MEI: Çështja e energjisë është një emergjencë kombëtare

gjinkuriMinistria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar sot, pas tryezës së Partisë Demokratike për energjinë elektrike, duke u shprehur se në këtë konferencë kishte vetëm një fjali me vend, që “çështja e energjisë është një emergjencë kombëtare”.

“Në konferencën e zhvilluar sot nga Partia Demokratike mbi problematikën e sektorit energjitik në Shqipëri, kishte vetëm një fjali me vend, të thënë nga ish- Kryeministri Sali Berisha. Çështja e energjisë është një emergjencë kombëtare. Plotësisht e vërtetë. E kemi thënë ne, e thotë opozita, e thonë edhe ekspertët ndërkombëtarë. Por vetëm ta thuash, nuk mjafton. E për më tepër nuk ofron asnjë zgjidhje”, thekson MEI në deklaratën për shtyp.

E vërteta, thekson MEI, “është se ka një arsye pse sektori energjitik në Shqipëri është një emergjencë kombëtare. Pasi vit pas viti, qeveria e kaluar mendoi vetëm e vetëm si të zgjaste vitet e qëndrimit në pushtet, duke e zhytur sektorin e energjisë në një gropë çdo vit e më të thellë”.

“Aq keq ka punuar qeveria e kaluar e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, sa qeverisë së re iu desh vetëm një vit punë që niveli i humbjeve të ishte më i ulëti i 10 viteve të fundit, performanca financiare më e larta historike dhe Banka Botërore të jepte për herë të parë një mbështetje financiare prej 150 milionë dollarësh, si kurrë më parë duhet thënë, për të investuar në sektor”, vijon MEI në deklaratë.

Thënë të gjitha këto, shton MEI, “qeveria shqiptare përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj se heqja e fashës prej 300 kw është emergjente, pasi në gjithë këto vite ka qenë pikërisht kjo fashë që ka sjellë nivelin e lartë të manipulimit me faturat e energjisë elektrike”.

“Deri më sot në sektorin e energjisë ka patur një padrejtësi të madhe. Disa paguanin e disa jo. Ata që paguanin, paguanin edhe për ata që nuk paguanin. Kjo padrejtësi ka filluar të marrë fund dhe do të marrë fund. Ligji po zbatohet njësoj për të gjithë. Çdo konsumator do të paguajë energjinë dhe kush do të guxojë të ndërhyjë në mënyrë të jashtëligjshme në rrjet për të përfituar energji pa e paguar atë do të përballet me ligjin dhe shtetin ligjor”, përfundon deklarata për shtyp e MEI.

Policia e Kosovë: Në 24 orë 39 të arrestuar

kosova flagPolicia e Kosovës bën të ditur se në 24 orët e fundit ka arrestuar 39 persona të dyshuar për motive të ndryshme, ndërsa 24 janë ndaluar.
Në rajonin e Prishtinës, janë arrestuar 6 shqiptarë kosovarë, të dyshuar për kryerjen e  veprave penale si: krim i organizuar në bashkëveprim, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi dhe evazion fiskal.
Me urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë policia në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve në Podujevë dhe në Prishtinë, ku në cilësi të provave materiale konfiskuan pajisje elektronike dhe dokumentacione të ndryshme.
Policia e rajonit të Mitrovicës – Veri, në raportin 24 orësh bën të ditur se pas një pune hetimore, është identifikuar dhe arrestuar një serb kosovar, i cili për shkaqe të panjohura ka sulmuar fizikisht një boshnjak kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore.

Kuvendi fut në rend dite zgjedhjen e kreut të AMA-s

largea_gramoz-ruci1346667848Kuvendi nisi punimet e seancës plenare të radhës ku pritet të diskutohen disa projektligje. Në fillim të seancës, me propozim të kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, Kuvendi vendosi të përfshijë në rend dite miratimin e pr/vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), i cili u shty një javë më parë nga mazhoranca.
Gjithashtu, Ruçi propozoi përfshirjen në seancën e sotme edhe të disa ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
Pikë e rëndësishme e rendit të ditës së seancës së sotme është projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, i cili parashikon uljen e moshës së daljes në pension për këtë kategori punonjësish, duke përcaktuar moshën 55 nga 60 vjeç që është aktualisht.

Ganaj: KLD, asnjë masë ndaj zyrtarëve që kanë fshehur pasurinë

komisioni-ligjeve-xhafajKryetari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, tha sot në Komisionin e Ligjeve, se Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka pasur në shqyrtim raste të rënda për fshehje pasurie dhe konflikt interesi nga zyrtarë të lartë, por deri më sot nuk ka marrë asnjë masë disiplinore ndaj tyre.
Gjatë një seancë dëgjimore në komision, lidhur me shqetësimet e ngritura në progres raportin e KE-së për Shqipërinë, Ganaj tha se vetëm në 7 muajt e fundit ILDKP ka adresuar 70 kallëzime penale në prokurori, një shifër kjo shumë e lartë, pasi vetëm në dhjetë vitet e fundit, të marra së bashku, numri i kallëzimeve është vetëm 55.
Kreu i ILDKP-së nënvizoi se nuk janë rritur vetem kallëzimet ndaj zyrtarëve, për fshehje pasurie, por dhe cilësia e tyre, pasi bëhet fjalë për funksionare të larte, si ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë. Rrezja e kallëzimeve, sipas tij, ka prekur thuajse gjithë spektrin e zyrtarëve që e kanë detyrim deklarimin e pasurisë.
Kryeinspektori Ganaj u ndal tek një rekomandim i rëndësishëm i progres raportit, që është nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes ILDKP-së dhe KLD-së, një dokument ende i pakonkretizuar mes dy institucioneve. Shpresoj, tha ai, që me vajtjen e drejtuesve të rinj në KLD do të gjejmë mirëkuptimin për ta realizuar kete brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ganaj tha gjithashtu se nga 1 marsi deri më sot kanë kaluar për kontroll të plotë të pasurisë 1400 zyrtarë, ndërkohë që mesatarja e dhjetë viteve të kaluara ka qënë 300-350 zyrtarë, ndërsa sot është katërfishuar dhe në vitin 2015 do të pesëfishohet. Me këtë ritëm, tha ai, do të ecet dhe në pesë vitet e ardhshme, sepse nga 12 mijë zyrtarë që deklarojnë pasurinë, nga viti 2003 e deri më sot janë kontrolluar vetëm 3 mijë prej tyre, ndërsa 70% figurojnë të pakontrolluar asnjëherë në këto dhjetë vjet.
Ganaj tha se deri tani janë 300 zyrtarët e ndëshkuar me masa administrative, të gjobitur në masën e 1 milion lekëve. Jemi në diskutim për ta rritur kete shifer pasi është shumë e ulët, shtoi kreu i ILDKP-së.

A mund ti rezistosh dot kësaj “Joshjeje” ? ! .

Anila Gjonaj

univNuk më pëlqen të bëj moralizëm prandaj dhe për fenomenin e cënimit të të drejtave të autorit do t’iu tregoj një histori e cila më ka zbavitur dhe irrituar në të njëjtën kohë. Sot punoj, por dikur isha thjeshtë një STUDENTE e Universitetit të Tiranës, një studente mes qindra të tillëve në Universitet shqiptare, me pak fjalë “Askushi” në kërkim të literaturës parësore dhe dyësore për punimet e mia që më kërkoheshin në shkollë. POR përpara dy vitesh afërsisht kjo kohë, zgjodha një temë se më duhej të mbyllja një cikël studimi dhe nisa kërkimin e materialeve për tezën, punimin apo minipunimin tim. Tema ishte shumë trendy/popullore dhe si fillim iu drejtova një instituti kërkimor i cili ishte i miratuar me ligj për ushtrimin e aktivitetit të tij si institucion kërkimor-shkencor në atë fushë. Eshtë një nga institutet më të famshme në vend i financuar me miliona, i reklamuar dhe përgëzuar jo vetëm nga qeveria por dhe media për punën e tij shumë cilësore dhe të ndershme, e sidomos që mendon për të ardhmen, me pak fjalë cilësi dhe etikë. U nisa drejt tij për material (libra, studime etj) dhe u prezantova ashtu siç isha thjeshtë një “STUDENTE” e cila intersohej për atë fushë dhe nëse ishte e mundur ndonjë intervistë me persona ekspert dhe në këmbim prisja një bashkëpunim. Por pa e shprehur ende kërkesën time, sapo dëgjuan fjalën “STUDENT”, më paraqitën në tavolinë një fletë të plastifikuar, tipi i meny-ve në resorante me çmimet përkatëse. Pra ke për të mbrojtur temë, ja ku e ke një mikrotezë shkencore e kopsitur dhe gati për t’u mbrojtur e ke gati, për vetëm 200 euro. Nëse në të ardhmen do të fillosh shkollën e doktoraturës mund të të ndihmojmë me temën e Ph.sD-së, e ke të gatëshme për diçka më tepër tek 300 euro. Artikujt shkencor (100 euro) apo abstraktet (50 euro) kur të kesh nevojë ne këtu jemi në ndihmë të “STUDENTEVE”. U ndjeva e fyer dhe e habitur në të njëjtën kohë nuk munda të them asgjë, sepse kisha shkuar vet tek ata.Sic thotë populli “si Cjapi tek Kasapi”. Unë isha klienti ata ishin shitësit vetëm lekët duheshin që të ndodhte shkëmbimi dhe unë të bëhesha Msc. MA. Dr etj etj etj. Duke iu thënë se do të flisnim në një takim tjetër mbi detajet e temës që do merresha, nuk i refuzova në mënyrë të hapur kjo për shkak se dhe personi aty si kryetar i institutit ishte një goxha Prof. Dr dhe pedagog në disa universitete në vend (publike dhe private), nuk dija ç’ti thoja dhe ika e nuk u duka më kjo dhe për faktin se u ndjeva e fyer, e pavlerësuar,e paaftë. Nuk e prisja një realitet të tillë sepse u treguan shumë transparent sikur ajo që bënin ishte në zbatim të ligjit dhe kishin dalë të shisnin diploma, teza, mikroteza, artikuj, abstrakte, Ph.D etj. Për më tepër më ra idhulli dhe imazhi i nje Prof Dr (akademiku) që unë kisha të krijuar në kokë, nuk përputhej me atë që më paraqiste realiteti kurrësesi. I jepet e drejta për kërkim shkencor dhe bën punën e shkeljes së të drejtave të autorit, kjo ishte puna që bënte ky institut apo qendër kursesh apo quheni si të dëshironi ju. Dhe mos më thoni që nuk ka sepse çdo qendër kursesh e bën këtë. Dhe e bën sikur të jenë tek tregu i fruta perimeve dhe shesin speca dhe domate…pa leje nga Bashkia kuptohet.
Në kërkim po të literaturës tashmë vazhdova rrugëtimin tim dhe iu drejtova ministrisë përkatëse si një institucion i cili ishte i ngarkuar për atë punë/problem dhe duhet të kishte burime parësore por edhe dytësore për punimin tim. Aty si për çudi u treguan më të drejtëpërdrejtë dhe të menjëhershëm. A je STUDENT? Ja urdhëro për këtë temë që kërkon ti kemi një punim në punë e sipër të finacuar nga BE-ja, tamam studim. Merre prezantoje, se ti për në shkollë e do se mos je gazetare, (demek punë arsimi, pa zarar). Plus që kjo nuk botohet por i jepet vetëm BE-së kaq. Dhe këta në ndryshim nga të parët ta jepnin falas . Më fal po të drejtat e autorit që shkeleshin (në fakt pa e kuptur ma dha punimin vet autori). Ligji i shkretë i shkelur nga një institucion shtetëror. Pra grabit se s’të thotë njeri gjë. Më vjen keq dhe për punën kërkimore se s’ka pothuajse vlerë fare, e në fakt dihet vlerën çdo gjëje ia jep treg, ligji i kërkesë-ofertës, po mesa duket në këtë treg ka shumë ofrues e pak kërkues prandaj dhe çmimi është i ulët. Demek punë arsimi, universiteti, kërkimi shkencor etj.
Interneti po ashtu një mori materialesh të pambrojtura, të cilat mund ti grabisësh kur të duash dhe që mund të bësh ç’të duash me to. Punime të mira dhe jo të mira, gjithsesi s’ke ndonjë punë të madhe për të bërë ti thjeshtë përzgjidh atë që të duket më e mirë, në gjuhën që njeh më mirë, nëse e gjen në Shqip akoma më mirë. Pra me pak fjalë vidh se s’të sheh njeri.
Po pse ndodh kështu? Çfarë i bën këta njerëz që të mos kenë frikë se mos dikush u zbulon vjedhjen? Sipas versionit teorik do ta përmblidhnim me një fjalë të vetme nuk ka kontroll. Por rrugëtimi im si STUDENT vazhdon… Ja përgjigja praktike . . .Dorëzova punimin por askush nuk ma kërkoi në version elektronik , se helbete si dihet qëllon ndonjë pedagog korrekt në zbatimin e ligjit mbi të drejtat e autorit dhe i kontrollon online për plagjaturë, ja kështu kapërcehet një kontroll. Sepse biblotekë elektronike për tezat dhe mikrotezat e bëra nga paraardhësit tanë nuk ka kështuqë jepi dorëzoje , hiqe qafe, merr gradën dhe je “ok”. Proçedura të zbatohet të tjerat s’kanë rëndësi.
Po ashtu të mendosh se ato qindra faqe të dorëzuara nga STUDENTET a lexohen? Se besoj, vetëm ndonjë pedagog jashtë mode i lexon sepse rëndom lexohet vetëm përmbledhja dhe asgjë tjetër. Shihet power-point-ti të jetë i bukur e me pamje mahnitëse se si i thonë asaj thënies “nëse nuk e bind dot tjetrin, të paktën shpërqëndroje” se në fund të fundit do të ta japi se askush nuk kontrollon dhe s’ka inters ta kthej, çfarë të lodhet përsëri. Janë shumë të rrallë ata të cilët kontrollojnë dhe bëjnë punën siç duhet. Nuk e di nëse kjo ka të bëjë me pagesën e kontrolluesve apo çfarë?
Pra kështu ne studentët/pseudo-studenët apo studiuesit/pseudo-studiuesit shqiptar nuk kemi frikë se kapemi me kopje/plagjaturë apo se vjedhim. Nuk mundet kurrësesi që gjithçka të ngelet në dorën e etikës së kërkuesit, në thelb duhet një sistem apo srukturë kontrolli të plagjaturës. Ka gjithmon përfitues, mashtrues e gjithfarë lloj tipash , plus që studenti s’ka pse të gjendet i rrethuar nga një joshje kaq e madhe nga plagjatura.Gjithësesi ka plotë studiues të cilët punojnë me rigorozitet dhe me fanatizëm rreth punës së vet por kjo është e keqa se si i thonë asaj fjalës së urtë “digjet bari i thatë me të njomin bashkë”. Por jo gjthçka mund të mbetet në dorë të etikës së studiuesit sepse jo më larg se para disa ditësh doli që dhe draft reforma mbi arsimin e lartë në vendin tonë ishte plagjaturë (të pakëtn këshut u tha nëpër dhëmbë dhe u mbyll, se gjë zyrtare hic).
Me të drejtë lind pyetja se si e kanë zgjidhur vendet e tjera këtë problem sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar ? Eshtë shumë e thjeshtë zbatimi i ligjit dhe penalizimi i atyre që e shkelin atë. Por dihet që kjo nuk mjafton se përpara se ta dënosh hajdutin duhet ta kapësh atë. Ka shumë soft-whare të cilat janë një mjet shumë i mirë për kontrollin e plagjaturës, në disa sekonda programi të shfaq menjëherë se sa është niveli i citimit, plagjaturës e gjithçka. Ju do thoni se a e zgjidh kjo problemin? Jo kuptohet që jo sepse teknologjia është një mjet, jo një mbrekulli. Ministri Gjerman u kap me Ph.D plagjaturë pak me vonesë por u kap sepse ligji dhe mjetet e zbatimit të tij atje funksionojnë, se si i thonë asaj fjalës Shteti e kap lepurin me qerre. Rasti i Ph.D-së së rektorit të Universitetit të Prishtinës është po një rast i cili duhet të merret shembull. Po ashtu Zuchenberg i famshëm një hajdut i zgjuar por që nuk i shpëton dot ligjit (kjo sipas mendimit tim). Po në shqipëri a është dënuar ndonjë ? Të them të drejtën nuk di asnjë emër të penalizuar deri më sot. Thua se nuk ka , jo përkundrazi është bërë e zakonshme.
Në Repulikën e shqipërisë ekziston një ligj mbi të drejtat e autorit por që nuk zbatohet pothuajse asnjëherë (kjo duket qartë nga rastet e penalizuara) nga të gjithë personat dhe intitucionet në vendin tonë. Ju do thoni ku e bazon ti këtë? Ju lutem të fokusohemi tek librat dhe të mos shkojmë shumë më larg. Sa libra universitar janë thjeshtë të përkthyer dhe u është vendosur emri i përkthyesit si autori i tij dhe të tillë ka shumë në ambjentet akademike. Sa grada po merren me plagjaturë apo copy-paste? Përpara disa ditësh pash një Ph.D të mbrojtur dhe të hedhur në internet, mu duk e shkruar shumë mirë dhe qartë, me pak fjalë më pëlqeu, por gabimisht hapa dhe disa punë të PNUD-it mbi atë fushë dhe çfarë ishte një copy-paste e punimeve të PNUD marrë dhe prezantuar si të vetën dhe përfituar gradën Dr. Pra është një superstrukturë e tërë që proklamon dhe nxit cënimin e të drejtave të autorit dhe mosruajtjen e këtyre të drejtave.
Unë jam një nga ata studentët/studiuesit i cili joshet përditë nga plagjatura, ai personi i cili duhet të zgjedhi midis një pune të gatshëme dhe të lirë apo një pune të bërë vet dhe të lodhshëme, sepse të punosh asnjëherë nuk është e lehtë e aq më pak në fushën e kërkimit shkencor. Pastaj deprimohesh kur shikon njerëz me Ph.D të gatëshme dhe të çlodhur, pa asnjë pikë rrudhe në fytyrë se nuk është asnjëherë keq përkundrazi të jesh dhe i/e bukur dhe i/e zgjuar dhe kjo e fundit e vërtetuar nga shumë kartona.

UEFA vendos sot për ‘Serbi-Shqipëri’

Kombetarja-para-miqesores-me-LituanineQeveria e futbollit evropian UEFA pritet të japë sot vendimin e shumëpritur për të ardhmen e ndeshjes së ndërprerë “Serbi-Shqipëri” dhe dënimet e mundshme ndaj Federatave të dy kombëtareve.

Komisioni i Displinës dhe Etikës në UEFA ka pasur në dorë dhe ka shqyrtuar dosjet e përgatitura nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo serbe në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes së 14 tetorit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Mjaftoi valëvitja e flamurit kuqezi me hartën e Shqipërisë së Madhe për të revoltuar tifozët serbë të cilët dhunuan në mesin e fushës së blertë lojtarët e kombëtares sonë.

UEFA ka vënë nën hetim Shqipërinë për mos rikthimin e kuqezinjve në fushë dhe vazhdimin e lojës pas ndërprerjes në minutën e 41’, si dhe për flamurin e telekomanduar me dron mbi stadiumin e Beogradit, për të cilin deri më tani nuk ka autorësi.

FSHF kërkon fitoren 3-0 në tavolinë

serbia-kosovo-6401Federata Shqiptare e Futbollit kërkon fitoren 3-0 në tavolinë. FSHF informon që vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.

Me njoftimin e akuzave të ngritura kundër Shqipërisë, FSHF, nën drejtimin e zyrës së saj ligjore Haxhia & Hajdari, ka filluar mbledhjen e materialeve provuese dhe përgatitjen e mbrojtjes. Përpilimi i argumentave juridikë të mbrojtjes dhe këshillimi ligjor në lidhje me çështjen i është besuar dy zyrave të mirënjohura ligjore në fushën e të drejtës sportive: Littleton Chambers në Londër dhe Levy Kaufmann-Kohler e bazuar në Gjenevë.

FSHF sqaron se futbollistët e Shqipërisë nuk kanë refuzuar të luajnë, por vazhdimi i lojës ka qenë i pamundur si pasojë e drejtpërdrejtë e dëmtimeve fizike dhe psikologjike prej sulmeve të pakontrollueshme të tifozëve serbë, të punonjësve të sigurisë dhe, në disa raste të izoluara, edhe të vetë futbollistëve serbe

Ministria e Punëve të Brendshme: Askush nuk është mbi ligjin

ministria e brendshmeZedhenesi i Ministrit te Punëve të Brendshme ka dalë ne mbremje me një deklaratë për mediat, ku theksohet se “Policia e Shtetit ka treguar e do vazhdojë të tregojë se nuk ka më të paprekshëm dhe as të privilegjuar. Nuk ka më të fortë që mund t’i bëjnë bisht ligjit, as me pushtet dhe as me para, as me mandat deputeti, qoftë djathtas e qoftë majtas dhe as me imunitet familjar të cilitdo lloji e kategorie. Askush qe shkel ligjin, nuk gëzon dot trajtim të ndryshëm nga çdo shkelës ligji”.

Në deklaratë vihet ne dukje se “Policia e Shtetit nuk është redaksi gazete dhe as tribunë partie që të japë lajme për operacione në zhvilim dhe hetime që janë ende në vazhdim. Sigurisht që kur në emër të opozitës, akuzon për krime të imagjinuara apo të prezumuara deputetët e shumicës, një deputet që ka bërë burg për mashtrim, kjo e ul shumë besueshmërinë e akuzave”.

“Por si doqoftë, ne si shumicë kemi treguar se çdo emër e verifikojmë dhe marrim vendimin e duhur, në mbrojtje të të akuzuarit kot ose në ndjekje të të akuzuarit plot”, thuhet në deklaratën për shtyp te zëdhënësit të Ministrit të Punëve të Brendshme.

Rosaria Talarico, gazetarja e luftës së Kosovës: Fajin e ka UEFA

rosaria2Aurora Allushaj

Në pamje të parë duket shumë e vogël. Buzëqeshja, fytyra e rrumbullakët dhe mirësjellja janë pikat e saj më të forta. Kur e kontaktova për intervistë nuk hezitoi, unë e dua shumë Shqipërinë, mu përgjigj. Dëshiron që një ditë të afërt të vizitojë vendin tonë, pse jo edhe për çështje pune. E pyetur për incidentin që ndodhi në stadiumin “Partizani” të Beogradit, Rosaria Talarico, gazetarja e La Stampës, Il messageros dhe shumë mediave me zë italiane, tregon se përgjegjës për gjithçka ndodhi është UEFA. Talarico rrëfen në këtë interviste eksperiencën si gazetare gjatë luftës së Kosovës dhe gjithçka i ka mbetur nga ajo kohë. Tashmë që kanë kaluar pesëmbëdhjetë vite nga lufta, ajo vazhdon ende ti mbaje të freskëta sekuencat e gjithë kohës së qëndrimit dhe është duke nxjerrë në treg librin e saj për Kosovën.

Kur keni shkuar në Kosovë dhe pse?

Kam qenë në Kosovë tre herë. Dhe kam ndenjur nga 15 ditë. Kam shkruar për të kryer misionin tim si gazetare lufte.

Cili ka qenë momenti më delikat gjatë qëndrimit?
Eksperienca më e veçantë ka qenë pjesëmarrja në zgjedhjen e patriarkut ortodoks të Pejës. Një takim i rëndësishëm, i njëjtë me zgjedhjen e papës për kristianët. Mendohej se do të kishte përplasje midis shqiptarëve dhe serbëve, por gjithçka shkoi mire.

Keni pasur lajme që ju janë censuruar?
Jo, asnjë censurë. Por, kam pasur mundësinë të vizitoj vende shumë të bukura, me një natyrë spetakolare dhe të flisja me njerëz të ndryshëm. Kam njohur kështu një anë të panjohur të Kosovës. Në Itali njerëzit mendojnë ende se në Kosovë ka luftë…..ka ende për te rrëfyer.

E keni ndjekur në media incidentin që ndodhi në stadiumin “Partizani” të Beogradit midis skuadrës Serbe dhe asaj shqiptare?

Ishte një ngjarje që bëri jehonë jo vetëm në median italiane por edhe në atë botërore. E kam ndjekur me jo pak vëmendje për shkak se unë jam e lidhur me Kosovën.

Si e interpretoni atë që ndodhi?
Politika duhet të qëndrojë larg nga fusha e futbollit. Fatkeqësisht shpesh futbolli përdoret si mjet për të provokuar instinktet më të keqe të tifozëve ultras. Ata kanë shumë pak ose aspak interes sportiv dhe thuajse gjithmonë përdoren politikisht sepse janë lehtësisht të manipulueshëm.
Organizatorët duhet të imagjinonin mundësinë për probleme të tilla gjatë ndeshjes duke marrë parasysh problemet e mëparshme Shqipëri-Serbi. Kjo ndeshje nuk duhej të luhej kur siguria për mbarëvajtje të ndeshjes nuk sigurohej. Sporti duhet të jetë një moment takimi,zbavitje, jo lufte.

Kush sipas jush duhet të mbajë peshën e fajit?
Gjithçka rëndon tek kush ka vendosur që të luanin këto dy skuadra dhe mbi të gjitha në një situatë dhe stadium që nuk garantonte sigurinë. Ishte një provokim droni por gjithashtu edhe marrja e flamurit nga lojtarët Serbë.

A mendoni ta rivizitoni Kosovën, tashmë 15 vite pas mbarimit të luftës?
Po, dëshiroj shumë të vizitoj Kosovën. është një tokë që më ka ngelur në zemër së bashku me njerëzit që jetojnë aty.

rosaria3Në periudhën që keni qenë atje, keni folur me personalitete kosovare, me kë keni pasur komunikim?
Po, kam folur me personalitete të ndryshme: lider politik dhe religjioz. Kam takuar ministrin kosovar të energjisë, monark serb të Deçanit, imam të ndryshëm dhe kryetar komunash.

Keni akoma kontakte me ta?

Po, kam akoma kontakt me gazetarë dhe disa prej personave që kam njohur në udhëtimet e mia në Kosovë.
Si i keni njohur kosovarët?
Më duken shumë të motivuar për të jetuar ashtu siç duhet pas shumë vuajtjesh. Janë njerëz të prerë, me personalitet të fort dhe plotë entuziazëm. Gjithashtu i shikoj të zhgënjyer nga korrupsioni dhe shumë probleme të tjera aktuale në Kosovë, duan të hyjnë në Europë duke menduar se kjo do të përmirësojë ekonominë e tyre. Janë shumë krenarë dhe familja për ta është e shenjtë. Më kujtojnë kalabrezët, për këtë jam ndier si në shtëpi çdo herë kam shkuar atje.


Po serbët
?
Mendoj se edhe serbët duan të jetojnë të qetë. Ata jetojnë në një toke që është konsideruar e “tyre” dhe tashmë gjithçka ka ndryshuar. Për ata është e vështirë të marrin dokumentet, duke mos njohur gjuhën shqipe. Lufta ka krijuar mini konflikte që nuk duhet të ekzistonin.

Cili është mendimi juaj për luftën e Kosovës? Mund të evitohej?
Nuk mund të spekuloj se çfare do të kishte ndodhur në të kundërt. Roli im si gazetare është të tregoj atë çfarë ndodh duke i dhënë një arsye. Ndërhyrja e Italisë në luftë është kritikuar shumë dhe mund të gjenden arsye si kundër dhe në favor. Personalisht mendoj se luftërat duhen evituar gjithmonë sepse viktima të saj ngelen gjithmonë njerëzit e dobët dhe të pafajshëm. Ende sot në Kosovë shihen gjurmët e luftës (ura dhe rrugë që duhen ndërtuar), por problem më i madh ngelen njerëzit, në tregimet e tyre lufta nuk ka mbaruar kurrë.

Ka diçka që ju ka goditur dhe vazhdon t’iu kthehet në mendje sapo dëgjoni emrin “Kosovë”?

Ka imazhe që kam kërkuar në librin që po shkruaj. Flas për mrekullitë natyrore, për fëmijët jetim, për entuziazmin e të rinjve, për bashkëjetesën e feve të ndryshme. Një nga gjerat që më ka prekur më shumë ka qenë takimi me një prind të moshuar i cili shkonte çdo ditë të takonte në varreza të birit e vrarë gjatë luftë.

Kur të ktheheni në Kosovë, çfarë do të kërkoni të fotografoni?
Më pëlqen të fotografoj serbë dhe shqiptarë teksa bashkëjetojnë në harmoni, tek arrijnë të mposhtin urrejtjen që transmetohet prej shekujsh.


Jeni dërguar si gazetare lufte në Liban dhe shumë vende të tjera ku ka konflikte, është e vështirë për një femër të ketë një rol të tillë?
Nuk kam menduar kurrë që të qenit një femër është vështirësi. Ka disa vende që është avantazh pasi është më e lehtë të hysh në shumë vende dhe të flasësh me persona që nuk mund të kenë komunikim me seksin tjetër.

Udhëtimet për punë ju kanë bërë të njihni shumë kultura, cila prej kulturave që tashmë njihni i afrohet kulturës italiane?
Në fakt në udhëtimet e mia kam kërkuar të gjej të ndryshmen dhe jo të njëjtën me vendin tim. Kam kërkuar të provoj ushqimet, peizazhet, traditat. Nuk jam tip i personit që kërkon të hajë makarona jashtë Italisë dhe më pas ankohet se janë të ziera shumë (qesh). E bukura në udhëtime qëndron në zbulimin e të resë. Në fakt i gjithë Mesdheu ka ngjashmëri të mëdha me Italinë.
Vendlindja juaj Kalabria ka ngjashmëri të shumta me Shqipërinë. E keni vizituar Shqipërinë?
Jo, në fakt nuk kam qenë kurrë në Shqipëri, por më pëlqen ta vizitoj. Nëpërmjet Kosovës kam mundur të njoh nga afër gjuhën dhe kulturën shqiptare. Dhe më janë shumë familjare për shkak të ngjashmërisë së madhe me Kalabrinë. Në zonën time komuniteti arbëresh është shumë i përhapur dhe i lidhur me traditat e tyre. Ata kanë mbajtur në shekuj gjuhën dhe traditat, për shumë kohë kam qenë drejtoreshë e një televizioni lokal ku gjysmën e programit e bënim në shqip.

Pak më sipër u shprehët se jeni duke shkruar një libër për Kosovën. A mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij libri?
Jam duke publikuar një libër për Kosovën me botues Librarinë Universitare. Në këtë libër do t’iu tregoj Kosovën 15 vite nga lufta.

Kam një pyetje të fundit. është folur shumë për trafik organesh gjatë luftës së Kosovës, sipas jush a ka ndonjë të vërtetë në këtë histori?
Sipas Carla Del Pontes, në librin e saj për këtë çështje, ka pasur gjurmë trafiku. Por personalisht nuk di t’iu them asgjë për këtë temë.

Turp Serbia!

20141014_c4_serbiaMira Kazhani

Në stadiumin e Beogradit nuk kish mbrëmë shumë shqiptarë, veç atyre që ishin në fushën e blertë të stadiumit në Beograd: dhe ata po luanin si djem europianë që nga kapiteni Cana e deri tek portieri Berisha.

E pamë të gjithë se si që nga minuta e parë u përballëm me shprehje të dhunës ndaj lojtarëve kuqezi, të cilët dukeshin të pregatitur për çdo lloj provokimi dhe ruajtën qetësinë. E pamë po ashtu të gjithë sesi Kukeli fshinte gjakun që i rridhte nga hundët, apo arrogancën ndaj preshevarit Lenjani i cili me elegancën që luante topin, shmangu dhe konfrontimin.

Nuk pati në asnjë rast asnjë çast ku futbollistët shqiptarë të silleshin si huliganë. Ndeshja kishte tension. Lojtarët serb i përvisheshin arbitrit sa herë duhet të merrte një masë ndërsa 25 mije tifozë silleshin sikur të ishin në luftë, më saktë sikur nuk ndiheshin në shtëpinë e tyre. Pak minuta para fundit të pjesës së parë, një flamur në ajër i ngritur nga një balonë me telekomandë përndezi gjakrat duke shfaqur mëninë e vjetër ballkanase.

Një Shqipëri etnike e cila më shumë sesa në kokën e shqiptarëve duket se është në kujtesën e ADN-se së serbëve.

Në udhëtimet e mia kam takuar koleg serb, madje ata janë miqtë më të mirë të udhëtimeve e mia të punës: djem dhe vajza të mrekullueshëm që nuk sillen me urrejtje. Por pa dyshim as ata nuk mjaftojnë sot për të justifikuar provokimet serbe në stadiumin e Beogradit.

U komentua dhe besoj do flitet gjatë për “flamurin me telekomandë” që u ngrit në qiellin e stadiumit serb. Ndoshta siç thonë disa ka qenë një dorë e helmët, provokuese, por edhe sikur ta ketë ngritur një shqiptar, apo një serb kjo pak rëndësi ka. Një flamur i shqiptarisë, nuk besoj se i bëri hije mijërave flamujve serb në atë stadium. Sepse, sa normale ishte që në atë stadium të mos vallëzonte në ajër qoftë edhe një flamur Shqipërie? Aspak normale.

Por edhe në këto kushte kuqezinjtë po luanin si zotërinj të vërtetë. Sepse shqiptarët i bashkon futbolli siç ka bashkuar lojtarë shqiptarë nga të gjitha trojet tona italiani De Biazi. Kuqezinjtë janë në fakt një “skuadër etnike”. Nuk ka asnjë Shqipëri të madhe në kokën tonë por nuk kam pikën e frikës të shkruaj publikisht se edhe në qoftë kështu, cfarë mund të thuhet për Serbinë e luftërave pa fund ballkanike, të genocideve, pastrimeve etnike, dhunimeve dhe përdhunimeve. E nëse këto i përkasin, sic zemra na i do, të shkuarës, pikërisht për këtë arsye merr kuptim pyetja: E pse u acaruan tifozët dhe lojtarët serbë? Për një flamur të vetëm?!

Ata nuk na njohin. Urrejtja na ka bërë të ngjashëm, të njësishëm ne ballkanasve por besoj që në dashuri jemi të ndryshëm. Ajo që ndodhi mbrëmë nuk ishte një leksion por një shenjë. Ballkani është ende një fuci baruti. Shpresoj që mbrëmë ta ketë kuptuar edhe kryeministri ynë që Ballkani nuk menaxhohet me… budizëm. Reflekto zoti kryeministër para se të përfitojnë nga naiviteti yt. Fqinjësia e mirë nuk fitohet me një status në Twitter.

Turp Serbia. Përgjegjesia bie mbi ty. Edhe mbi ata lojtar të kombëtares tënde, që nuk e deshën atë shfaqje për nam.

Tashmë rezultati i asaj ndeshje nuk ka më rëndësi. Ndërkohë që shkruaj këto rreshta dëgjoj një spikere në një nga stacionet televizive që thotë: Si mund të ndodh kjo në mes të Europës?! Më fal e dashur kolege një pyetje kam unë: për cilën Europë po flet?? Boll u sollëm si naivë duke u shtirur se kështu dukemi më europianë e civilë. Thuaj të vërteten, ti dhe unë. Ndodhi në mes të Ballkanit. Të atij Ballkani që nuk njeh zbutje. Ndodhi në Serbi. Ajo nuk është ende Europë. Aty të godasin me zjarr, karrige, brryla për një simbol. Përfytyroni ç’mund të bëhej nëse …do shënonim ndonjë gol.