Vëllai i Hekuran Dedës: Vrasësi i tim vëllai u lirua nga gjyqtarët e Berishës

hekuranTri vjet pas vrasjeve të 21 janarit, një prej familjarëve të viktimave thotë se autorët janë të lirë. Vëllai i Hekuran Dedës, për vrasjen e të cilit ende nuk është gjetur autori, thotë për GSH se vrasësi është Agim Llupo.

“Vrasësi i vëllait tim është Agim Llupo, ai i mori jetën me plumb vëllait tim të ndjerë. Por, autori i vëllait tim u la i lirë nga gjyqtarët e korruptuar të Sali Berishës. Por, ne presim që drejtësia një ditë të vërë pas hekurave Agim Llupon”.
Deda thotë se si familja e të vëllait, Hekuranit, edhe e tij, janë në gjendje të vështirë ekonomike. Ai shprehet se Hekurani ka lënë pas dy vajza, të cilat nuk marrin asnjë ndihmë sociale, pasi Bashkia e Kamzës nuk i ka ndihmuar.

“Gjendja ekonomike në familjen tonë, si në familjen time, edhe në atë të vëllait, është shumë e rëndë. As familja e vëllait tim, as familja ime, nuk kemi përfituar nga ndihma sociale. Kreu i Bashkisë së Kamzës, – aty ku jetojmë ne dhe kemi dokumentet, – sa herë kemi shkuar për ndihmën ekonomike na ka thënë që nuk na takon, as mua, as familjes së Hekuranit. Në shtëpinë e vëllait tim, përveç dhimbjes, duhet të përballojnë edhe vështirësitë e jetesës”, thotë ai.

Shteti vrasës

berish-bash-prendi-22-janarNga Rexhep Qosja

Përvoja historike ka dëshmuar se vrasjeve shtetërore me armë pothuaj gjithmonë u paravijnë vrasjet shtetërore me fjalë. Në Kosovë, gjithmonë, para se të na vrisnin me armë, shteti serb dhe shteti jugosllav, na vrisnin me fjalë politikanët dhe shtetarët serbë. Është e gjatë, shumë e gjatë, vrasja shtetërore me fjalë në jetën e shqiptarëve: e gjatë sa është e gjatë jeta e shtetit shqiptar; e gjatë sa janë të gjata pushtimet e pushtuesve në historinë e shqiptarëve. Të gjata janë vrasjet shtetërore me fjalë dhe me armë edhe në disa shtete të tjera evropiane.

Njëzet vitet e fundit është shtuar shumë vrasja e shqiptarëve së pari me gojën e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë e, pastaj, me armët e policëve dhe gardistëve shqiptarë që përdoreshin prej tyre. Kujtojeni vrasjen masive të shqiptarëve me gojën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë më 17.1.2011! Vrasës politik i denjë për tragjeditë e Shekspirit.

Kujtojeni varrosjen e këtyre të vrarëve me gojën e ish-kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, po në atë mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë! Kujtojini varrosjet e të vrarëve me gojën e ish-kryeministrit në sa e sa mbledhje të përparshme të Qeverisë e të Kuvendit me qeshjet cinike të kësaj kryetareje të Kuvendit të Shqipërisë! Varrtare e denjë për Makbethin e Shekspirit!

Pse shteti shqiptar i vret pamëshirshëm qytetarët e vet? Pse shteti shqiptar i vrau pamëshirshëm katër qytetarë të vet dhe plagosi dhjetëra të tjerë në demonstratën e 21 janarit?

Cilat janë arsyet e këtyre vrasjeve dhe të këtyre plagosjeve të qytetarëve shqiptarë nga shteti shqiptar?

Mendësia! Zakonet! Prapambeturia! Primitivizmi! – do të thonë disa.

Nuk do t’i shpjegoj vrasjet e qytetarëve shqiptarë prej shtetit të vet me nocione të tilla, të lashta, edhe pse roli fatal i tyre në këto krime është i madh, po me nocione të tjera, moderne.

Shkak i vrasjes shtetërore me gojë të qytetarëve shqiptarë është edukata katastrofale familjare e vrasësit, por shkak i vrasjes shtetërore me armë është një koncept tjetër.

Shkak i vrasjes shtetërore me armë të qytetarëve shqiptarë është koncepti romanik, anakronik, në të vërtetë koncepti në demokracitë moderne plotësisht i tejkaluar për shtetin, që përcakton sjelljen vrastare të kryeministrit të Shqipërisë, të pretorianëve të tij politikë dhe të kryetares fatale të Kuvendit të Shqipërisë.

Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin lexohet në sytë dhe në fytyrën e egërsuar të Sali Berishës, të pretorianëve të tij politikë; dhe partiakë! Dhe, sidomos, të Kryetares së Kuvendit.

Dhe, ky koncept romantik, në të vërtetë i tejkaluar për shtetin shqiptohet shpesh prej politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë rreth Sali Berishës.

E kam dëgjuar shumë e shumë herë.

Posaçërisht egër të shqiptuar e dëgjova në prag të demonstratës së 21 janarit, ditën e mbajtjes së demonstratës, ditën e parë pas demonstratës dhe ditën e dytë pas demonstratës.

Një ditë para demonstratës e shqiptoi, figurshëm dhe shpjegueshëm, ministri i Mbrojtjes. Ai doli para televizioneve, në cilësinë e ministrit, dhe tha: qeveria e Shqipërisë është legjitime; është e zgjedhur me votën e popullit; dhe, nuk mund të rrëzohet me demonstratë. Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë me këto fjalë ua çoi këtë porosi shqiptarëve: në qoftë se provoni të prishni rendin e Sali Berishës, demonstratën tuaj do ta shtrijë përtokë ushtria e Republikës së Shqipërisë. I tha këto fjalë ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe me hap ushtarak u zhduk në zyrën e tij.

Menjëherë pas ministrit të Mbrojtjes në të njëjtat media elektronike e pash dhe e dëgjova ministrin e Rendit Publik. Kërcënimi i tij ishte më i drejtpërdrejtë, kurse koncepti që ka për shtetin shumë më i qartë. Ai tha: të gjithë ata që do të prishin rendin (në demonstratë) do të ballafaqohen me grushtin e pamëshirshëm shtetëror të ligjit!

Koncepti shtetëror i ministrit të Mbrojtjes dhe koncepti shtetëror i ministrit të Rendit Publik të Shqipërisë u realizua siç e kishin menduar ata pikërisht ditën e demonstratës, në të vërtetë siç e kishte paramenduar padishahu i tyre.

Gardianët e mbrojtjes së Shtetit, në të vërtetë të Kryeministrisë, në të vërtetë të kryeministrit, në të vërtetë të Sali Berishës vranë me armët e tyre, disa media thonë, me snajperët e tyre qytetarë të paarmatosur!

Policët e Mbrojtjes së Rendit Publik të Shtetit rrahën pamëshirshëm dhe plagosën shumë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, që bënin demonstratë për një shtet pak më të mirë se ç’është ky në emrin e të cilët u vranë ata të katërtit dhe u plagosën ata që u plagosën!

A duhej të vriteshin ata katër qytetarë të Shqipërisë, që ishin çuar në demonstratë për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më demokratike se ç’është kjo e sotmja, e sunduar prej Sali Berishës dhe pretorianëve të tij?

Politikanë, diplomatë, shtetarë, intelektualë të vendeve demokratike po thonë: Jo. Demonstruesit, njerëzit e paarmatosur, nuk duhet të vriten, as të plagosen, kurrë dhe kurrkund, prandaj as në demonstrata.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë dhe pretorianët e tij politikë e partiakë thanë: Po. Duhet të vriten!

Dhe, thonë kështu jo vetëm për shkak të urrejtjes së madhe, irracionale që shpërthen prej syve, prej pamjes dhe prej gojës së tyre, por edhe për shkak të konceptit romantik, anakronik, kundërdemokratik, që kanë për shtetin.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha: “Banditët (demonstruesit – R. Q.) do të përballen me atë që nuk mund ta imagjinojnë”! E kjo: që nuk mund ta imagjinojnë, domethënë me zhdukje, asgjësim të menjëhershëm, aty, para Selisë së tij, para Shtëpisë së tij, para çdo institucioni shtetëror të cilit do t’i afrohen siç iu afruan ata më 21 janar Kryeministrisë së tij.

Ish-Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, tha, dhe thënien e tij mediat elektronike e përsëriten prej çastit kur e shqiptoi deri në çastin kur po e shkruaj këtë artikull: “Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për demokracinë”! Meqenëse ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues edhe prej qytetarëve të vet, edhe prej demonstratës së atyre, që në demonstratë nuk janë çuar as për të përmbysur institucionet, as për të ndryshuar rendin kushtetues (jodemokratik) që mbron kryetari i shtetit, është jetike, atëherë kundër tyre është e lejueshme të përdoren edhe armët! Siç u përdorën!

Ish-Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë demokratike, Astrit Patozi, tha: “Rendi kushtetutar do të mbrohet me çdo kusht!” Vetëkuptohet se kjo me çdo kusht do të thotë: edhe me snajperët e gardistëve që vranë katër qytetarë të paarmatosur, edhe me kallashë, edhe me mitraloza, edhe me topa, edhe me autoblinda, edhe me helikopterë ushtarakë, edhe me minahedhës – thjesht me të gjitha armët! Me Policinë! Me Gardën republikane! Me ushtrinë!

Ata që e duan historinë dhe ata që e lexojnë historinë mund të mësojnë se fjali të tilla, më pak a më shumë të përpunuara, më të gjata a më të stisura, në të cilat është i përmbajtur koncepti romantik, primitiv, reaksionar, vrasës për shtetin, me qindra herë, me mijëra herë janë dëgjuar prej politikanëve, zyrtarëve, shtetarëve, në të vërtetë pretorianëve politikë të Musolinit, të Hitlerit dhe të Stalinit.

Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë është koncept që mund ta quajmë si të doni: në daçi fashist, në daçi nacionalsocialist, në daçi stalinist! Nuk është e mundshme të merrem me përdallimet e tyre tani.

Ai është koncept që fetishizon shtetin; që mitizon shtetin! Ai është koncept që e fashistizon, që e stalinizon shtetin! Ai është koncept që e bën shtetin vrasës të qytetarëve të vet kurdo ata shprehin pakënaqësi me gojë a me sjellje për shtetin që sundojnë ata që kanë atë koncept.

Koncepti shtetëror që shprehin fjalitë e sipërthëna të pushtetarëve të sipërpërmendur shqiptarë vetëm koncept demokratik nuk mund të jetë kurrë.

Demokracia moderne nuk e shenjtëron, nuk e fetishizon, nuk e mitizon shtetin. Në demokracinë moderne shteti është një servis i qytetarëve, që u shërben qytetarëve. Shtetarët punojnë në atë servis për t’i shërbyer popullit. Domethënë: shteti është i popullit e jo i servistarëve.

Në demokracitë moderne ndaj demonstratave, prandaj, nuk reagohet me çdo mjet shtetëror! Demokracia nuk i vret qytetarët e vet përpos kur kryeministrat e saj bëjnë politikë të çmendur si Ben Alia i Tunizisë…!

Në demokracitë moderne kurrë asnjë zyrtar nuk mund të thotë siç tha kryeministri i Shqipërisë: “gardistët (vrastarë, që kanë vrarë katër qytetarë të paarmatosur) kanë mbrojtur Kryeministrinë! Kanë mbrojtur institucionin shtetëror”. Në demokracinë moderne kurrë nuk mund të ndodhë që qeveria, shteti, t’i shpërblejë me një rrogë më shumë e t’i shpallë heronj vrasësit e demonstruesve. Jo. Se ashtu shteti shpërblen dhe nxit vrasjen e qytetarëve të vet. Shpërblime të tilla mund të japë vetëm shtetari kriminel.

Në demokracinë moderne nuk mund të mendohet, prandaj as të thuhet, se “Ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues janë jetike për demokracinë”. Institucionet demokratike mund të jenë të ndryshme: institucione demokratike të tipit skandinav, institucione demokratike të tipit francez, institucione demokratike të tipit gjerman, institucione demokratike të tipit anglez, institucione demokratike të tipit amerikan. E të tjera. Por institucione demokratike kurrë nuk mund të jenë institucionet, që Sali Berisha me pretorianët e tij, detyrohet t’i mbrojë me të gjitha mjetet, prandaj ruajtja e tyre nuk mund të jetë jetike për demokracinë.

Dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në kontekstin në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë; dhe, një fjali e tillë nuk mund të shqiptohet në situatën në të cilën e shqipton kryetari i Shqipërisë. Institucionet jodemokratike të Shqipërisë nuk i kishte ndër mend t’i përmbyste kush më 21 janar. Dhe, ata që u çuan në demonstratë e thanë shkoqur: ne nuk duam të ndërrojmë pushtetin me dhunë; dhe ne nuk duam të marrim pushtetin me dhunë: ne kërkojmë vetëm zgjedhje të parakohshme. Le ta thotë populli, në zgjedhje të parakohshme, të lira, pas zgjedhjeve të vjedhura, se prej kujt dëshiron të jetë i qeverisur.

Demokracia moderne, demokracia demokratike e jo feudale, e jo fshatare, e jo fashiste, e jo staliniste nuk i pret me plumba demonstruesit që futen në institucionet e shtetit pa leje, pa kërkesë po me protesta, me pankarta e me demonstrata. Shembuj të sjelljes së tillë të demokracisë moderne ndaj qytetarëve të vet në Evropë po shohim qe sa vite.

Institucionet shtetërore janë institucione të popullit, të të gjithë qytetarëve dhe atyre u njihet e drejta, natyrore, sipërore, të hyjnë në to kur pajtohen dhe kur nuk pajtohen me to, kur i pranojnë dhe kur ngrihen për ndërrimin e qeveritarëve e, sidomos, të uzurpatorëve, të despotëve të tyre.

Qeveritarët e institucioneve shtetërore demokratike nuk frikësohen prej qytetarëve të vet, nuk frikësohen prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, prej hyrjes së tyre në to.

Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që kanë arsye të frikësohen prej tyre: frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që e gënjejnë popullin, siç e gënjen pandërprerë kryeministri Sali Berisha, që e tallin siç e tall Jozefina Topalli jo vetëm kur e krahason Shkodrën e përmbytur me Venedikun, që e nëpërkëmbin, që ia vjedhin e ia plaçkitin pasurinë siç ia vjedhin dhe ia plaçkitin zyrtarë të lartë shqiptarë, që e bëjnë korrupsionin sistem siç e ka bërë Sali Berisha me pretorianët e tij qeveritarë, që e bëjnë qeverinë skuadër biznesmenësh e familjarësh të biznesmenëve, që bëjnë politikë shtetërore të shtetit të 500 pasanikëve dhe të 3 milionë fukarenjve, që ia mbyllin gojën popullit siç ia ka mbyllur Sali Berisha në shumicën e mediave elektronike, të tipit Klan, ABC-News, TVSH e të tjera, që e vrasin siç po e vret Sali Berisha me pretorianët e tij tani dhe siç e vrau më 1997.

Prej qytetarëve të vet, prej protestave dhe demonstratave të qytetarëve të vet, frikësohen qeveritarët dhe qeveritaret që, megjithatë, nuk e harrojnë mësimin historik: ata që në pushtet mbahen me gënjeshtra e me dhunë ata prej dhunës do të vdesin!

Fjalët që po shqipton, sidomos fjalët nxitëse të luftës qytetare që shqiptoi në mbledhjen e qeverisë më 23 janar, sjelljet që po bën këto ditë, sidomos shpallja e kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeprokurores shtetërore grushtshtetas, të jashtëligjshëm, që presin gjyqin e tij, tregojnë se Sali Berisha është i pushtuar prej mendimesh se ka shumë arsye të frikësohet; dhe, të rrethohet me gardistëve të snajperizuar në kështjellën e tij qeveritare; pas 21 janarit 2011 edhe më shumë se deri më 21 janar 2011.

 

 

 

Fyle: Negociatat me Serbinë, edhe mbi marrëdhënien me Kosovën

Stefan-Fyle-2Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, bëri të ditur se më 21 janar 2014 do të zhvillohet konferenca e parë ndërmjet Brukselit dhe Beogradit në nivel qeveritar. Në një prononcim për Deutche Welle, Fule tha se në këto negociata, kusht kryesor për Serbinë do të jetë raporti me Kosovën.

“Në rrugën e tyre drejt pranimit, kandidatët duhet të përmbushin edhe kushte të caktuara, në përputhje me situatën e tyre specifike. Për Serbinë ka qenë bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë. Këtë kusht Beogradi e ka përmbushur tashmë me arrestimin dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës Ratko Mladic dhe Radovan Karaxhic. Një kusht kryesor tani është raporti me Kosovën. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Megjithatë, Qeveria në Beograd nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, e cila parashikon një autonomi të gjerë për komunitetin serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit në këto komunitete”, u shpreh Fyle.

Sipas tij, gjatë negociatave për anëtarësim në BE do të vazhdojë të vëzhgojë me shumë vëmendje marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Në fund të këtij procesi është e nevojshme një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thuhet nga BE. Për të hyrë në Bashkimin Europian Beogradi nuk duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Këtë nuk e kanë bërë deri tani edhe pesë anëtarë të tjerë të BE-së, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Slovakia.

Irani nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes mbi Sirinë

ONU-Salle-conf[1]Irani nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes mbi Sirinë, të cilat do të zhvillohen këtë javë në Gjenevë të Zvicrës.

Një zëdhënës i OKB-së e bëri njoftimin mbrëmë vonë, pasi Irani e hodhi poshtë idenë e një qeverie kalimtare në Siri. Propozimi për krijimin e një qeverie kalimtare do të jetë një nga komponentët kryesor të diskutimeve në bisedimet e paqes. Krijimi i një qeverie të tillë ka shumë të ngjarë të përjashtojë presidentin sirian Bashar al-Assad, një aleat i madh i Iranit, transmeton Zëri i Amerikës.

Zëdhënësi i OKB-së dje tha se Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon është i pakënaqur që deklarata e fundit e Iranit nuk është në përputhje me angazhimin e mëparshëm të Teheranit për të luajtur një rol pozitiv në bisedimet mbi Sirinë. Ai tha se fillimi i bisedimeve nesër në qytetin zviceran Montro do të vazhdojë pa praninë e Iranit.

Të dielën, zoti Ban njoftoi se ai e kishte ftuar Iranin për të marrë pjesë në bisedime. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha gjithashtu se ai besonte se Irani e kishte kuptuar qëllimin e bisedimeve dhe do të luante një rol pozitiv dhe të dobishëm në to.

Rrëfimi i Bazes: Një bisedë konfidenciale me Olldashin për 21 janarin

berish-bash-prendi-22-janar“Lulzim Basha erdhi në zyrën time. Ishte i trembur nga gjithçka që ndodhte brenda dhe jashtë kryeministrisë. I shikonim ngjarjet të dy në ekran. Ai kishte qenë në kryeministri dhe tani i duhej të përballej me tensionin e dinamikës së ngjarjeve” – Pjesa e mësipërme është shkëputur nga një dëshmi e deputetit të vdekur Sokol Olldashi, dhënë në një bisedë private gazetarit Mero Baze, mik i tij i hershëm.

Ka treguar Olldashi sipas Bazes:

Kur situata perceptoi dhe u pa se ishin vrarë njerëz, u lidh me Bamir Topin. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye, ishte më i qetë.

-Si shkoi biseda, i thashë.

-Mirë, më tha. Nuk m’u duk negativ. Kur dola, më tha bëni kujdes me letrat se ka ngjarje.

Ndërkohë që po bisedonim, mori në telefon Sali Berisha. Po i thoshte diçka të rëndë lidhur me Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Shkuam bashkë në zyrën e tij. Dukej totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit. U hodh në sulm kundër Bamirit. Luli nuk foli. Nuk dija në i kish treguar që ishte aty, por për ta lehtësuar situatën, shkova në fund të zyrës ku ishte telefoni fiks dhe me autoparlant të hapur fola me badigardin e Bamirit, që e kisha mik qysh kur isha Ministër i Brendshëm.

-Ku është ai, e pyeta.

-Në shpi shefo, më tha, pushon tani.

Berisha më pa i çuditur.

-Me kë po flet, tha.

-Me rojën e Bamirit, i thashë.

I ra tërbimi i improvizuar menjëherë dhe tundi kokën.

-Lere mos na ngatërro tani, tha. Ai ka bërë puçin.

Dhe vuri pak buzën në gaz.

Ishte e qartë që i duhej puçist. E kuptoi dhe Basha këtë dhe i tregoi se ishte tek Bamiri t’i bënte thirrje të ndalte puçin, por ai e paskësh kërcënuar dhe i kish thënë “kujdes me letrat”. Ishte një version emocional, krejt i ndryshëm nga ajo që unë isha dëshmitar pak më parë. Presioni i Berishës për të shpallur Topin puçist bëri të vetën. Basha modifikoi përshtypjet e tij nga takimi me Topin, dhe manovra ime për ta banalizuar situatën, po ashtu nuk funksionoi. Tani duhet të bëheshim gati për të mbrojtur grushtin e shtetit.

Unë vendosa vetë të dal në media. U thashë njerëzve të Gardës, që ishin në korridor, se makina që goditi gardhin, ishte e mbushur me tritol. Më panë pak si të çuditur dhe tundën kokën.

-Më duhet një konfirmim për këtë, u thashë, duke tentuar të tregoja ç’duhet të bënin. I sigurt se në atë moment ata do të më mbështesnin, dola në TV dhe thashë atë që thashë. Në fakt asgjë nuk kishte ndodhur. As lajm për tritol nuk kishte dalë dhe as ndonjë provë nuk ishte siguruar. Në një farë mënyre më lanë vetëm në atë përpjekje që ishte boll justifikuese për dhunën. E vetmja gjë që vendosa të bëj është të mos ua përmendja më. Edhe herë të tjera Ndrea në fakt kishte refuzuar të zbatonte urdhra të paligjshëm, por atë sepse isha i bindur se do ta bënte. Nuk e bëri dhe thellë- thellë më erdhi mirë për këtë pas ngjarjes. Bile nuk jam i sigurt nëse ka qëlluar dhe vetë.

E dyta që thashë lidhur me vrasjet, ishte për t’i dhënë zemër njerëzve. Ajo e gjitha u perceptua si një përleshje ku ne dolëm fitimtarë me viktima nëpër këmbë. Jam përpjekur gjithmonë të jem i paqartë në atë deklaratë, por perceptimi është ashtu siç thua ti, më tha, që unë kam shprehur vendosmërinë për të vrarë. Ajo që më bëri përshtypje, tha, ishte se gjatë fushatës brenda PD-së, kur e thashë këtë gjë, nuk funksionoi. Askush nuk ma përmendi një përparësi. Ngjante në fakt si një garë mes meje dhe Lulit kush ishte më radikal më 21 Janar. E ndjeva nga heshtja që më rrethonte kur e thashë këtë.

Baze shkruan se pastaj erdhi momenti i dytë i rrëfimit të tij lidhur me urdhër- arrestin për gjashtë oficerët. Ka rrëfyer Olldashi: 

“…Lajmi përflitej dhe Luli erdhi në zyrën time për shkak të miqësisë që unë kisha me Ina Ramën. Ina foli me mua dhe më kërkoi që të bisedoja, të thërriste prokuroria gjashtë oficerë për t’i marrë në pyetje. Ja thashë Lulit në një klimë tërësisht të qetë, pa tensionin e një puçi të ri, dhe ishte dakord. I thashë Inës të dërgonte letrën se gjithçka ishte në rregull.

Pasi uli telefonin me ne, ajo kishte komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit. Ai kishte komunikuar direkt me Berishën dhe i kishte treguar. Berisha mori sërish Lulin dhe i tha se kryepuçistja Ina Rama kërkonte të arrestonte zinxhirin komandues të Gardës.

-Ka hyrë në funksion Plani B, i tha.

Luli ia miratoi paranojën pa guxuar t’i tregojë se kish qenë në parim dakord me atë që po bënte Ina. Kështu u përfshi dhe ajo në listën e komplotit. Pas kësaj, gjithçka e komandonte Berisha, paranojën, skenarin dhe daljen nga kriza.

Baze rrëfen një detaj edhe per pergjimet e telefonave, një çshtje e shumëdebatuar ato ditë:

“…Pasi kaloi kulmi i trazirës dhe shumë njerëz u përcollën të plagosur, unë që e ndiqja nga lart skenën, nuk isha i qartë për numrin e të vrarëve. Nuk dija kujt t’i thosha t’u bënte thirrje të tërhiqeshin. I bëra një sms Zogajt dhe Ramës ku në fakt përmendja diçka të tillë me gjysmë humor të zi. Batuta mori shkas nga një miku im, A.K., që hyri në atë moment në lokal ku rrinim dhe më pyeti ç’po ndodh.

-Asgjë, i thashë. Mbaroi, kaq ishte. Tani shko tek dera e kryeministrisë, bëj shurrën, por mos e kalo gardhin, dhe ik. Po e bërë këtë, do të ngrenë në detyrë kur të ndërrojë pushteti.

Humori i zi qarkulloi pak minuta aty rrotull dhe s’jam i sigurt nëse Olldashi e kishte këtë nga thashethemet e atyshme, nga një raportues i Agim Shehut që kishim në krah, apo nga sms. Sidoqoftë nuk ishte diçka me zarar...”

PD: Eksplozivi në Vlorë, akt i pastër terrorist

astrit-patozi_1Deputeti i PD-se Astrit Patozi, e ka cilësuar një akt të pastër terrorist në qytetin e Vlorës në mesin e ditës, pas vendosjes së një sasie eksplozivi në automjetin e kryetarit të komunës Qendër në Vlorë.

Në një prononcim për mediat, Patozi ka kërkuar që të zbardhen autorët dhe të dalin para drejtësisë, ndërsa nuk nguroi të theksojë se krimi i i rrugës, sipas tij, po bën kërdinë.

Atentat me eksploziv Kryetarit te Komunës Qendër, Vlorë

eksploziv vloreNjë shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në mes të qytetit të Vlorës. Nga të dhënat paraprake flitet për një atentat me telekomandë ndaj makinës së kryetarit të komunës Qendër. Policia ka bërë të ditur se, është hedhur në erë makina e kryetarit të komunës qendër në Vlorë, Fredo Berberi. Ky i fundit ka mbetur i plagosur, pasi makina e tij ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia dhe ambulanca, e cila ka transportuar drejtë Spitalit Rajonal të Vlorës të plagosurin. Momentalisht nuk ka të dhëna rreth gjendjes së tij shëndetësore.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, në automjetin tip fuoristradë “Benz ML”, janë dëmtuar edhe dy makina të tjera, që ndodheshin aty pranë në momentin e ngjarjes.

Ekspertë të policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur autorët e vendosjes së lëndës eksplozive në makinën e kreut të komunës Qendër.

Mësohet se pas shpërthimit, makina është përplasur me mjetet që ishin të parkuara në anë të rrugës.

Ndërsa, një grup deputetësh të Partisë Demokratike janë nisur drejt Vlorës, për të vizituar kryekomunarin Fredo Berberi.

Sequi: Presidenca e BE rol me rëndësi në sistemin evropian

ettore-sequi-602x401Ambasadori i BE-së në vendin tonë Ettore Sequi i pranishëm në Komisionin e Integrimit, duke iu referuar presidencës greke të Bashkimit Europian e ka cilësuar 2013  si vitin e Mesdheut sa i takon  angazhimeve në kuadër të BE-së. Sequi tha se BE është e angazhuar për të siguruar jo vetën suksesin e presidencës, por veçanërisht të Shqipërisë.

“Presidenca ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në prioritetet e BE. Ky vit do të jetë viti i Mesdheut. Ne jemi të angazhuar që të sigurojmë jo vetem suksesin e presidencës, por veçanërisht të Shqipërisë. Ne po dalim nga kriza, duam një Europë që të mos udhëhiqet nga frika, por nga shpresa. Këtë duam edhe për Shqipërinë”, u shpreh Sequi.   Ndërsa ambasadori grek në Tiranë, në fjalën e tij u ndal tek reformat e bëra nga Shqipëria në kuadër të integrimit europian. Ndërkaq, ambasadori grek theksoi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të kufijve.

“Shqipëria vjen nga një rrugë e gjatë, ka pasur shumë suksese, ju keni dhënë prova që keni kapacitetin për të ecur perpara, duke iu referuar edhe konkluzioneve të Këshillit, zgjedhjet janë zhvilluar të suksesshme, jeni në rrugën e duhur. Dua ta filloj me rritjen e punësimit dhe kohezionin, që është prioritet i presidencës greke në BE, duam rritje ekonomike. Ne do të ruajmë euron që ka qenë një mekanizëm i rëndësishëm i BE-së. Prioriteti i tretë është siguria, duke përfshirë migracionin dhe mbrojtjen e kufijve, pasi lehtëson lëvizjen e qytetarëve në Europë, menaxhimin e flukseve të migracionit. Mbrojtja ligjore e kufijve është e rëndësishme. Do të krijohet strategjia e perspektivës së Adriatikut e BE-së”, tha ambasadori grek në Shqipëri.

Nishani takon Milanoviç: Kroacia do mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit

nishani-kroatiPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani tha se kjo vizitë ka një rëndësi shumëdimensionale, sepse Kroacia është një vend mik, bashkudhёtare nё procesin e anёtarёsimit nё NATO dhe një bashkёpunёtore e afërt nё procesin e integrimit evropian dhe shtoi se, Kroacia ёshtё një aleate e rёndёsishme pёr Shqipёrinё nё rajon, dhe, për kёtё arsye, ne i kushtojmë njё vëmendje tё veçantë marrёdhёnieve tona me këtë vend.

Presidenti u shpreh se Shqipëria e konsideron anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, si një portë më afër Evropës për vendin tonë, ndërsa shprehu bindjen se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë më fort Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.  Kreu i Shtetit më tej, vlerësoi lart edhe mbështetjen kroate ndaj gjithë rajonit, duke theksuar se Procesi i Brdos, ku Kroaci ka rol drejtues, po i shërben rritjes së frymës së dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me vendet partnere të BE-së.

Si fusha të rëndësishme, ku mund të thellohet bashkëpunimi dypalësh, Presidenti veçoi, energjetikën, turizmin dhe bujqësinë, ndërsa nënvizoi se zbatimi i projekteve të rëndësishme si ai Adriatiko-Jonian duhet të jenë prioritet i këtij bashkëpunimi dhe bashkëpunimit me vendet e interesuara dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri Milanović, e siguroi Presidentin se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë fort Shqipërinë në integrimin evropian dhe vuri në dukje se, sipas vlerësimit të tij, Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Kryeministri tha gjithashtu se bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh mes vendeve tona mbetet në vëmendjen e qeverisë kroate dhe e konsideroi realizimin e Projektit Adriatiko-Jonian si me shumë interes për daljen e vendeve të rajonit në tregun evropian.

Tahiri: Policia e shtetit drejtohej nga miltantë

tahiri-konf_1Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar për publikimin e analizës vjetore të Policisë së Shtetit, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri analizoi gjendjen në të cilën ndodhej Policia e Shtetit, nën drejtimin e mëparshëm.

“Policia e shtetit drejtohej nga militantë. Burimet njerëzore të janë shumë më keq se sa standardi që kërkohet. Të rinjtë dhe të rejat janë shumë pak, arsimimi është i mangët, shumica me shkollë të mesme, një minorancë me shkollë të lartë. Punonjësit ishin të shfrytëzuar dhe të nënpaguar. Jemi të angazhuar për ta ndryshuar këtë situatë pavarësisht vështirësive të panumërta  Sot unë besoj se policia e shtetit e ka ngritur kokën dhe është në krye të detyrës. Na akuzojnë ata që deri dje mbase e kanë bërë këtë dhe mendojnë se e bëjmë ne.

Si mund të fshihet një vrasje, kush ma gjen formulën. Kemi firmosur urdhrin dhe komunikata që deri dje ka qenë e klasifikuar, nga sot do deklasifikohet dhe do t’i shpërndahet publikut. Duke përjashtuar të dhënat personale dhe të dhëna që kanë të bëjnë me specifika të hetimit. Cdo qytetar për çdo ankesë për çdo kallëzim, do të pajiset me numrin unik të çështjes do shërbejë si identiteti i ankesës apo kallëzimit”, u shpreh Tahiri.