Riformatimi i SHISH-it, Basha: Qeveria, presion institucioneve të pavarura

bashaKreu i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar riformatimin  e Shërbimit Informativ Shtetëror si një presionin që qeveria i bën institucioneve të pavarura.

Basha vlerësoi edhe deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me cënimin sipas tij të institucioneve të pavarura në Shqipëri.

“DASH shprehu një shqetësim që është shqetësim qytetar, shoqëror dhe një shqetësim i opozitës dhe ky është shqetësimi për kursin antidemokratik të qeverisë për shkeljen e parimeve të shtetit ligjor, të goditjeve të institucioneve të pavarura për hir të revanshit politik.Nga ana tjetër jam i lumtur që DASH vlerëson kursin e opozitës si një mbështetëse e integrimit europian të vendit dhe dua të theksoj që opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e të gjitha hapave dhe masave që çojnë drejt integrimit europian të Shqipërisë. Thënë kjo dhe shtuar këtu edhe deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit Kerry në konferencën e sigurisë në Mynih vetëm dy ditë më parë nuk mund të mos ndalem tek shqetësimi i shprehur nga kreu i diplomacisë amerikane për atë që e cilësoi si një trend të kapjes së institucioneve, të blerjes së pushtetit dhe të vënies së mediave nën kontroll përmes mjeteve financiare është një alarm që qeveria amerikane ka ngritur tashmë për Ballkanin në tërësi por pa dyshim Shqipëria dhe realiteti shqiptar janë pjesë e këtij shqetësimi” tha Basha.

Basha u shpreh gjithashtu se opozita është e gatshme të bashkëpunojë me mazhorancën për integrimin e vendit nëse kjo e fundit shpreh vullnet të vërtetë.

“Deklaratat e Kerry-t janë pjesë e një shqetësimi që opozita po ngre me forcë prej kohësh, që ka të bëjë me shitblerjen e votës, ka të bëjë me tjetërsimin e institucioneve në kundërshim me ligjin. Ka të bëjë me presionet ndaj gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura dhe të gjitha këto padyshim nuk janë hapa që ndihmojnë kursin europian të Shqipërisë, nuk janë hapa që ndihmojnë integrimin dhe standartet që duhet të arrijë Shqipëria për integrimin sikundër janë shkaku i vërtetë përtej shfajësimeve dhe alibive për skepticizmin në rritje, skepticizëm që mund të luftohet vetëm nëse mazhoranca që është edhe përgjegjësja kryesore për situatën ka vullnet të vërtetë për të bashkëpunuar me opozitën e cila nga ana e saj e ka bërë të qartë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra përkushtimin e saj pa ksuhte për integrimin europian të vendit” shtoi më tej Basha.

Deklarata e Lulzim Bashës u bë pas inspektimeve të punimeve në shkollën “Ahmet Gashi” në Laprakë.

Ndihmoi Ilir Kupën të strehohej, arrestohet 37-vjeçari në Lezhë

arrestimNjë 37-vjeçar është arrestuar sot nga policia në Lezhë pasi akuzohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ilir Kupa.

Burime nga policia bëjnë me dije se është ndaluar Agron Picaku i cili dyshohet se ka strehuar Kupën në kohën kur ky i fundit ndodhej në arrati.

Sipas policisë, Picaku është arrestuar në shtëpinë e tij në Lezhë pasi kishte 1 javë që ishte kthyer nga Greqia, ku ishte njohur në burg me Ilir Kupën.

I shumëkërkuari Ilir Kupa u arrestua pak ditë më parë gjatë një operacioni policor, në periferi të Tiranës.

Ndërkohë, i arratisuri nga  burgu i sigurisë së lartë në Trikalla Ilir Kupa është më shumë se i vendosur për të mos shkelur më kurrë në një qeli greke. Disa ditë më parë, 27-vjeçari ka shfrytëzuar mediat në sallën e gjyqit për të shprehur refuzimin e tij ndaj një ekstradimi të mundshëm në tokën helene.

“Kërkoj më mirë paravrasje nga drejtësia shqiptare që të jenë të kënaqur dhe shokët e mi që janë vrarë mbrapa kurrizit , që janë masakruar nga 300 plumba në trup secili. Në Greqi nuk do shkoj, vetëm i vdekur” deklaroi disa ditë më parë në sallën e gjyqit Ilir Kupa.

Përtej revoltës në kafazin e hekurt, Ilir Kupa nuk i ka shpëtuar dot masës së sigurisë me burg edhe pse akuza e vetme zyrtare në Tiranë është ajo e “armëmbajtjes pa leje”.

Pikëpyetje e madhe mbetet ekstradimi i tij në tokën helene, ku autoritet greke kanë nisur proçedurat. Por avokati i Kupës, Lazër Sokoli, sqaroi se ende nuk ka një kërkesë të tillë.

“Ai nuk ka kryer asnjë krim në shtetin shqiptar. Nuk është person i rrezikshëm në shtetin shqiptar. Këto armë ai i ka mbajtur vetëm për t’u ruajtur dhe për të mbrojtur veten e vet përballë forcave speciale greke. Nuk ka kërkesë për ekstradim, do bëjmë të gjitha përpjekjet që të hetohet dhe të gjykohet në vendin e vet”, ka deklaruar më herët Lazër Sokoli.

Kerry: Ballkani nën barrën e korrupsionit

KerrySekretari i Shtetit John Kerry është ndalur te problem i korrupsionit, me të cilin përballen vende të Evropës Juglindore e Qendrore.

“Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, tha Kerry.

Sekretari i Shtetit John Kerry foli edhe për gjendjen në Ukrainë. “Megjithëse ka elementë shqetësues dhe një situatë kaotike në rrugët e Kievit, pjesa më e madhe e ukrainasve duan të jetojnë të lire, në një mjedis të sigurt, në një vend të begatë dhe po luftojnë për të drejtën për të bashkëpunuar me partnerë që do t’i ndihmojnë të përmbushin aspiratat e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës në këtë betejë”.

Konferenca e Mynihut për Sigurinë është një aktivitet vjetor ku diskutohen sfidat e sigurisë dhe bashkëpunimi SHBA-Evropë për ballafaqimin me problemet aktuale. Siguria e Evropës dhe bashkëpunimi në përgjigje të sfidave globale ishin ndër temat kryesore ku u ndal dje Sekretari i Shtetit John Kerry gjatë fjalës së tij në konferencë. “Në botën e sotme me kërcënime komplekse, siguria dhe udhëheqja jonë mbështetet në të gjithë elementët e fuqisë sonë – përfshirë një demokraci të fortë dhe të bazuar tek parimet. Po ashtu ato varen tek mobilizimi i fuqisë së aleatëve tanë më të fortë. Asnjë vend nuk mund të zgjidhë i vetëm sfidat e ditëve tona”.

Për këtë arsye, tha Kerry, forume si Takimi i Mynihut janë shumë të rëndësishme për të kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe forcën e unitetit tonë.

Në fjalën e tij në Konferencën e Mynihut, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel ritheksoi planin e administratës Obama për të zhvendosur fokusin e politikës së jashtme nga veprimet ushtarake tek diplomacia. Komentet e Hagel bëhen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar misionin ushtarak në Irak, pas tërheqjes së trupave nga Iraku në 2011 dhe në përgatitje për të tërhequr forcat nga Afganistani brenda këtij viti.

“Tani që Shtetet e Bashkuara lënë pas eksperiencën 13 vjeçare të luftës, e kemi të qartë se e ardhmja kërkon një epokë të re ku të forcojmë lidhjet dhe fqinjësinë me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me vendet në Evropë”.

Në fjalimin për gjendjen e vendit të martën, Presidenti Barak Obama tha se nuk do të dërgojë trupa amerikane për të luftuar “nëse nuk është vërtetë e nevojshme”.

Hagel vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndihmojnë vende në nevojë, duke nënvizuar bashkëpunimin antiterrorist dhe humanitar me partnerët evropianë në Mali dhe në Republikën Qendrore Afrikane.

Darka me Ramën, Topi: Kur je në politikë patjetër do kesh takime

rama-topiKryetari i FRD-së, Bamir Topi komenton darkën me kryeministrin Edi Rama në një prej lokale në kryeqytet. Për kreun e FRD-së takimi midis dy liderëve është mese normal , ndërsa shprehet se “kur je në politikë patjetër do kesh takime”. Në një i9ntervistë për “News 24”, ish-presidenti kritikon sjelljen e PD-së ndaj qeverisë duke i sugjeruar asaj që të mos kritikojë për gjithçka qeverinë.

Zoti Topi, ka patur edhe reagime negative në shtyp, lidhur me deklaratat tuaja të fundit, sa i takon Ministrisë së Brendshme. A mendoni se është në ditët më të këqija të saj. Ju jeni shprehur që SHISH duhet të bashkëpunojë fort, në mënyrë që situatat të parandalohen…

Sot unë jam në një pozicion politik, i cili konsiderohet një pozicion në opozitë. Nuk është faji jonë që brenda një opozite të ekzistojnë pozicione të ndryshme për politikën, për punën e qeverisë dhe për nevojën e një bashkëpunimi të gjerë edhe për reforma tepër të rëndësishme. Nëse unë kam thënë që duhet një bashkëpunim institucional, të policisë, të rendit, të SHISH, kam thënë gjënë më normale. Unë besoj që ajo që duhet të funksionojë sot duhet të jetë inteligjenca, e cila duhet të vihet në funksion për të parandaluar. Duhet t’i lemë këto motivet e natyrës politike se kush e ka zgjedhur, kush e ka propozuar. por duhet të bashkëpunojmë. duke dashur ndonjëherë që politikanë të caktuar për të qenë oratorë. Ka edhe një shprehje shumë të mençur që thotë: Shteti është i fortë kur “dëgjon” ligjet dhe dëgjon pak oratorët.

Por, ministri më i goditur është ai i brendshëm, zoti Tahiri. Ju si e shihni punën e tij dhe reformat e fundit që janë bërë në policinë e shtetit?

Për zotin Tahiri unë do të thosha që është e domosdoshme që të shkëputet nga ekranet. Ka nevojë që ministri, ekipi të ndajë interpretimin politik të gjërave që bëhen në Parlament me pjesën profesionale që është policia. Policia duhet inkurajuar. Të mos i anatemojmë. Të mos e marrin në konsideratë si një moment debati punën e policisë.

Ju keni thënë që do jeni pjesë e opozitës, por opozitë që do bashkëpunojë. Dy reforma të rëndësishme janë ajo territoriale dhe ajo në drejtësi. Ç’mendim keni?

Ne do bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike që dëshirojnë të bëjnë reforma në funksion të shtetit, të cilat në përgjithësi janë reforma kushtetuese. Ato kanë nevojë për konsultime të gjera. Ne do të japim kontributin tonë sipas programit që kemi ne, për të gjitha ato reforma, për të cilat ne jemi të dobishëm, sepse Brenda nesh ka politikanë me karrierë, por edhe ekspertë. Në rats se do të flasim për reformën territoriale, unë jam shprehur që është domosdoshmëri që Shqipëria ta realizojë reformën territoriale.

Jeni dakord për zgjerimin e njësive vendore…?

Unë që po ju flas, jam një nga anëtarët e Task-Forcës, që ka punuar për paketën e decentralizimit në vitin 1998, kështu që mund t’ju flas pa fund për problemet e decentralizimit. Sot bota shkon drejt decentralizimit.

Si ish-President o vendit, a duhet të riformatohet KLD…?

Unë duke patur një eksperiencë nga qenia kryetar i shtetit dhe ish-kryetar I KLD-së do të thosha që reforma në drejtësi duhet të ketë më shumë mendim profesional se sa emocione politike.

Është mëse imediate që të ketë një reformë tërësore në drejtësi. Jo se gjithçka fillon nga e para. dhe për të ardhur te KLD unë mendoj që është nevojë, sepse është e provuar që ka qenë prapë politika që duhet të kishte miratuar ligjin për Konferencën gjyqësore në vitin 2009..

Ngjarjet e fundit sidomos në rend kanë patur kritika të forta nga opozita, nga PD-ja veçanërisht…

Në fakt unë do të komentoja diçka që nuk mund të thuash për gjithçka qeveria ka dështuar, sikurse nga ana tjetër nuk mund të thuash që për gjithçka qeveria është në rregull. Por gjithsesi më mirë një qeveri e dobët se sa një vend në anarki. Padurimi për të vështirësuar gjithçka nuk besoj se është mënyra më e mirë.

A do të ketë një tjetër darkë me zotin Rama?

Ndonjëherë hiperbolizohen disa gjëra që janë fare normale. Kur je në politikë patjetër do kesh takime. E rëndësishme është që këto takime të jenë të hapura. Të mos bëhen për qëllime të diversioneve politike. Pra, një njeri që ka për të shprehur diçka i shpreh në një darkë, nëpër studio, kur je i orientuar tek principet. Në rast se je pastaj tek konjukturat e çastit, që në fakt nuk është në natyrën tonë, pastaj rezultatet duket sikur vijnë, por mbeten në fakt shumë larg.

*Shekulli

Zjarri në burgun e Rrogozhinës, për t’u arratisur

ZjarrDrejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nxjerrë detaje të reja në lidhje me zjarrin që kishte rënë një natë më parë në burgun e Rrogozhinës, ku si pasojë e një zjarri u asfiksuan 21 të burgosur dhe jeta e shumë të tjerëve u vu në rrezik. Aktualisht ka nisur procedimi penal për dy të dënuar, mbi të cilët bie akuza e shpërdorimit të pronës me zjarr.  Procedimi penal me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr ka nisur për të dënuarit Jurgen Mucellari dhe Ledion Gjoka, të cilët dyshohen se janë autorë të zjarrvënës.

“Pas sinjalizimit për rënie zjarri në ambientet e burgut, shërbimet e sigurisë së institucionit kanë marrë masat për neutralizimin dhe vënien e situatës nën kontroll. Kemi bashkëpunuar me Policinë dhe zjarrfikësit për të mbajtur gjendjen nën mbikëqyrje të plotë”, thuhet në njoftimin zyrtar të DPB-së.

Nga zjarri u asfiksuan 21 të dënuar, të cilët u dërguan në spitalin e Kavajës, ndërsa dy prej tyre janë dërguar për mjekime më të specializuara në Durrës dhe Tiranë. 78 të paraburgosur janë transferuar në Peqin.

Zjarri, tentativë për t’u arratisur 

Burime policore bëjnë me dije se dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm nga të burgosurit, si një tentativë për skenar arratisje nga ana e tyre.

Mësohet se zanafilla e zjarrit ka qenë djegia e dyshekut të njërit prej të burgosurve me një leckë me lëndë djegëse, flakë të cilat kanë depërtuar më pas në ambientet e tjera të këtij institucioni. Një fakt i tillë është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së burgut.

Duket se të burgosurit që vuajnë dënimin në këtë institucion e kanë parë këtë si mjet për të shpërqendruar punonjësit e burgut, me qëllim arratisjen. Por, skenari duket se nuk ka qenë i mirëmenduar, pasi përpos faktit që jeta e tyre dhe policëve të burgut u vu në rrezik serioz, askush nuk mundi t’u shpëtojë qelive.

Nga ana e policisë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Nga zjarri i djeshëm u asfiksuan 22 të burgosur dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Njëri prej të dënuarve ndodhet në spitalin e Durrësit në reanimacion, ndërsa një tjetër i dënuar ndodhet në Tiranë pasi ka pësuar djegie të shkallës së tretë.

Po kështu paraditen e sotme drejt Tiranës janë nisur dy të burgosur të tjerë, ndërsa pjesa tjetër e te burgosurve që kanë shfaqur probleme për shkak të tymit ndodhen në spitalin Kavajës.

Zjarri në burgun e Rrogozhinës, Drejtoria e Burgjeve jep versionin zyrtar

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve jep versionin zyrtar të ngjarjes në burgun e Rrogozhinës. Në një komunikatë për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije, se mbrëmë rreth orës 20:35, në IEV Penale Rrogozhinë në godinën 3 të Paraburgimit, sektori 3, dhoma 1, është konstatuar një vatër zjarri.

Menjëherë nga shërbimet e sigurisë së institucionit janë marrë masat për neutralizimin zjarrit, si dhe garantimin e jetës së personave të paraburgosur. Në të njëjtën, kohë është bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, Shërbimin e Zjarrfikësve, Prokurorinë e rrethit gjyqësor Kavajë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe garantuar elementet e sigurisë në këtë institucion.

Po dje, është bërë i mundur dërgimi në spitalin e Kavajës i 21 personave të lënduar nga zjarri, kryesisht të asfiksuar nga tymi, ndër të cilët një i paraburgosur është dërguar për trajtim të specializuar në Tiranë dhe një tjetër në Spitalin Rajonal të Durrësit. Shtetasit e paraburgosur, që kishin nevojë për trajtim mjekësor, janë shoqëruar në spital nën masa të rrepta sigurie dhe është ndjekur hap pas hapi gjendja e tyre shëndetësore.

Veprimet paraprake hetimore procedurale janë kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aktualisht, sipas DPB-së po punohet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.

Ndërkaq Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se gjendja në IEVP Rrogozhinë është nën kontroll dhe në standardet e kërkuara të sigurisë. Nga ana e institucionit janë marrë masat për zhvillimin normal të aktiviteteve në IEVP Rrogozhinë, si dhe për të informuar familjarët e personave të paraburgosur.

Ndërkaq me qëllim krijimin e kushteve optimale në sektorin e paraburgimit Rrogozhinë, 78 të paraburgosur janë transferuar përkohësisht në IEVP Peqin.

Në Univers, ne nuk jemi të vetëm

ufo2Mundësia që të ekzistojnë forma jete aliene inteligjente, në gradë për të udhëtuar në hapësirë, është një pyetje që është bërë, pa paragjykime edhe nga Kisha.

Në 2002 u realizua një konferencë me dyer të mbyllura në Vatikan me titull: “OVNI, mes dyshimeve dhe sigurive”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të CIFAS, Këshillit të Federatës të studimeve të avancuara, që mes të tjerash, merret dhe me UFOT. Konkluzionet nuk u përçuan më tej. Por një vit më parë në 1999, disa pohime të Monsignor Corrado Balduci kishin shkaktuar ilaritet, i cili deklaronte i bindur ekzistencën e qytetërimeve jashtëtokësore të afta për të reaguar dhe me ne.

Ndërsa vitin që shkoi, në Observatorin roman, At Jose Funes, drejtor i Specola, në Vatikan, mbështeste tezën që “ashtu siç ekziston një shumëllojshmëri krijesash në Tokë, mund të ekzistojnë edhe krijesa të tjera inteligjente të krijuara nga Zoti”. Më tej, shkon ish-astronauti Edgar Mitchel, njeriu i gjashtë që eci mbi Hënë. Së fundmi, gjatë një emisioni radiofonik amerikan, ka deklaruar që “planetin e kanë vizituar shumë krijesa, dhe fenomeni Ufo është i vërtetë, përsa ky fakt është mbajtur i fshehur nga qeveritë”. Nasa nuk i është bashkuar fjalëve të tij. Por, përsa e vërtetë mund të jetë, nga pikvështrimi teknik dhe shkencor një qytetërim i zhvilluar mund të kapërcejë universin?”. “Supozojmë që forma të tjera inteligjente jete kanë teknologjinë për të udhëtuar në hapësirë”, arsyeton astrofizikanti Galletta. “Duhet medoemos të llogarisë energjinë e shpenzuar për këtë qëllim”. Për të dërguar në hapësirë një shuttle (2400 ton) do të duhet një energji e konsumuar në një vit nga një qytet me 35 mijë banorë. “Për të dërguar një anije kozmike 1000 ton, do të duhej të përdorej e gjithë energjia e përdorur nga Italia në një vit. Një anije kozmike si ajo e Star Trek, për të mbërritur në Tokë nga qendra e Galaktikës, do të duhej të digjte të gjithë energjinë diellore të prodhuar në një orë. E përveç të tjerash do të merrte një kohë afro 326 mijë vjet”.

Kjo është e mjaftueshme për të cinurajuar të gjitha udhëtimet kozmike. Në fakt, Galeta vazhdon të pohojë: “Me procesin e viteve kilometrike, kontrolluar nga materia dhe antimateria, mund të nisësh një objekt me shpejtësi të afërt me atë të dritës, duke ulur gjatësinë e udhëtimit në kohë të konsiderueshme”.

I vetmi problem: për të vijuar me lëvizjet, anija kozmike aliene do të duhet të përshkojë çdo ditë një masë sa ajo e tokës. Pa llogaritur që për të prodhuar disa mikrogram antimaterie (si në Cern të Gjenevës) do të nevojitej një nxitës i grimcave me diametër kilometrik. E gjitha kjo do të ishte e pamundur, të paktën për ne. Po në rastin e një qytetërimi më të zhvilluar? “Ekziston mundësia teorike, parashikuar nga teoria e Ajnshtajnit, i harkimit të pëlhurës së hapësirës kohore: në këtë mënyrë 15 mijë vite dritë do të zhbëhehin. Janë të ashtuquajturat wormhole, anomali në hapësirë që do të funksiononin si rrugë të shkurtra. Një hipotezë, sigurisht. Por mbi këto ka edhe projekte të Nasa për eksplorimet ndëryjore”, tregon Bobolotti i Cun. Nëse Nasa po mendon, një agjensi hapësinore më të avancuar mund t’ja ketë dalë. Roberto Pinotti, sekretar i përgjithshëm i Cun dhe ekspert i fenomenit të Ufo-ve nuk ka dyshime: “Lëvizin me sisteme magnetike e hidrodinamike, dinamika e rrymave elektrike të vazhduara dhe anti gravitacionale.

Dhe sikur të ishin të mbështjella nga një jastëk i jonizuar që lejon spostimin në boshllëkun absolut ose në një rrymë me dendësi si uji”. Uji? “Po, sepse ato janë këtu prej kohësh. Nëpër oqeane, në pjesën më të madhe ende të paeksploruar. Nuk janë të deklaruara zyrtarisht, sepse e dinë që një kontakt masiv do të na trondiste nga pikëpamja psikologjike. Presin një moment në të cilin do të dimë të përballojmë këtë takim”. Absurde? Në fund, ashtu si kujtonte Mbretëresha e Bardhë tek Liza në Botën e Çudirave, të besosh në gjërat e pamundura nuk është e pamundur. Është vetëm çështje praktike.

Moore: Qeveria dhe opozita në Shqipëri të bashkëpunojnë

jonathan-moore-Kreu i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, tha dje në një diskutim për Ballkanin në Uashington se qeveria dhe opozita në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë në drejtim të procesit të integrimit euroatlantik. Në komentet e tij ai gjithashtu vlerësoi procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Moore tha se ishte shumë e rëndësishme që rotacioni politik në Shqipëri u bë në një mënyrë të rregullt dhe tha se qeveria aktuale, ashtu si edhe ajo e kaluara janë të angazhuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian:

“Ishte e rëndësishme që krerët e të dyja palëve, opozitës dhe qeverisë së atëhershme e bënë të qartë që do të respektonin rezultatin e zgjedhjeve dhe pikërisht kjo ndodhi, megjithëse u harxhua gjithë ajo energji duke spekuluar se votat do të vidheshin nga njëra palë ose nga tjetra”.

Kjo, tha zoti Moore dërgon një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për Bashkimin Evropian. Ai tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që vendimi, i cili nuk u mor dot, për statusin e kandidatit rekomanduar nga Komisioni Evropian, të merret këtë vit.

“Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe shumë opinione të ndryshme se pse ndodhi, kush votoi në favor dhe kush kundër në BE, por thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Evropian mori vendimin”. Duke pasur parasysh se Këshilli Evropian do ta diskutojë këtë çështje përsëri në qershor, zoti Moore tha se, në muajt në vazhdim, qeveria së bashku me opozitën, ka shansin që të punojë intensivisht për çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor.

“Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokororët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”. Zoti Moore tha se kjo duhet të bëhet përmes ngritjes së çështjeve nga institucionet ligjore dhe juridike. “Në Shqipëri ka shumë prokurorë dhe gjykatës të zotë dhe ata mund të merren me rastet që u parashtrohen atyre, apo kur i ngre organi i akuzës. Por këto çështje nuk duhet të diskutohen vetëm në arenën politike”.

Zoti Moore tha se shteti ligjor do kohë të ndërtohet, por se duhen ndërmarrë hapat fillestarë. Ai përmendi si shqetësim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, Lazaratin, duke thënë se shteti duhet të vërë të gjithë territorin nën kontroll.

“Pika e rëndësishme, që u vu në pah edhe nga tranzicioni i qetë dhe demokratik, është se këtu nuk ka rol vetëm qeveria, por edhe opozita, pra për të gjetur mënyra për të mbështetur procesin jo vetëm duke u përpjekur të sigurohet mbështetje në BE, drejt së cilës kanë bërë një punë efektive, por ta vënë theksin tek mënyrat e bashkëpunimit”.

Ai tha se qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, jo gjithmonë i ka mbështetur hapat që duheshin marrë nga parlamenti.

“Opozita e sotme ka premtuar se do t’i mbështesë hapat e nevojshme në parlament. Kjo duhet të vazhdojë. Qeveria duhet të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën, të forcojë mesazhin, që të mos shihet si një parti ose koalicion kundër tjetrit. Dhe ka një farë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo edhe aq. Pra duhet vepruar së më shpejt”.

Ai theksoi se gjithsesi vendimi do të merret nga Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë plotësisht. “Ne jemi dakord me Parlamentin Evropian dhe struktura të tjera se Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit por ne nuk kemi të drejtën ta marrim këtë vendim”.

Zoti Moore vlerësoi ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Përparimi në këtë dialog, është shumë më i madh se sa e kishte menduar gjithkush”. Gjithsesi ai thotë se do të ketë ende punë për detajet dhe zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Ai vlerësoi zgjedhjet komunale dhe shprehu shpresën për një proces të rregullt për zgjedhjet në komunën e Mitrovicës.

“E rëndësishme është që raundet e zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore dhe në të gjitha komunat e Kosovës, kanë qenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe jo të ndonjë vendi tjetër”. Zoti Moore tha se populli i Kosovës duhet të jetë krenar për sukseset që ka arritur, përfshirë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që, siç tha ai, po e afron Kosovën me Bashkimin Evropian.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë

Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë. (Sergei Supinsky, Afp)
Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë. (Sergei Supinsky, Afp)
Një barrikadë në qendër të Kiev, në Ukrainë. (Sergei Supinsky, Afp)

5 ushqimet energjike të nevojshme për fëmijët

valigia2Pa dyshim që shumë fëmijë marrin më shumë se mjaftueshëm ushqim për të ngrënë (normat e rritura të obezitetit tek fëmijët janë fakt për këtë).

Problemi qëndron se, shumë gjëra të cilat i hanë – siç janë ushqimet e tejpërpunuara dhe ushqimi i shpejtë – janë me shumë kalori dhe më pak nutritivë (ushqyes).

Sipas hulumtimit të fundit, fëmijët kanë nevojë për 5 ushqimet energjike.

Kalciumi
Rreth një e treta e fëmijëve të moshës 4 deri në 8 vjeç, nuk janë duke marrë kalcium të mjaftueshëm, sipas statistikave të fundit. Shumë lëngje – dhe shumë pak qumësht – është pjesërisht për t`u fajësuar. Kalciumi është jetik për të zhvilluar masën eshtërore, ku pothuajse e tëra ndërtohet gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Duke qenë e mangët mund të ndërhyjë në rritjen e tani edhe të rrisë rrezikun e osteoporozës më vonë në jetë – veçanërisht për vajzat. Është e rëndësishme që fëmija të fitojë shprehi të mira të vakteve të pasura me kalcium (9 nga 10 vajza adoleshente nuk marrin mjaftueshëm). Shumë ushqime të pasura me kalcium, jane të pasura me vitaminë D, e cila jo vetëm që forcon eshtrat por ndihmon në parandalimin e diabetit të tipit 1 dhe sëmundjeve të tjera.

Burimet

* djathi

* jogurti

* qumështi

* drithërat

* lëngjet

* qumështi sojës

Vitamina E
Sipas studimeve të Universitetit Linkoln në Nebraska, rreth 80 % të fëmijëve nën moshën 8 vjeç – duke përfshirë 2/3 e parashkollorëve – u mungon nevoja ditore e vitaminës E. Një suprizë: ushqimet pa yndyrë apo me yndyrë të ulët, që supozohet të jenë të ulëta me vitaminë E, që veprojnë si antioksidantë, i mbrojnë qelizat nga dëmtimi. Është gjë e mençur të shërbeni prodhime me yndyrë të ulët, siç janë qumështi dhe kosi, sepse janë më të varfëra me yndyrëra të ngopura por zgjedhja pa yndyrë nuk është më e mira për dresing sallata, sepse ajo përmbanë vajra të shëndetshme për zemër, të cilat janë të pasura me vitaminë E.

Burimet

* avokado

* pemët e arrës

* gjalpë kikiriku

* farat e lulediellit

* vajrat bimore

* salca e domateve

* farat e grurit

* spinaqi

Fibrat
Madje edhe nuk treten, por fibrat janë shumë të rëndësishme për fëmijët sepse i mbajnë ata në rregull dhe të mbushur. Ushqimi i pasur me fibra mund të ndihmojë në mbrojtjen e tyre nga sëmundjet e ndryshme kronike që mund të paraqiten më vonë. Poashtu, rekomandimi zyrtar për fëmijët është 19 gjer në 25 gram fibra në ditë (afërsisht nevojave të të rriturit). Sigurohuni që fëmija juaj po merr së paku minimumin e 5 gramëve në ditë. Psh. një 4 vjeçar duhet të marrë 9 gram fibra në ditë – kjo është sasia e dy krishkave të bukës, një enë të vogël me dredhëza dhe një ene të vogël me oriz ngjyrë kafe.

Burimet

* frutat (malinat, boronicat, dardhat, portokajtë, dhe mollat janë më të mirat)

* drithëra me nivel të lartë fibrash

* fasule

* thjerrëza

* qiqra

* bukë me krunde dhe makarona

* miell tërshëre

* kokoshkat

* arrat

* fara të lirit

* patatet e ëmbla

* bizele të njoma

Kaliumi
Fëmijët janë duke konsumuar më pak se 60 % të kaliumit sesa doza e rekomanduar – pjesërisht sepse shumë nga ata nuk janë duke konsumuar mjaft fruta dhe perime në ushqimin e tyre. Kaliumi është një lojtar kyç në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve të shëndetshme dhe të presionit të gjakut, duke i ndihmuar muskujt të kontraktohen.

Burimet

* banane

* lëng portokalli dhe portokaj

* patate të ëmbla dhe të bardha

* jogurti

* qumështi

* kantalupe

* nektar

* kajsi të thata

* lëng domatesh dhe domate

* peshk si thojza dhe merluci

Hekuri
Një studim i fundit, ka rezultuar se deri në 20 % të fëmijëve të moshës 1 deri në 3 vjeç, nuk kanë hekur të mjaftueshëm. Mungesa e hekurit është shumë e shpeshtë tek fëmijët mbipeshë, të cilët konsumojnë ushqim shumë kalorik por të varfër me vlera ushqyese. Hekuri i ndihmon rruazat e kuqe të gjakut të bartin oksigjenin në gjak përmes trupit dhe luan rol kyç në zhvillimin e trurit – dhe mungesa kronike mund të shkaktojë probleme në sjellje dhe në të mësuar. Mjekët nuk janë të sigurt se përse, por që niveli i ulët i hekurit rrit rrezikun e një fëmije ndaj helmimit me plumb, sepse ai rrit thithjen e plumbit në gjak.

Burimet

* karkalecë

* mishi i lopës

* pule

* fasule

* thjerrëza

* qiqra

* pasta me domate

* fruta soje

* rrush i thatë

* bukë e zezë

* drithëra të fortifikuara, të ftohta dhe të ngrohta, të tilla si krem i grurit (shikoni etiketat)

Ndahet nga jeta ish-trajneri i përfaqësueses së Spanjës, Luis Aragonss

luisFederata spanjolle e futbollit njoftoi të shtunën se ish-trajneri i përfaqësueses kombëtare, Luis Aragonss, që fitoi kampionatin evropian më 2008, është ndarë nga jeta në moshën
75 vjeçare.

Në një njoftim për mediat, federata thotë se Aragones vdiq në një spital të Madridit, ndërsa nuk kanë dhënë shkaqet e vdekjes së tij.

Presidenti i federatës spanjolle Angel Maria Villar ka thënë se Aragones do të kujtohet si një “njeri shumë i veçantë”.

Aragones u largua nga drejtimi i përfaqësueses spanjolle pasi mori titullin evropian më 2008.

Pas largimit të tij, Vicente del Bosque fitoi më pas kupën botërore më 2010, dhe atë evropiane më 2012.