të ri, që akoma endej në hapësira të mjegulluara, fshihej një shkrimtar i ardhshëm botëpushtues  një sfidë kjo nga e cila ishin druajtur shumë shkrimtarë të mëdhenj në të shkuarën? Koha do të tregonte se ishte kjo e dyta. Një poezi e hershme e Kadaresë, e shkruar që në ‘57-tën, me titull “Varrimi i Skënderbeut”, na zbulon se ai e ka pasur që herët prirjen për të marshuar në hapësira të gjera gjeografike të botës: “Rrugëve pa fund betejash humbur/ U shpërndanë eshtrat e heroit./ Drejt veriut tutje, drejt Danubit,/ Ndanë brigjeve ku lufta shkoi”.

Këtu është njëkohësisht edhe poeti i ri botëpushtues, që së bashku me Skënderbeun turret në hapësirat e gjera të botës. Nëse bën hartën e pushtimeve letrare të Kadaresë na del se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues. Kadareja shkrimtar, kuturisi dhe fitoi atje ku u mundën Napoleoni dhe Aleksandri i Madh. Kadareja hyri në Moskë, madje më tej në Siberi, dhe e nënshtroi dimrin rus. Gjithashtu, Kadareja ndoqi itinerarin e Aleksandrit, kaloi nëpër Turqi, Persi, Egjipt dhe shkoi tutje deri në Kinë. Evropës, e tepërt të thuhet, i ra kryq e tërthor.

Shkeli në Polin e Veriut, në të dy Amerikat dhe  në Afrikë. Çdo shkrimtar që kuturis të bëhet një botëpushtues ka një dhunti të veçantë. Dhuntia e këtij lloji e Kadaresë e ka origjinën te pasioni i tij për fotografinë, për kinemanë. Kadare na ka bërë të ditur se ai në rini ëndrronte të bëhej kineast, një pasion ky që e ngacmonte deri vonë, aq sa titulli i parë i romanit “Hija”, që ka ngjyrime biografike, është “Kronikë e një kineasti të dështuar”.

Dhe ky roman është shkruar kur Kadareja po arrinte në të 50-tat. Nga pasioni për fotografinë e kinemanë, Kadaresë i ka mbetur dhuntia për të bërë përshkrime të viseve, peisazheve etj., në një mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja sikur para syve të tu, shfaqet fotografia e vendit apo peisazhit në fjalë.

Madje shpesh përshkrimet e Kadaresë janë të tilla, që të krijojnë përshtypjen sikur je duke e parë në film, vendin apo peisazhin që po na përshkruan autori. Me këtë dhunti të veçantë të të shkruarit, Kadareja ka mundur të vendosë “garnizonet” e tij të qëndrueshme në hapësirat e pushtuara gjeografike anëembanë botës.

Armët kimike të Sirisë do të shkatërrohen në një luftanije amerikane

armet-kimike-ne-siriAgjencia Ndërkombëtare e Shkatërrimit të Armëve Kimike i kërkoi autoriteteve siriane që të “intensifikojnë përpjekjet” për të larguar me anije armët kimike dhe lëndët prekuxrsore jashtë vendit.

Një anije norvegjeze ndodhet në qytetin port të Latakias, e gatshme për t’u ngarkuar me mbi 1 mijë tonët e arsenalit kimik sirian.

Kalimi i ngarkesës në këtë anije është vonuar, për shkak të rreziqeve që ka krijuar prezenca e kryengritësve pranë Latakias.

Megjithatë, sipas agjencisë i takon Damaskut zyrtar që të garantojë kushtet për transferimin e sigurt të kësaj lënde, në bazë të marrëveshjes që shmangu ndërhyrjen ndërkombëtare mbi Siri.

Në bazë të një marrëveshje të negociuar nga SHBA dhe Rusia, eliminimi i plotë i armëve kimike duhet të ndodhë brenda gjysmës së parë të vitit 2014.

Pas refuzimit të Shqipërisë, është vendosur që shkatërrimi të vazhdohet të kryhet brenda një luftanije të specializuar amerikane.

Ndryshime në rregulloren e Kuvendit për më tepër transparencë

kuvendi-i-shqiperise1Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias ku u diskutua mbi rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedive në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit ka falënderuar përfaqësuesit e media për punën dhe angazhimin e tyre për të pasqyruar punimet e Kuvendit në mënyrë të vazhdueshme. Meta theksoi se puna e medias i shërben transparencës dhe është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit.

“Dua t’iu falënderoj për punën dhe angazhimin tuaj për të pasqyruar punimet e kuvendit në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm të seancave plenare por edhe të komisioneve të përhershme, edhe të grupeve të ndryshme parlamentare dhe të gjithë aktiviteteve që kanë të bëjnë me Kuvendin, me rolin dhe përgjegjësitë e tij. Sepse është në shërbim të transparencës. Është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit”, u shpreh ai.

“Njëkohësisht duke qenë se në kuadër të angazhimeve për një përmirësim të mëtejshëm të këtij raporti dhe të një sanksionimi sa më demokratik, por njëkohësisht edhe funksional të kësaj marrëdhënieje, në kuadër të projekt-rregulloreje për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmediave pranë Kuvendit të Shqipërisë gjykuam për të bërë këtë takim në mënyrë që edhe ju të jepni mendimet tuaja bazuar nga eksperienca e deritanishme e komunikimit me Kuvendin dhe zhvillimit të punimeve apo aktiviteteve të tij”, vijoi Kryetari i Kuvendit.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, foli për projekt-rregulloren që do të trajtojë në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias.

“Transparenca e veprimtarisë parlamentare është një nga elementët më të rëndësishëm, që është theksuar në raportet ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe në raport-progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2013. Pikërisht në vijim të këtyre përcaktime të rëndësishme, Kuvendi bazuar edhe në rregulloren e tij mendoi që të hartonte një rregullore e cila duhet të trajtonte në përmbajtjen e saj të gjithë procedurat dhe mënyrat si Kuvendi dhe shërbimet e Kuvendit do të bashkëpunojnë me të gjithë organet e masmedias”, tha  Shtylla.

Sakaq, ajo theksoi se në bazë të rregullores së Kuvendit dhe në Kushtetutë është parashikuar që Kuvendi e ka veprimtarinë e tij të hapur, çka do të thotë që ai duhet të përcillet me mesazhet e tij, por njëkohësisht edhe me praninë e tij te publiku i gjerë.

“Pikërisht bazuar në këto përcaktime është mbështetur edhe formulimi i dispozitave të rregullores, janë mbështetur mbi parimin e transparencës, mbi parimin e të drejtës së informimit dhe mbi parimin e veprimtarive të hapura për publikun të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo çfarë ne kemi trajtuar në mënyrë të përmbledhur në këtë rregullore janë procedurat e akreditimit të masmedias. Juve besoj jeni prej vitesh në Kuvend, keni kaluar nëpër procedura të ndryshme përsa i përket akreditimit, këto procedura do të jenë të qartësuar në një projekt-rregullore, e cila do të trajtojë pikërisht organet dhe personat që kanë të drejtë të akreditohen”, u shpreh ndër të tjerash Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e medias të pranishme në këtë takim kanë dhënë sugjerimet e tyre për projekt-rregullore dhe kanë shkëmbyer mendimet me stafin e Kuvendit. Në fund, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, siguroi përfaqësuesit e medias se të gjitha sugjerimet e tyre do të reflektohen në draftin final

NYT: Al-Qaida nuk kishte gisht në sulmin e Bengazit

New-York-TimesNjë artikull investigativ i gazetës The New York Times merr në shqyrtim rrethanat e vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi dhe tre amerikanëve të tjerë më 11 shtator 2012. Artikulli thekson se nuk duket që sulmi kishte lidhje me al-Kaidën apo me ndonjë grup tjetër terrorist.

Gazeta The New York Times thotë se për muaj të tërë gazetarët e saj intervistuan libianë në Bengazi, të cilët kishin dieni të drejtpërdrejta për sulmin ndaj konsullatës amerikane dhe rrethanat në të cilat u zhvillua sulmi. Asnjë nga burimet nuk dha prova se al-Kaida ishte pas këtij sulmi.

Përfundimet nga hetimi që zhvilloi gazeta e ndezin më tepër debatin politik në Uashington lidhur me reagimin e administratës Obama ndaj incidentit vdekjeprurës.

Artikulli thotë se sulmi u udhëhoq nga luftëtarë lokalë, të cilët kishin përfituar nga ndërhyrja e NATO-s gjatë kryengritës kundër Moammar Gadhafit. Sipas të përditshmes prestigjoze, sulmi u ndez më tej si rezultat i një videoje amatore të realizuar në Shtetet e Bashkuara, e cila u konsiderua si ofenduese për fenë islame.

Këto përfundime duket se mbështesin pjesërisht deklaratën e ish-Ambasadores amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas sulmit në një intervistë televizive:

“Besojmë se elementë në Bengazi, një grup i vogël njerëzish, erdhën në konsullatën amerikane për një ballafaqim të ngjashëm me atë që u pa në Kajro, por incidenti u ndez nga disa grupe të vogla ekstremiste”.

Disa anëtarë të Kongresit, pjesa më e madhe republikanë të opozitës, u shrehën se sulmi nuk ishte një reagim spontan ndaj videos, por akt i grupeve terroriste, që ishte mbajtur sekret nga Shtëpia e Bardhë.

Senatorët republikanë Lindsey Graham dhe John McCain i drejtuan pyetje Ambasadores Susan Rice lidhur me incidentin dhe thanë se nuk ishin të kënaqur me përgjigjen.

“Sot ndjehem edhe më i shqetësuar se më parë dhe nuk jemi asgjëkundi më pranë përgjigjeve bazë. Eshtë e qartë se informatat që zonja Rice i dha popullit amerikan nuk ishin të sakta”.

Debati u intensifikua në javët para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2012. Presidenti Obama kishte në plan ta emëronte zonjën Rice si Sekretare të Shtetit për të zëvendësuar zonjën Hillari Klinton. Por me shtimin e kritikave, zonja Rice u eliminuar si kandidate. Ndërkaq, Sekretarja Klinton iu përgjigj e revoltuar pyetjeve të senatorëve për zhvillimet në Bengazi:

“Me gjithë respektin që kam për ju, fakti është që katër amerikanë kanë gjetur vdekjen. A ishte rezultat i protestës, apo i një grupi njerëzish që kishin dalë shëtitje dhe një natë të bukur vendosën të vrasin 4 amerikanë? Cfarë rëndësie ka? Tani kemi për detyrë të zbulojmë çfarë ndodhi dhe të bëjmë ç’është e mundur për të mos e lejuar në të ardhmen”.

Sipas analizës së gazetës The New York Times investigation, kërcënimet nga grupe ekstremiste lokale janë intensifikuar në të gjithë Lindjen e Mesme dhe vëmendja ndaj luftës kundër al-Kaidës mund ta ketë larguar vëmendjen e Amerikës nga kërcënimi ndaj interesave të saj.

Artikulli u nxor disa orë pasi Departamenti i Shtetit tha se qeveria libiane kishte liruar katër pjesëtarë të ushtrisë amerikane të ndaluar pak kohë më parë. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha se të katër amerikanët ishin ndaluar pranë Sabrathas, ku ndodheshin për të marrë pjesë në “operacione përgatitore për sigurinë”.

Siri, humb jetën edhe një shqiptar

abuShqiptari Ebu Amar, sipas portalit boshnjak “Vijesti Ummeta”, ka humbur jetën në A’zat të Aleppos të Sirisë.

Potali në fjalë ka publikuar edhe pamje të rënda të personit që mendohet të jetë shqiptar, pasi ka humbur jetën gjatë përleshjeve.

Ende nuk dihet nëse ky është një shqiptar i Maqedonisë, i Kosovës apo Shqipërisë. Në profilin e portalit në “Facebook” shkruhet vetëm kjo frazë: “Vëllai Ebu Amar, shqiptar”.

Grabitja në Hamallë, Tahiri dhe Didi vizitojnë familjen

saimir-tahiri-565x421Ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi ka zhvilluar sot një vizitë në familjen e cila ra pre e grabitësve mbrëmjen e djeshme.

Grabitja ka ndodhur në fshatin Hamallë ku 4 persona të maskuar dhe me armë kanë hyrë në banesën e një shtetasi duke grabitur 10 milionë lekë.

Grabitësit kanë dhunuar edhe të zotin e shtëpisë duke e goditur me mjete të forta.

Ndërkohë  policia është duke punuar për identifikimin e grabitësve dhe për kapjen e tyre

Ndalohen 33 klandestinë nga Siria, Afganistani dhe Sudani

policiaPolicia e Gjirokastrës ka bërë të mundur ndalimin e 33 klandestinëve, të cilët kishin  kaluar ilegalisht kufirin.

Burime zyrtare nga policia rajonale bëjnë me dije se klandestinët të ardhur nga Siria, Afganistani dhe Sudani janë ndaluar në fshatin Bulo të Gjirokastrës.

Mes tyre klandestinëve ishin edhe 3 femra, të cilat tentuan të largoheshin sapo vunë re efektivët dhe u fshehën në shtratin e lumit Drino, por pas krehjes së zonës, forcat e policisë bën të mundur kapjen e tyre.

Sipas policisë, personi i fundit u kap në orët e para të mëngjesit pranë Derviçjanit të Gjirokastrës.

Operacionet antitrafik që po zhvillohen në Gjirokastër po vijojnë të godasin këtë fenomen si dhe të ndalojnë personat që hyjnë në mënyrë ilegale në Shqipëri.