Izraeli deklaroi sot se do të ndërpresë negociatat për paqe me palestinezët, si pasojë e marrëveshjes së bashkimit ndërpalestinez, sipas një burimi zyrtar.
“Kabineti vendosi me unanimitet se qeveria izraelite nuk do të negociojë më me qeverinë palestineze që mbështet Hamasin, një organizatë terroriste që kërkon shkatërrimin e Izraelit”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Për më tepër, Izraeli do të marrë një sërë masash si kundërpërgjigje ndaj gjestit të njëanshëm të palestinezëve”, shtohet në komunikatën e publikuar menjëherë pas një mbledhje prej pesë orësh nga kabineti i sigurisë, që mbledh ministritë më të rëndësishme. Por ende nuk janë dhënë detaje për këto masa.
Levizja islamike palestineze Hamas, “delja e zezë” e Izraelit të cilën e konsideron si një organizatë terroriste, nënshkroi dje në Gaza një marrëveshje të re bashkimi me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OLP) të presidentit Mahmoud Abbas që parashikon krijimin e një qeverie të konsensusit kombëtar dhe mbajtjen e zgjedhjeve në fund të vitit.
Izraeli ndërpret negociatat e paqes me palestinezët
Kryesuesi zviceran i radhës i OSBE-së nesër në Prishtinë
Ministri i Jashtëm zviceran dhe Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Didier Burkhalter, nesër në Prishtinë do të takohet me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.Iniciativë Paris-Varshavë për një komunitet evropian të energjisë
Presidenti francez, François Hollande dhe kryeministri polak, Donald Tusk paraqitën sot një iniciativë të përbashkët për krijimin e një “komuniteti evropian të energjisë”, i cili do të diskutohet në Bruksel gjatë një samiti evropian kushtuar kësaj çështjeje në muajin qershor.
”Kjo nismë i mundëson Evropës të qenit më tepër e pavarur, më tepër koherente dhe më me shumë solidaritet në politikën energjitike”, theksoi kreu i shtetit francez gjatë një deklarate të përbashkët në Elysee.
”Franca dhe Polonia mbështeten në gjashtë propozime për të bindur tërësinë e vendeve anëtare të drejtohen në anën e komunitetit evropian të energjisë, një projekt i mrekullueshëm”, vijoi ai.
Sipas Donald Tuskut, ky projekt ku Polonia mori iniciativën është efektivisht i pranueshëm për t’i shërbyer Bashkimit Evropian në një situatë kritike nga kriza ukrainase. ”BE-ja nuk duhet të jetë më e varur nga i vetmi burim furnizimi, Rusia”, theksoi ai.
Kuvend-Majko: Korrupsioni ka prekur bazat e shtetit
Akuza dhe kundërakuza po shoqërojnë seancën e sotme të Kuvendit gjatë debatit për ndryshimet në ligjin për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP).
Deputeti socialist, Pandeli Majko, njëkohësisht ish-kryeministër, vlerësoi ndryshimet e propozuara, që zgjerojnë rrethin e zyrtarëve që u ndalohet të lidhin kontrata me institucione publike, ndërsa theksoi se korrupsioni në Shqipëri identifikohet si një ‘korrupsion sistemik’.
“Kur flitet për këtë do të thotë që korrupsioni ka prekur bazat e shtetit dhe është e kotë t’i mbushim mendjen vetes se ky korrupsion po funksionon vetëm në këto 6 muaj që është ndërruar qeveria, pasi korrupsioni sistemik që të ngrihet kërkon minimalisht mbi një dekadë. Jemi të dyja palët të zhytura në këtë histori dhe të tillë duhet ta kuptojmë korrupsionin sistemik”, theksoi ish-kryeministri socialist.
Ndryshimet e sjella, sipas tij, prekin sidomos gjyqësorin, ku dhe dëmet që mund të vijnë nga korrupsioni në radhët e njerëzve të drejtësisë, janë shumë më të mëdha.
“Një politikan i keq mund të bëje dëme, por nuk mund të bëjë aq dëme sa një gjyqtar i keq apo i korruptuar, nuk mund të bëjë aq dëme sa një prokuror i keq apo i korruptuar dhe këtë e kemi shumë të qartë”, tha Majko.
Duke u ndalur tek akuzat e opozitës për marrje të kompetencës së Presidentit në zgjedhjen e kreut të ILDKP-së, deputeti i PS-së tha se kryetari aktual i këtij institucioni ishte kandidatura e dytë e propozuar nga Kreu i shtetit. “Kush është sot drejtuesi i ri i ILDKP-së i votuar nga maxhoranca. Shkëlqim Ganaj është kandidati i dytë në listë, bashkë me znj. Zana Xhuka, të propozuar nga i njëjti president dhe që erdhën në parlament me frymën e së njëjtës qeveri, asaj të Partisë Demokratike. Ne e hoqëm Zana Xhukën se nuk i plotësonte kushtet dhe sollëm të dytin. Ç’të keqe ka kjo kur është propozuar nga presidenti. Shkëlqim Ganaj nuk ka pse diskutohet këtu si një njeri që ne e kemi sjellë për të bërë punën e maxhorancës kundër pozitës, por se ai ishte kandidatura e dytë në listë, së bashku me Xhukën”, tha Majko.
Totozani: Të riintegrohen ish-të përndjekurit politike
Një grup i ish-të përndjekurve politike kanë takuar sot Avokatin e Populli, Igli Totozani, për t’i kërkuar mbështetjen për integrimin e kësaj shtrese, që sipas tyre, janë në një gjendje të rëndë financiare e morale.
Avokati i Popullit, Totozani, ka ofruar mbështetjen e këtij institucioni, si dhe u premtoi ish-të përndjekurve, se do të punojë gjatë gjithë mandatit të tij për riintegrimin e kësaj shtrese.
Po ashtu, Totozani në lidhje me protestat e të përndjekurve, tha se “ne jemi pro protestave demokratike, por ne jemi kundra ,protestave ekstreme. Ne ndjekim me vëmendje të gjithë shtresat, por ish-të përndjekurit në veçanti, pasi ata kanë vuajtur dhe kemi detyrimin moral e financiar për integrimin e tyre. Ne nuk duhet të shohim më skena të tilla ekstreme, si rasti i grevës së urisë, apo vetëflijimit, duke u djegur siç edhe u tentua sot”.
Ky grupim, tha Totozani, “kërkon një kujdes të vecantë që nga dëmshpërblimi, integrimi, punësim etj. Duhet të ketë një afat për dëmshpërblimin për të gjithë ish-të përndjekurit politike në Shqipëri. Për ne është gjë e shtrenjtë ruajtja e dinjitetit të ish-të përndjekurve politikë”. AI tha se “dinjiteti i këtyre njerëzve është dinjiteti ynë kombëtar. Unë shpresoj, që të mos arrimë në akte të tila ekstreme, pasi janë të gjitha mundësit për riintegrimin e tyre dhe ne si institucion do të punojmë shumë për këtë”.
Gjiknuri: Regjistër elektronik deri në fund të vitit për koncesionet
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, paralajmëroi transparencë për të gjitha lejet e koncesionet e dhëna nga qeveritë për shfrytëzimin e burimeve natyrore, që siç u shpreh ai, shpesh herë kanë qënë preh e tregtimit.
“Janë dhënë leje dhe koncensione njerëzve të papërgjegjshëm që nuk kanë patur ndërmend të investojnë, por kanë synuar të tregtojnë lejet dhe licencat për shfrytëzimin e burimeve natyrore, duke krijuar një barrierë natyrale për investime serioze”, deklaroi ministri Gjiknuri.
Në forumin me temë “Promovimi i nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse dhe përfitimi i komuniteteve”, mbajtur të enjten në Tiranë, Ministri Gjiknuri bëri të ditur se deri në fund të këtij viti do të ketë përfunduar regjistri elektronik i të gjitha koncesioneve. Ministri Gjiknuri informoi mbi një vendim të qeverisë për dhënien e lejeve dhe licencave për burimet e reja të naftës. Sipas tij, qeveria po përgatitet që për burimet e reja të naftës dhe për fushat e tjera të pazbuluara të jepen nëpërmjet proceseve të ankandeve që garantonë transparencë dhe konkurencë. Kjo u vlerësua nga ministri Gjiknuri si mjaft pozitive, në kushtet kur edhe interesi i investitorëve është rritur pas gjetjes së burimeve të naftës nga kompania Shell. Shqipëria, tha ai është e interesuar për të ftuar investitorë serioze për të investuar në këtë fushë. Sa i takon pasurive minerare, Ministri Gjiknuri dënoi fragmentarizimin e të drejtës së shfrytëzimit të tyre, që sipas tij kanë sjell kaos.
Për ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, mostransparenca dhe politikat e gabuara kanë shoqëruar për 24 vitet e fundit mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e burmeve natyrore.Forumi-Promovimi i nismes per transparence ne industrine nxjerrese dhe perfitimet per komunitetet vendore ne Shqiperi Foto Agim Dobi….
“Politikat e ndjekura në këto vite kanë bërë të mos ketë transaparencë dhe investitorë të ndryshim të shfrytëzojnë pasuritë natyrore”, tha Koka. Për shkak të këtyre politikave të ndjekura ne vazhdojmë të mos kemi besimin e qytetarëve, ndërsa siguroi qytetarët se do hartohen kuadre ligjore dhe politika për të ndryshuar realitetin.
Gjatë fjalës së tij në forum, edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexandër Arvizu, theksoi rëndësinë e kalimit nga informaliteti në formalitet në sektorin e industrisë nxjerrëse. “Një komponent i rëndësishëm i kësaj është koncepti i kërkesës për raportim. Çdo individ, çdo biznes duhet të ketë një kërkesë për raportim, të raportojë të ardhurat. Ajo shkon krah për krah me më shumë transparencë”, deklaroi Arvizu.
Forumi-Promovimi i nismes per transparence ne industrine nxjerrese dhe perfitimet per komunitetet vendore ne Shqiperi Foto Agim DobiNdërsa kreu i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë ambasadori Florian Rauning theksoi se transparenca në industrinë nxjerrëse, është faktor i rëndësishëm dhe për këtë bëhet e nevojshme respektimi i standardeve.
Ai infomoi se Prezenca e OSBE-së në Tiranë po mbështet MEI-in përmes sekretaritti shqiptar EITI për të përmbushur afatet e raportimit për industrinë nxjerrëse. raportet sipas tij, janë instrument i rëndësishëm në duart e qytetarëve për të siguruar një proces të drejtë dhe për të nxitur përgjegjshmërinë e transparencën e qeverisë.
Basha: Të ngrejmë zërin kunder qeverisë
Partia Demokratike çeli sot pasdite në Tiranë fushatën e anëtarësimeve të reja. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur mes qindra të rinjve u shpreh se gjithëpërfshirja mbetet si beteja e vetme kundër oligakisë Rama-Meta.
“Do ta ndalojmë me instrumentin më të fuqishëm dhe më të pathyeshëm që është gjithpërfshirja popullore kundër oligarkisë Rama-Meta. Gjithpërfshirje, gjithpërfshirje të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky vërshim të jetë shenja e parë e pranverës shqiptare”, tha Basha.
Ai theksoi se qindra qytetarë po u drejtohen zyrave të PD-së për të ngritur zërin kundër qeverisë. Sipas Bashës, rinia po vërshon në Partinë Demokratike të marre përgjegjësinë saj të ringritjes, të fitores dhe qeverisjes.
“Sot ushtojnë trumpetat e rrezikut që i kanosen Shqipërisë në të ardhmen se saj. Vetëm 8 muaj në opozitë, rinia po vërshon dhe do të vërshojë tek PD. Është e vendosur që sëbashku t’i thotë “jo”, për të ndalur këtë të keqe të madhe. Dhe do ta ndalojmë të gjithë sëbashku me instrumentin më të fuqishëm që është gjithëpërfshirja, në betejën për mos zhbërjen e demokracisë, në betejën kundër oligarkisë Rama-Meta”, tha ai.
“Qeverisja Rama-Meta rezulton e mbetur dhe vjetër, në raport me demokracinë. Këta vetëm e shkelmojnë konsensusin dhe shtetin ligjor, vendimet e gjykatave. Të tjerët janë përpjekur të vendosin shtetin ligjor, zbatimin e ligjin, barazinë para ligjit. Ndërsa këto dinë vetëm ti zhbëjnë dhe vendosin veten e tyre mbi ligjin”, tha Basha. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë takimit me të rinjtë tha se përtëritja e brendshme organike e PD-së ka qenë gjithmonë prioritet i kësaj partie.
“Sot është përtëritja në rend të ditës. Kudo ku shtrohen anëtarësi e Partisë Demokratike. Lajmi më i bukur që kam pasur privilegjin dhe nderin të jap si kryetari i ri në këto muaj, ka qenë lajmi i konfirmimit masiv të mijëra të rinjve të anëtarësuar në vite në procesin e regjistrimit. Ky ka qenë lajmi i ardhjes së mijëra të rinj ve PD”, tha Basha. Sipas kreut të PD-së, Rama-Meta nuk i japin oksigjen ekonomisë, por mendojnë si t’ia rëndojnë barrën bizneseve, të rrisin në mënyrë jotransparente fitimet e tyre.
Beqaj: “Në raport me qytetarin jemi ne rolin e shërbyesit”
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në Takimin përmbyllës të Grupit në Mbështetje të Zbatimit të Reformës në Shëndetësi, që u zhvillua në Tiranë nga Ministria e Shëndetësisë me asistencën teknike të projektit të USAID-it në Shqipëri. Në fjalën e tij, Ministri Beqaj tha se “menaxhimi modern spitalor kërkon që spitalet të orientohen kryesisht drejt përmirësimit të shërbimeve klinike dhe të fillojnë të lehtësojnë veten nga menaxhimi i shërbimeve joklinike, ku proçedurat e outsourcing që promovohen brenda kulturës se rë menaxheriale të spitalit kërkojnë edhe përdorimin e teknikave të balancuara financiare.”
Më tej ministri u ndal në rëndësinë që ka pasur ky projekt për të “institucionalizuar angazhimin e palëve të interesit në procesin e rritjes së transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duke krijuar mekanizma të tillë qeverisës, ku zëri i komunitetit dhe ai i pacientit u vendosën në qendër të vëmendjes së politikëbërjes së bazuar në prova,” pasi, vazhdoi ai, “ashtu siç e kemi theksuar më se një herë, për ne, ministria e Shëndetësisë, në raport me qytetarin është në rolin e “shërbyesit” dhe çdo administrator spitali duhet të reflektojë këtë koncept”. Ministri Beqaj gjatë fjalës së tij, falenderoi organizatorët, si dhe përfaqësuesit e projektit të “Mbështetjes për Reformën në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i, për ndihmën në sistemin spitalor.
Obama: Ishujt Senkaku nën mbulimin e traktatit të sigurisë Uashington-Tokio
Presidenti amerikan Barack Obama siguroi sot se ishujt Senkaku në zemër të një përplasje kinezo-japoneze janë të mbuluara nga traktati i sigurisë mes SHBA-së dhe Japonisë, gjatë një interviste të dhënë për një të përditshme japoneze.
“Politika e SHBA-së është e qartë, ishujt Senkaku janë të administruara nga Japonia dhe hyjnë në kuadrin e artikullit pesë të Traktatit të Bashkëpunimit dhe të Sigurisë të arritur mes SHBA-së dhe Japonisë”, shpjegoi Obama gjatë një interviste të paraqitur nga “Yomiuri Shimbun”, gazeta më e madhe japoneze.
Presidenti amerikan duhet të mbërrijë sot në mbrëmje në Tokio për një vizitë zyrtare, etapa e parë e një turi aziatik që do e dërgojë në Korenë e Jugut, Malajzi dhe Filipine.
Ky pozicion ëshë paraqitur edhe nga funksionarë të tjerë të lartë amerikanë, mes të cilëve Sekretari për Mbrojtjen dhe zëvendëspresidenti, por është hera e parë që Obama shprehet persoanlisht mbi këtë çështje.
Komisioni i Sigurisë, grup hetimor për SHISH
Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar mbi ngritjen e një grupi kontrolli për të verifikuar punën e Shërbimit Informativ Sekret.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet në orën 11:00’’ dhe ka në rend të ditës ngritjen e Grupit tё Kontrollit pёr SHISH me objekt “ verifikimin e ligjshmërisë sё Shkresës “sekret/Kёrkesёn Operative” nr. 1478, datë 2.12.2013, dërguar drejtorëve tё SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion mbi persona tё implikuar nё veprimtari antiligjore, tё emëruar nё pozicione drejtuese nё Policinë e Shtetit.”
Kujtojmë që një ditë më parë, Komisioni i Sigurisë Kombëtare realizoi një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika.
Sipas burimeve nga seanca dëgjimorë, mësohet se kryetari i SHISH ka theksuar se puna e SHISH ka qenë korrekte dhe sipas ligjit, ndërsa ka shtuar se sulmet ndaj shish janë cënim për sigurinë kombëtare. Ai tha se është dyfishuar shkëmbimi i informacionit me organet e tjera ligjzbatuese dhe shkëmbimi i informacionit me partnerët ndërkombëtarë në 2013 krahasuar kjo me informacionin e shkëmbyer në vitin 2012”.
Visho Ajazi Lika ka deklaruar se për shpërthimet e ndodhur në janar është përcjellë informacion nga SHISH drejt organeve të tjera ligjzbatuese. Po ashtu, në sajë të punës së SHISH është bere e mundur edhe arrestimi i 7 besimatarëve muslimane, të cilët po gjykohen sot për nxitje terrorizmi (Xhihadistët). Ai ka nënvizuar se është zbatuar plotësisht legjislacioni për punën operative të shërbimit.
I pyetur për informacionet që SHISH ka në lidhje me trafikun e drogës, mësohet se Lika i është përgjigjur duke thënë se nuk ka trafik të madh droge pa mbështetjen e strukturave shtetërore. Lidhur me përgjimet e supozuara në radhët e politikanëve dhe drejtuesve të policisë, kreu i SHISH-it tha se këto aludime janë tërësisht të pabaza. “Çdo vënie në përgjim të një shtetasi miratohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe jo nga SHISH.”, deklaroi Ajazi Lika.
Burime nga komisioni bëjnë me dije se Drejtori i SHISH është pyetur edhe në lidhje me emërimet, ku ai ka deklaruar se është zbatuar çdo pikë e ligjit, si dhe ka nënvizuar se shumica e të pranuarve kanë qenë ish-punonjës.





