Greqia: Julian Sinanaj shumë i rrezikshëm

vrasjeVrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, i cili u kap para disa ditësh nga policia shqiptare është një emër i njohur edhe për policinë greke. Dy shqiptarët e kapur Ilir Kupa dhe Julian Sinanaj janë përfolur mjaft nga mediat greke ditët e fundit. Por pavarësisht se vëmendja është përqendruar te Ilir Kupa,  Julian Sinanaj cilësohet nga shtypi helen si një person më i rrezikshëm se Kupa.

“Julian Sinanaj është një person me precedent të pasur kriminal në shtetin helen, më shumë se vetë Ilir Kupa. Ai akuzohet për shtatë vrasje dhe për sulme terroriste në Greqi”, shkruajnë mediat greke.

Sipas këtyre të fundit, thuhet se 27-vjeçari i arrestuar në Tiranë më 25 janar dyshohet është autor i dy vrasjeve në Greqi, ku një viktimë është emër i njohur i krimit grek, ndërsa tjetri kalimtar i rastit.

Një tjetër ngjarje për të cilët lakohet emri i Sinanit është dhe vendosja dhe shpërthimi i bombës në Gjykatën e Selanikut në vitin 2010, ku rrezikuan jetën 50 persona. Gjithashtu aktivitetin e 27-vjeçarit në tokën helene, mediat atje e lidhin me një organizatë terroriste greke e quajtur “Bërthama e Zjarrit”, ku ai kryente akte terroriste për llogari të saj.

Mediat helene raportojnë se arrestimi i Julian Sinanajt i kanë kapur të papërgatitur hetuesit grekë, të cilët ndodhen prej ditësh në Tiranë. Ata presin të vërtetojnë nëse deklaratat e dhëna nga 27-vjeçari janë të bazuara në fakte.

Shtypi grek ka disa ditë që fokusohet në këto dy arrestime të bujshme në Shqipëri, duke vënë theksin tek arrestimi i Ilir Kupës, për të cilin shprehen se do të pranonte edhe të merrte përsipër një vepër penale në Shqipëri vetëm e vetëm që të mos ekstradohej. Por edhe krimet e kryera në Greqi edhe nga Julian Sinanaj kanë vënë në lëvizje drejtësinë e shtetit fqinj.

Operacioni antiterrorizëm, zbulohen 10 bomba me telekomandë

antiterrorizemNisur nga ngjarjet e fundit, përsa i përket atentateve të ndryshme me lëndë eksplozive, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion për zbulimin e vendeve ku prodhohet tritoli. Operacioni i policisë u shtri në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.

Gjatë këtij operacioni policia e shtetit ka zbuluar në Tiranë një bazë më lëndë eksplozive. Në banesë janë gjetur 10 bomba me telekomandë dhe disa municione luftarake. Baza është gjetur në rrugën e Kavajës.

Burime të policisë bëjnë me dije se operacioni vijon ende dhe po punohet për arrestimin e personave të përfshirë në këto ngjarje. Sakaq bëhet me dije se priten disa arrestime në Vlore dhe në Tiranë

Policia do të japë detaje të këtij operacioni gjatë orëve të mbrëmjes nëpërmjet një deklarate për media.

Ndërsa, dje ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi në Komisionin e Sigurisë se sulmet me eksploziv do të trajtohen si akte terroriste.

Krijohet Kolegji i Këshillimit të Trashëgimisë Kulturore

ministria e kulturesSot, në ambientet e Ministrisë së Kulturës u zhvillua mbledhja e parë e Kolegjit të Këshillimit për Trashëgiminë Kulturore.

Në përbërjen e tij janë historianë, arkeologë, etnologë, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Anëtarët e këtij kolegji këshillues, dr.Afërdita Onuzi, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Aleksandër Meksi, prof.dr.Vaso Tole, prof.i associuar Lorenc Bejko, prof.

Gjergj Frashëri, prof. dok. Emin Riza, prof.dr.Pirro Thomo, dr. Ilir Gjipali, prof. Arben Biçoku, Lida Miraj, Arta Dollani, Zhulieta Harasani, Zef Çuni, mes të cilëve profesorë dhe arkeologë të nderuar u shprehën se “Ky është takimi i parë në fushën e trashëgimisë kulturore, që organizohet në nivel ministror me personalitete të fushës”.

Krijimi i këtij kolegji, me pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, krijohet për një konsulencë dhe vazhdimësi të përhershme të këtij “këshilli të të urtëve” me konsulentë të fushës.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimin e politikave kombëtare në fushën e trashëgimisë, ku Ministria e Kulturës e vë theksin në këtë konsulencë të përhershme me anëtarët e Kolegjit të Këshillimit.

Vlen të theksohet se, takimi, i cili zgjati më shumë se dy orë, u përqëndrua në shumë prej pikave të nxehta të trashëgimisë duke filluar me diskutimin për strukturat e reja të DRKK-së, stategjinë e mirëmbajtjes së monumenteve,

legjislacionin në fushën e trashëgimisë kulturore, procesin e rishikimit të rregulloreve të evidentimit dhe të tjera po aq të rëndësishme si: standartet në punimet restauruese, procedimet e konservimit, dixhitalizimi i informacionit, rishikimi i listës së monumenteve të kulturës në të gjithë vendin, etj.

Hollande i thotë “Po” Turqisë në BE

BE.1Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka mbështetur Turqinë në lidhje me anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. “Pavarësisht rezervave të fundit që presidenti Hollande ka shprehur ndaj masave që qeveria turke ka marrë ndaj policisë dhe sistemit të drejtësisë, duket se ai po përkrah idenë që Turqia të vazhdojë rrugën drejt BE-së, -shkruan “Reuters”.

Hollande ka deklaruar se Turqia duhet t’i vazhdojë negociatat me BE-në, pasi bisedimet do të ndihmojnë për të trajtuar çështje të tilla si sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, ndarja e pushteteve dhe respektimi i të drejtave themelore të individit. “Procesi duhet të zhvillohet dhe të trajtojë të gjitha temat e vështira, tema të cilat janë të vështira por edhe të nevojshme”, -u shpreh Hollande në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin turk, Abdullah Gul.

“Negociatat nuk përfshijnë anëtarësimin. Çështja e anëtarësimit do të vendoset nëpërmjet referendumit”, -ka thënë më tej presidenti Hollande. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe presidenti i Turqisë, duke thënë se “procesi i negociatave nuk nënkupton një anëtarësim të plotë. Ne shpresojmë që të mos kemi një bllokim politik”.

Manifestim antiqeveritar në afërsi të Bangkokut

Manifestim antiqeveritar në afërsi të Bangkokut, Tailandë. (Nir Elias, Reuters/Contrasto)
Manifestim antiqeveritar në afërsi të Bangkokut, Tailandë. (Nir Elias, Reuters/Contrasto)
Manifestim antiqeveritar në afërsi të Bangkokut, Tailandë. (Nir Elias, Reuters/Contrasto)

Samaras viziton zonat e dëmtuara nga tërmeti

samaras1Kryeministri grek Antonis Samaras viziton sot zonat e dëmtuara nga tërmeti në ishullin e Kefalonias.

Kryeministri do të inspektojë nga afër situatën dhe do të shohë përmasat e katastrofës që u shkaktuan nga tërmeti i së dielës.

“Doja të shija me sytë e mi pasojat e tërmetit. Do të bëjmë një mbledhje. Duam të shohim më shumë dhe do të kemi për të thënë më shumë”, deklaroi kryeministri menjëherë pas mbërritjes së tij në ishull.

Të martën në mbrëmje Samaras mori pjesë në konsultën e zhvilluar në qendrën operative të situatave emergjente dhe u informua në mënyrë analitike për situatën aktuale në ishull.

Një tërmet i fuqishëm ka goditur pasditen e të dielës ishullin Kefalonia, po për fat nuk ka shkaktuar viktima apo dëmtime të rënda. Tërmeti u shënua në orën 15,55 dhe magnituda e tij ishte 5,9 ballë të shkallës rihter.

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit

OLYMPUS DIGITAL CAMERABanka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit duke e lënë në nivelin prej 3 përqind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndërsa ka paraqitur raportin mujor të këshillit mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë theksoi se ulja e normës bazë të interesit u bë për të stimuluar ekonominë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ndërsa e ka cilësuar 2013-ën si një vit të vështirë për ekonominë e vendit theksoi se defiçiti dhe borxhi publik gjatë këtij viti pati rritje të ndjeshme.

Sipas Fullanit Prodhimi i Brendshëm Bruto ka rënë me 2.3 përqind në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa shtoi se gjendja financiare e sipërmarrjeve mbetet e vështirë.

“Viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Deficiti dhe borxhi publik u rri ndjeshëm. Zgjedhjet e 23 qershorit paraqitën një moment pasigurie për biznesin.Sistemi bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm, pavarësisht nga rritja e kredive të këqija. Inflacioni vjetor ka qëndruar me 1.5 për qind. Sipas tij, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 2.3 % gjatë 3 mujori të tretë të vitit 2013”, tha Fullani.

Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë 2013-ës janë rritur shpenzimet buxhetore, ndërsa çmimet e shportës mbeten ende të larta.

Ndërkohë për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë viti 2014 duhet të jetë një pikë kthese për ekonominë e vendit, me politika stimuluese  dhe duke vijuar me reformat strukturore.

Berisha rrezikon skualifikimin

ertrit berishaHistoria dukej se ishte mbyllur me përfundimin e merkatos së verës, në momentin kur portieri kuqezi, Etrit Berisha, u transferua nga Kalmari te Lazio, panvarësisht se ishte komplikuar gjithçka nga një parakontratë që Kievo pretendonte se gardiani shqiptar kishte firmosur me veronezët. Berisha dhe menaxheri tij mohonin gjithçka, deri në momentin kur Igli Tare ndërmori blicin final dhe mori në skuadrën e tij numrin 1 shqiptar.

Telenovela Berisha tani është rihapur, zërat që mbërrijnë nga Italia janë shqetësuese dhe për këtë Lazio ka pasur një takim me drejtuesit e Milanit për të siguruar shërbimet e portierit brazilian Gabriel, ndërkohë që edhe Milani interesohet për Marketin, por nuk është ky lajmi i tratativës, pra fakti që Marketi ka përfunduar në pankinë. Siç shkruan “SkySport”, Lotito dhe Tare janë të shqetësuar nga skualifikimi i mundshëm i Etrit Berishës. Rreziku vjen nga telenovela e verës me Kievon: sipas klubit veronez, shqiptari ka firmosur një kontratë të rregullt, përpara se të anashkalonte gjithçka dhe të transferohej te bardhekaltërit.

Menaxheri dhe vetë Berisha mohojnë plotësisht këtë version. Një histori që kishte qëndruar në qetësi prej disa kohësh, por që tani është rikthyer frikshëm në skenë ndoshta edhe si pasojë e paraqitjeve mjaft të mira të tij.

Recipeta që hapen vetëm nëse ka dashuri të vërtetë

tru loveNjë kompani japoneze ka krijuar  recipeta të veçanta të cilat mund të hapen vetëm nëse ka dashuri të vërtetë.

E lidhur me një aplikacion True Love Test Bra këto të brendshme për femra hiqen vetëm kur zemra fillon e rreh fort.

Krijuar nga kompania japoneze Ravijour, recipeta fsheh një sensor, që regjistron të rrahurat e zemrës dhe i transmeton nëpërmjet bluetooth-it në një aplikim që i analizon. Kur rrahjet e zemrës kalojnë kufirin e caktuar, recipetat hapen vetë.

‘Më parë recipetat  ishin një veshje për femrat, shpjegon shpikësi, tani ai është një mjet për të testuar dashurinë e vërtetë.

Humorgazetaria prodhon politikanë

emperorFatos Mahmutaj

I dashur miku im Mero. Të ndjek çdo ditë në gazetën “Tema”, nëpër artikujt e shumtë dhe opinionet e tua të spikatura, ashtu siç di ti shkruash vetëm ti. Po ashtu, edhe unë si pjesa më e madhe e lexuesve të tu, lexoj edhe rubrikën e humorit “Antena”. Humori i këndshëm, me personazhe të vërtetë dhe herë herë edhe ngjarje me sfond real, të bëjnë vërtet të qeshësh. Pikërisht këtu mendoj se qëndron problem i vërtetë, pasi nuk është pak të shohim që personazhet e tu, janë ata që duam apo nuk duam diktojnë politikat madhore në atdheun tonë.

I dashur Mero. (Si kolgë dhe miq që jemi po të drejtohem me ti). Dua të mbetemi pak pikërisht tek “Antena”, ndaj po i bie shkurt. Protagonistët e atyshëm, prej shumë kohësh e kanë tejkaluar shakanë dhe kanë marrë përmësa të tjera. Tashmë, falë talljes teje, ata kanë zënë poste të larta dhe në kah krejt të kundërt, me “Antenën” kanë qeverisur jo rrallëherë edhe dikastere të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Konkretisht po të përmend disa: Flamurin, me trashësinë e të cilit qeshnim përditë u bë ministër; Sandri me hilet, servilizmat dhe intrigat e të cilit talleshim, mbushi xhepat mirë me paratë e shqiptarëve; Fevzoja me lëpirjet e tij sa tek njëri apo tjetri politikan dhe pa pikë integriteti e shtyllë kurrizore, vegjeton pa i hyrë gjëmb në këmbë në profesionin tonë, madje mbush mirë portofolin duke bërë ekspertin e gjithçkaje; Taçi ose Taqi siç i thua ti i dashur koleg, vodhi sa deshi nga pasuritë e atdheut tonë; Kunati, me axhamillëkun e të cilit gajasemi, falë teje gjithashtu ka vënë në vijë gjithçka tek Bashkia e Tiranës dhe ata që konsiderohen dora e dytë në PD; Halimi e ca Halimër të tjerë, me bindjen e tyre të verbër tek Familja ka qenë ca herë ministra dhe i kanë katandisur në derexhenë më të fundit institucionet që kanë drejtuar; dhe, së fundmi edhe Gridën, fiks siç e përshkruan edhe ti, të çorganizuar në mënyrë të organizuar, po bëhet nënkryetare e PD. Në këtë shkrim nuk arrij të t’i përmend dot të gjithë personazeht e tu në “Antenë”. Por është e thjeshtë: Trashësia, budallallëku, servilizmi, frika dhe injoranca e tyre, të gjitha bashkë apo veç e veç, tek secili prej tyre, në vend që t’i përdorim si shkak për t’iu treguar derën, ata na i përdorin si meritë për promovim. Kuptohet që ky është kriteri mbi të cilin i përzgjedh ndihmësat Sali Berisha.

Problem nuk është tek ti i dashur koleg. Të jemi të ndërgjegjshëm, për hir të së vërtetës. Por tek Sali Berisha. Të gjithë e njohim Berishën si një person të paskrupullt, itrigant, shpifës dhe njeri me ego të sëmurë. Është e qartë që ai do ta bëjë gjithçka vetë, ndaj këta personazhet i përdor vetëm sa për numër. Kuptohet që ai është vetë Flamuri, Sandri, Taçi e Taqi, Kunati, Grida. Madje ai është edhe vetë Doktori i “Antenës”. Para pak kohësh ke botuar një artikull, ku me të drejtë thoje: “Dikur ‘Antena’ thoshte çfarë bën Doktori, tani Doktori vepron çfarë thotë ‘Antena”. Shkurt ky është niveli i Berishës. Është e qartë që ai preferon më mirë mbret i majmunëve sesa fisnikërinë mes të barabartëve.

Ajo që kërkoj prej teje miku im është diçka e vogël. Të paktën mos e ndihmo që t’i gjejë këta. Lëre që t’i zgjedhë vetë. Me aq mend sa ka, ai tek të njëjtët ka për të shkuar. E ka treguar gjithmonë këtë. Edhe nëse nuk do zgjidhte këta të mësipërmit, do kishte zgjedhur kopjet identike të tyre. Por neve, vërtet na vjen shumë herë më ligsht kur ata me të cilët tallemi, i shohim të na qeverisin.