Ekziston një aspekt, që godet fort komentet e bëra mbi ngjarjet e Parisit: hezitimi i politikës, i kulturës dhe formimit të përgjithshëm. Le të limitohemi në atë çfarë u komentua “tout court” nga politikanët europianë, terrorizmin. Të gjithë nuk kanë hezituar të citojnë thirrjen: “Allahu është i madh”, e përdorur nga vrasësit në momentet finale të krimeve. Por, të flasësh për Islamin në terma kritikë duket se deri diku hidhet karburant në një zjarr “bashkëjetese”, që dukej sikur kishte rënë në qetësi.
As në rastin më të fundit (ngjarjeve në Paris) nuk mungoi ndarja në “muslimanë të moderuar” dhe “muslimanëve fanatikë”. Duke marrë parasysh këto dy ndarje, është e mundur të bëhen disa komente: mbi të gjitha nocioni i moderimit (mjafton të mendojmë Arabinë Saudite, si matricë historike e rënies së Islamit, gjithashtu financuese në shumë raste e xhihadit, citohet si vend arab i “moderuar”.
Nga ana tjetër, të gjithë e dimë që Islami nuk është një monolit, duke marrë parasysh ndarjen në sunit dhe shiit.
Por, le të kthehemi në raportet me Islamin e “moderuar”, në atë çka tashmë jemi mësuar të dëgjojmë thuajse gjithmonë kur fjala terrorizëm islamik pushton mediat botërore. Ekziston një luftë brenda llojit. Në shumë video të ekzekutimeve të ISIS, sakrifikohen myslimanë, të cilët nuk njohin rregullat e vendosura prej tyre. Situata është shumë e komplikuar nga skenarë të ndryshëm gjeopolitikë në të cilët veprojnë ekstremistët, që shkojnë nga Filipinet në Nigeri, Somali, pa marrë parasysh këtu influencën e madhe në Europë (Eurabia, term i shkruar nga Oriana Fallaci).
Një aspekt tjetër shumë shqetësues është i asaj që gjatë viteve të “plumbit” u quajt “zona gri”. Intervistat e dhëna nga emigrantë muslimanë në Europë (emigrantë që jetojnë prej kohësh në shtete të ndryshme evropiane), nuk lejojnë aspak që të jetojmë të qetë dhe bëjnë të kërkohet kontroll në fluksin e hyrjeve të tyre. Këtu mund të merret si bazë edhe falimentimi i Francës dhe Anglisë për multikulturalitet në dhënien e shtetësisë dhe mikpritjes.
Qytetërimi europian karakterizohet, ndër të tjera, nga kapaciteti, i formuar ndër vite, për të pasur dyshim dhe për të njohur të drejtën e tjetrit. Problemi i sotëm duket se është mosnjohja e të drejtës kolektive, të drejtës evropiane. Për këtë flasin dy libra të dalë pak kohë më parë në Francë, “Vetëvrasja Franceze” dhe “Nënshtrimi” me autorë Eric Zemmour e Michel Houellebecq: nga lodhja e shoqërisë tonë, deri tek paaftësia franceze ( në veçanti) për të njohur armikun aktual, që na kanoset.
Trajneri i ekipit perfaqesues te Shqipërisë, italiani Gianni De Biazi, tregon se ka votuar Cristiano Ronaldon për “Topin e Artë”, por ai ka edhe nje dëshirë…shpreson që Ronaldo të mos i shënojë Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian!
“E votova Cristiano Ronaldon për ta fituar “Topin e Artë”, pasi ai ka luajtur në mënyrë të mahnitshme në vitin e kaluar. Ishte fantastik. Por, shpresoj që ai të mos shënoje gol ndaj Shqipërisë”, ka thënë italiani.
Krahas De Biazit, me pikët më maksimale Ronaldon e ka votuar edhe kapiteni i perfaqesueses së Shqipërisë, Lorik Cana.
Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, gjatë një takimi dypalësh me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang, në Beograd, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në atë kulturës dhe arsimit.
Kryeministri Li Keqiang i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me Kryeministrin shqiptar.
Në emër të Qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore.
Kryeministri kinez lajmëroi zhvillimin e takimit të katërt mes krerëve të qeverive të 16 vendeve europiane dhe kreut të Qeverisë kineze, takim që do të mbahet vitin e ardhshëm në Kinë.
Kryeministri Rama ftoi Kryeministrin Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt e të përshtatshëm.
Kryeministri Rama kryeson delegacionin shqiptar në Samitin Ekonomik dyditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, në Beograd, i njohur si Samiti 16+1 me pjesëmarrjen e kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kryeministrit të Kinës, Li Keqiang.
Në përbërje të delegacionit shqiptar është edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto
Në çdo fundjavë si shumë të tjerë besoj, bëj një vizitë në shtëpinë e prindërve në fshat për t’i parë apo përshëndetur meqë edhe kohën tashmë për të qëndruar me ata gjatë javës nuk e kemi, por edhe për të argëtuar gjysherit me nipërit dhe mbesat por edhe këta te fundit me gjyshërit e tyre, duke bërë të mundur kështu të krijohet ajo lidhja tradicionale shqiptare midis tyre.
Prindërit jetojnë në një shtëpi modeste, ajo shtëpia që ata trashëguan nga prindërit e babait, e rregulluar me aq sa ata kanë mundur këto vitet e fundit por për ne fëmijet e asaj “rrënje” vazhdon të mbetet një si tip ”qendre graviteti” që sa vjen dhe e shton tërheqjen e saj gravitacionale.
Si në cdo shtëpi biseda e parë me prindërit bëhet në sallon dhe mbas fjalëve të para të “kortezise”me ne të rriturit, interesi i tyre shkëputet dhe përqëndrohet te nipi dhe mbesa, kjo më jep mundesinë të jem më i lirë dhe të merrem me ndonjë gjë tjetër.
Një lidhje instiktive më tërheq drejt bibliotekës modeste e cila është aty që kur unë mbaj mend veten time. Afërsisht librat më janë të njohur por është diçka si instiktive t’i hedh një sy mos ndoshta im atë “e ka lëshuar dorën”dhe ka blerë ndonjë libër të ri veç atyre që kam blerë unë, por kjo gjë ndodh shumë rallë kryesisht për shkak të palirshmërisë ekonomike të tij dhe kjo është tërësisht e kuptueshme nga ne si fëmijet e tij duke ditur të ardhurat e tij modeste.
E megjithatë biblioteka e tij pasurohet me goxha libra cilësorë nga ana e fëmijeve të tij si për t’i lënë të kuptojë që kjo bibliotekë ka vetëm një rrugë dhe kjo është rruga e pasurimit të saj.
Në njërin nga raftet e saj është një brez vishnjë librash që edhe këta janë aty që kur unë e mbaj mend veten time.
Në fakt u ka rënë ai shkëlqimi i kopertinës që i bënte të dukeshin si të kuq por ata vazdojnë të jenë të rjeshtuar sipas numrit rendor të veprave, si për të të kujtuar seicila vepër një vit nga ata të asaj kohe,në përfundim të tyre janë librat e “Xhaxhit” më të pakta në numër por po aq të shëndritshme në kopertinë si dikur, sepse me sa duket im atë “kujdeset” më shumë për ato.
Në atë çast mu krijua një lidhje midis këtyre librave, “xhaxhit”,dhe debatit më të fundit pothuajse në cdo media për dekomunistizimin e shoqerisë dhe çmitizimin e Enver Hoxhës.
Në vitet e para të demokracisë ne si femijë i kërkuam t’i digjte babai këto libra por ai “vendosi veton”duke thënë se unë i kam blerë vetë, dhe ju ska për tu gjetur gjë nga këto, mi lini mua dhe po patët interes më vonë këtu i kini, dhe kështu pas hezitimit të babait ata qëndrojnë aty në qetesinë e tyre duke mos më ngacmuar por thjesh per të më kujtuar se ne vazhdojme te jemi këtu qoftë edhe si pikë referimi për ndonjë debat të mundëshëm në të duhemi.
E vërteta është që unë librat e Enver Hoxhës i kam lexuar të gjithe, disa më herët dhe të tjerë tani vonë, për kulturë por edhe për të argumentuar në ndonjë debat me ndonjë prej nostalgjikëve të atij sistemi.
Tani do të futem më në temë për të lidhur gjithë këtë që përshkrova me aktualitetin.
Duke hequr një portret të Enverit nga ndonjë tubim, duke djegur një libër të tij apo duke i fshirë emrin nga ndonjë rrjesht i ndonjë shkrimi, siç u bë dikur me Mehmet Shehun, duke sharë në media çdo gjë dhe çdokënd të asaj periudhe nuk besoj se arrijmë ndonjë diçka, thjesht acarohet dhe i jepet mundësia të shtojë radhet ajo pjesë e shoqërisë që ka nostalgji për atë periudhë dhe për arkitektin e saj, aq me pak arrijmë të dekomunistizojmë shoqërinë.
Pothuajse të gjithë njohim njerëz që kanë simpati për atë sistem për rrjedhojë edhe për Enver Hoxhën, ashtu siç ka të tjerë që i urrejnë në ekstrem këto të dyja, por kur debaton me sipatizantët seicili të jep një argument se përse e simpatizon akoma dhe për ta ilustruar këte po jap disa shembuj:
”atehere isha saldator në uzinë sot pa punë edhe pse punëtor krahu’’, ”u bëra operim nga zemra pa asnjë lekë sot nuk marr as guximin të shkoj po nuk i pata xhepat plot”, ”rendi dhe siguria ishin të sigurta sot nuk e dallon kush është keqbërësi dhe kush punonjësi i rendit”, ”dje deshmorët e familjes time nderoheshin sot as do t’ia dije njeri dhe aq më keq interesohen dhe dëmshpërblehen familjare kolaboracionistësh apo bashkpunetorësh të fashizmit”,në thelb të tjera pakënaqësi si për arsimin e fëmijëve, tekstet mësimore, administratën, politikanët e vënë në shërbim të të huajve, abuzimin me pasurinë kombëtare, shitjen e territorit fqinjëve etj,etj të cilat këta nostalgjikë i lidhin me atë system dhe me E. Hoxhën.
Të gjitha këto në esencë të tyre janë pakënaqësi të mirëkuptueshme por që të ulet kjo listë pakënaqësish dhe për rrjedhojë edhe simpatizantët e komunizmit dhe të “xhaxhit”besoj se ka vetëm një rrugë:është rruga e ndërtimit të shoqërisë me arsim më të mirë,me ekonomi më të mirë,me rend më të mirë,me një ushtri me të aftë,me politika sociale më të drejta,politikanë më të devotshëm për vendin e tyre,administrate shtetërore më të aftë etj etj.
Natyrisht që nevojiten edhe levizje të tjera,si studimi në shkolla i asaj periudhe,duke e parë atë periudhe me objektivitet me të mirat (se besoj do ketë patur dhe ndonjë të tillë) dhe të këqiat e saj,kthimi i burgjeve të diktaturës në muze të memories,hapja e dosjeve dhe lustracioni gjithashtu i shërbejnë dekomunistizimit,por të gjitha këto të bëhen nga njerezit e duhur dhe me transparencë.
Realizimi i këtyre nismave do clirojë publikun nga disa fytyra që kanë uzurpuar televizionet,të cilët cirren dhe shajnë atë periudhe me vënd e pa vënd pavarësisht se disa prej tyre janë fëmije kolaboracionistesh dhe duan reabilitimin e prindërve të tyre,apo të tjerë bashkëpunëtorë të ish sigurimit të asaj kohe.Edhe dalja e këtyre tipave në television i irriton dhe i shton rradhët e nostalgjikëve të asaj kohe.
Arritja e këtyre objektivave do të bëjë që natyrshëm të ulen radhët e nostalgjikëve të atij sistemi dhe të c’mitizohet natyrshëm figura e E.Hoxhës por edhe e ndonjë tjetri,dhe të arrihet një dekomunistizim edhe më i thelle i shoqërisë.
Iniciativat e sforcuara nuk kanë asnjë rezultat,mosreagimi në kohë gjithashu dhe shembulli konkret është shumë afër mjafton ti hedhësh një sy Greqisë fqinje ku e majta ekstreme është shumë afër në ide me ato komuniste mbizotëron në sondazhet e publikuara në mediat fqinje dhe nuk është fare cudi që të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhëshme.
Policia e Shtetit dhe OSHEE bëjnë me dije në deklaratën e përditshme për mediat se edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar puna e tyre e përbashkët në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike .
“Gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin kanë vepruar 108 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici – OSHEE në 2.033 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 6 autorë”, thuhet në deklaratën e Policia e Shtetit- OSHEE.
Po ashtu, Policia e Shtetit- OSHEE shpjegojne se “nga këta janë arrestuar në flagrancë 2 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike e janë shpallur në kërkim 4 persona . Po gjatë ditës së sotme janë ndërprerë 1.163 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentve debitorë. Gjithashtu, janë kontrolluar 88 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina”.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, thuhet ne deklaratë.
Rusia kërkon të bashkojë regjimin dhe grupet e ndryshme të opozitës siriane që të fillojnë negociata serioze që t’i japin fund luftës në vend, njoftoi sot një ministër rus i ngarkuar me këtë dosje.
Disa përgjegjës sirianë dhe opozitarë kishin pohuar ditët e fundit se Rusia, një aleate e regjimit të Bachar al Assad-it, ka për qëllim të organizojë negociata të reja por është hera e parë që Moska del hapur.
Rusia, një aleate e regjimit të Assad-it, disa herë në nëntor ka takuar një grup të opozitës civile dhe ushtarake të drejtuar nga ish-kryetari i Koalicionit, Moaz al Khatib, më pas një delegacion të regjimit të drejtuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Walid Mouallem.
Këto vizita i kanë mundësuar Moskës të arrijë një marrëveshje mbi një rifillim të bisedimeve, sipas dy palëve. Por ende nuk është vendosur asnjë datë.
Në fillim të vitit 2014, dy mbledhje në Gjenevë mes regjimit dhe opozitës, nën drejtimin e OKB-së dhe SHBA-së, që mbështesin rebelimin, dhe Rusinë, kishin dështuar, duke përfundur me mbajtjen e Assad-it në pushtet.
Më shumë se 200 mijë persona kanë vdekur që prej fillimit të konfliktit në Siri në mars 2011, që filloi pas shtypjes së përgjakshme të manifestuesve antiqeveritarë, duke degjeneruar në luftë civile.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, mori pjesë në Konferencën e Parë Ekonomike me temë “Udhëkryqet e Ekonomisë Shqiptare”, organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. “Pas 23 vjetësh tranzicion ne nuk jemi aty ku do të duhet të ishim, jo për shkak të kësaj trupe pedagogjike, por për shkak të trupës politike”, deklaroi ministri Ahmetaj. Megjithatë, tha ai, ka ardhur koha që askush nga ne, qoftë në pozitë apo opozitë, biznes apo akademi, kudo që të jetë, nuk justifikohemi dot më, sepse është koha kur reformat janë të domosdoshme, ose në krye të 1 viti e gjysmë deri në dy vjet ekonomia shqiptare do të kolapsohet.
Ahmetaj foli edhe për situatën ekonomike në të cilën qeverisja e majtë e gjeti vendin. “Në momentin e parë, kur erdhëm në zyrat e qeverisë e dinim që situata ekonomike ishte jashtëzakonisht shumë e rëndë, me shumë gropa, me shumë pengesa, por ajo që gjetëm ishte shumë më e rëndë se sa ajo që mendonim”, tha ai. Sipas tij, shifra e 726 milionë dollarë borxhe të papaguara ndaj sipërmarrjes, madje diku edhe të padeklaruara, ishte surpizë në shifër, por jo në filozofi. “Është filozofi e vjetër, e akumuluar në vite, që papërgjegjshmëria e qeverisë ndaj sipërmarrjes të arrinte në ato nivele ku sipërmarrja ishte në prag të falimentimit edhe për shkak të mospagimit të borxheve nga ana e qeverisë. Ne morëm parasysh domosdoshmërinë e dokumentimit të të gjithë këtyre borxheve dhe morëm përsipër pagesën e borxheve, e cila sot, referuar të gjitha raporteve ndërkombëtare të institucioneve ndërkombëtare, po dhe të ndjesisë së drejtpërdrejtë të bankave të nivelit të dytë, pra pagesa e borxheve ka sjellë një pozitivitet, ka sjellë likujditet te ndërmarrjet dhe ka sjellë një disiplinim të marrëdhënies mes qeverisë dhe sipërmarrjes”, u shpreh ministri.
Lidhur me reformën e pensioneve, Ahmetaj tha se asnjë nga qeveritë e mëparshme nuk ka guxuar ta prekë reformën e pensioneve, për arsye sepse secili ka menduar për katër vjeçarin. “Bashkë me Bankën Botërore vendosëm të bënim këtë reformë të vështirë, e cila kërkonte konsensus politik, që ne e kërkuam por nuk arritëm ta merrnim, dhe sot krenohemi me reformën e pensioneve, e cila në vite do garantojë shëndetshmërinë e sistemit pa prekur menjëherë qytetarët shqiptarë”, theksoi ministri Ahmetaj. Në të njëjtën kohë, tha ai, reforma e energjisë, ajo që sot është e shumëpërfolur, ishte dhe ngelet një nga sfidat më të mëdha të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë shqiptare. “Imagjinoni që ne jemi vendi i dytë në Evropë përsa i përket pasurisë së ujit për frymë, dhe kemi një bilanc negativ vjetor në energji, 150 milionë euro”, informoi Ahmetaj.
Para nesh, tha ai, qëndronte sfida që të ndërmerrnim reformën e vështirë që kemi ndërmarrë ose ta linim sistemin të degradonte dhe ju garantoj se shumë shpejt, në krye të dy viteve, sistemi do rrëzohej dhe unë besoj që në vitin 2016 nuk do të kishim drita. Ai u ndal edhe te operacioni për vjedhjen e energjisë, për të cilin tha se sot kjo reformë është e përshëndetur nga të gjithë institucionet ndërkombëtare. Duke folur për modelin e ri ekonomik, Ahmetaj shprehu bindjen se përpjekja jonë për të zëvendësuar importet që është në themel të modelit të ri ekonomik, është e qenësishme, sjell vlerë të shtuar në vend, sjell punësim dhe sjell përfitime materiale të drejtëpërdrejta për qytetarët, për konsumatorët dhe për të gjithë ata që përfitojnë nga zinxhiri i vlerave dhe zinxhiri në ekonomi.
Sa i përket sektorit të bujqësisë, ministri u shpreh se paketa e bujqësisë nuk fokusohet te lehtësitë fiskale, por fokusohet tek mbështetja e fermerit jo si individ, por si entitet ekonomik.
Kreu i METE-s komentoi edhe marrëveshje me FMN-në. “Unë ndaj me ju, studentë të Ekonomikut, pedagogë e profesorë të nderuar, se po, edhe ne kemi pasur debat brenda vetes, por sot personalisht, si pjesë e atij ekipi të gjerë që negocioi me FMN, jam i kënaqur dhe jam krenar që kemi bërë gjënë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjes, me vullnetin tonë politik, jo vetëm që nuk patëm një marrëveshje shtërnguese, por arritëm në krye të gjashtë muajve të frenonim rënien ekonomike dhe ta kthenim ekonominë shqiptare, në një rritje fraxhile por të sigurt”, tha ai.
Gjykata e Tiranës shpall sot të pafajshëm kryetarin e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, por dhe të pandehurit e tjerë të akuzuar për falsifikimin e lejeve të ndërtimit të dy godinave njëra në lagjen Pavarësia dhe tjetra në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”.
Të pafajshëm u shpallën edhe Gentjan Sherifaj dhe Eleni Dardha, Blerdi Liçaj. Gjithashtu urdhërohet dhe heqja e sekuestros preventive e dy pallateve.
Mesditën e sotme (27 nëntor 2014) gjyqtari Arben Micko lexoi vendimin ndërsa prokuroria deklaroi se do ta apelonte.
Vetë Gjika i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit nuk pranoi të komentonte, ndërsa në momentin e deklarimit në sallë pati ovacione gëzimi. Pas vendimit i çliruar nga akuza, Gjika ofroi një pije për të gjithë miqtë e tij.
Një vendim i tillë u mor gati një vit nga momenti kur Prokuroria e Përgjithshme deklaroi kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte marrë si i pandehur më (27 tetor 2013).
Pretenca
Më 8 tetor 2014 prokuroria kërkoi dënimin me 4 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet
Gjithashtu, për të njëjtën akuzë, Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet për shtetasen Eleni Dardhaj, punonjëse e Bashkisë Vlorë.
Gjitashtu u kërkua dënimi me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.
Pallatet qe çuan në gjyq Gjikën
Prokuroria e Vlorës akuzoi Shpëtim Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, falsifikuan përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Sipas akuzës, këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Sipas prokurorisë dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.
Kuvendi miratoi sot me 84 vota pro dhe 4 vota kunder projektvendimin që i hap rrugën krijimit të komisionit të posaçëm “Për reformën në Sistemin e Drejtësisë”.
Ngritja e komisionit, që u votua kundër nga katër deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet,
synon realizimin e një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, e cila do të ketë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të rëndësishëm, ku parlamenti do të ketë rolin kryesor.
Komisioni i Posaçëm në veprimtarinë e tij do të mbështetet me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare.